Alki Zei: Një shkrimtare 92 vjeçare, shembull i shkrimtares së angazhuar

Postuar më: 21 October 2017 12:33

Alki Zei u bë e famshme në Historinë e Kohës së saj, por edhe për kohën tonë! Ajo u bë pjesë e saj. Dhe vazhdon të shkruajë e të punojë çdo ditë. 92 vjeçe, por plot energji dhe dëshirë për të udhëtuar e për të takuar lexuesit e saj, fëmijë e të rinj, autorja më e madhe bashkëkohore greke e letërsisë për fëmijë iu përgjigj menjëherë ftesës për të qenë e pranishme në dy prezantime të organizuara nga Shtëpia Botuese DITURIA

“Për çfarë po ëndërroj? Për të ardhmen? Nuk shoh dot aq larg, unë ëndërroj të kaloj mirë kohën që më ka mbetur, nuk e di sa …dhe të shkruaj sërish”

Nga Kleo Lati

Alki Zei u bë e famshme në Historinë e Kohës së saj, por edhe për kohën tonë! Ajo u bë pjesë e saj. Dhe vazhdon të shkruajë e të punojë çdo ditë.

92 vjeçe, por plot energji dhe dëshirë për të udhëtuar e për të takuar lexuesit e saj, fëmijë e të rinj, autorja më e madhe bashkëkohore greke e letërsisë për fëmijë iu përgjigj menjëherë ftesës për të qenë e pranishme në dy prezantime të organizuara nga Shtëpia Botuese DITURIA, me rastin e botimit në shqip të dy librave të saj: Çadra e purpurt, përkthyer nga Kleo Lati, që u drejtohet fëmijëve të moshës 9 vjeç e lart dhe Kostandina, përkthyer nga Maklena Nika, për lexuesin adoleshent. Emri i Alki Zeit nuk është krejt i panjohur për lexuesin shqiptar, pasi më herët është përkthyer edhe një libër tjetër  i shkrimtares, Tigri i vitrinës (1986) një gjysmëbiografi e viteve të fëmijërisë në Samo.

Librat janë botuar me mbështetjen e Programit Europa Krijuese e Bashkimit Europian.

Ftesa iu bë me njëfarë ngurrimi, për shkak të moshës, por entuziazmi i saj në prezantimet në Tiranë, nuk la asnjë lloj dyshimi.

“Një herë në dy ditë, unë jam mysafire në shkollat e Athinës”, tha ajo në shkollën Arsakeio. “Nuk mund të rri duarkryq kur shoh e dëgjoj që fëmijët nuk lexojnë më. Fëmijët duhen edukuar me ndjenjën e leximit, që nuk është një nevojë biologjike, por duhet kthyer në të tillë…. Dhe flas për librat, për të mitë, por edhe të autorëve të tjerë… sepse më intereson që fëmijët të kenë sa më shumë libra nëpër duar. Secili të zgjedhë atë që i shkon më shumë për shtat.”

Me qetësinë e njeriut që ka shumë kaluar shumë gjëra në jetë, e prej kësaj ka fituar urtësi e dije, ajo iu përgjigj të gjitha pyetjeve të nxënësve të shkollës, të cilët kishin lexuar librat e saj dhe ishin argëtuar. Për librin Çadra e purpurt, autorja tha se Lefteria dhjetëvjeçare, që nuk i ka aspak qejf punët e shtëpisë si dhe ato që quhen “punë për goca”, por ka dëshirë të bëjë ca gjëra që nuk i pëlqejnë babait të saj: lexon me ëndje libra, dëshiron shumë të shkojë në teatër, e ndonjëherë ëndërron t’i ngjajë Antigonës, heroinës së Sofokliut, është një model për fëmijët grekë, shqiptarë apo çfarëdo kombësie qofshin.

Duke folur për librin “Kostandina”, që trajton problemin e drogës te adoleshentët, ajo u shpreh që deri në fillim të viteve 2000, letërsia greke nuk e prekte, si një temë tabu. Por historia e një adoleshenteje, Tinës, që dalëngadalë rrëshqet drejt drogës, i rrëmbeu adoleshentët, si historia edhe e dy brezave, që nuk duan ta pranojnë se, pavarësisht nga mosmarrëveshjet, janë  edhe të ngjashëm.  Nga autorja, nxënësit e kolegjit u ndanë me nga një kujtim të çmuar: një nënshkrim për secilin, në librin vetjak – “Me dashuri, Alki Zei”.

Në takimin e zhvilluar në librarinë Tirana Times, kësaj here me një publik të rritur, studiues e njohës të letërsisë, prindër, mësues, gazetarë dhe përkthyes të gjuhës greke. Dashuria për librin, pasioni për të, prania e shkrimtarit  nëpër shkolla, dialogu nga afër me nxënësit dhe orët letrare me ta, ishin argumenti kryesor i dialogut mes shkrimtares dhe dëgjuesve. Shkolla dhe mësuesit kanë rolin kryesor për të nxitur fëmijët dhe të rinjtë drejt leximit. Me modestinë e vet, Alki Zei, duke folur për suksesin e jashtëzakonshëm në botë të dy librave Çadra e purpurt dhe Kostandina, u shpreh që “më lini të them që ende dyshoj te vetja, kur  dëgjoj të më bëjnë kaq shumë komplimente. Unë e konsideroj, gjithsesi, rolin e shkrimtarit dhe të veprës së tij, të pazëvendësueshme. Sot jemi mbledhur të flasim për dy libra të mi, që mendoj se sot janë bërë pasuri e letërsisë shqipe dhe e lexuesit të vogël. Letërsia është ajo që i lidh popujt dhe sidomos dy vende fqinje si Shqipëria e Greqia, prandaj përkthimi është ura më e mirë e komunikimit për të njohur njëri-tjetrin.”

Në takim ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, kësaj here edhe në rolin e një lexueseve. Në fjalën e saj, mbasi uroi shkrimtaren e njohur, ajo theksoi, mes të tjerave, faktin që DITURIA, ka një kontribut të veçantë, në botimin e letërsisë më të mirë të vendeve ballkanike, me përkthime shumë të mira.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *