Alfred Peza: Nga “Sarah”, gati një projekt trilogjik për liderët shqiptarë

Postuar më: 07 October 2017 13:55

Është promovuar dje në mjediset e UET romani i parë i gazetarit e publicistit, Alfred Peza, në prani të shumë personaliteteve nga fusha të ndryshme politikë, kulturë, gazetari, akademikë deri në prezencën e ish presidentit Alfred Moisiu. Romani “Sarah”, botimet Mapo editions, që merret me marrëdhënien e mistershme të dy personazheve historikë, Ahmet Zogun dhe Sara Blloshmin do të ndiqet nga një projekt trilogjik, ka pohuar Peza

“Është një libër tipik, me një personazh atipik, i shkruar nga unë në një kohë atipike. Dhe atipizmi është ajo që e bën këtë libër të ketë këtë interes … Dhe atipizmi arriti deri atje sa para dy ditësh pata një debat me botuesin, i cili ka vite që investohet për të qenë imazhi i liberalizmit në Shqipëri, por edhe më liberali ndër të gjithë, kishte një pikë shumë konservatore, dhe ishte fakti që donte të ndryshonte kopertinën e Sarës, sepse kolana që ai boton ka tjetër llogjikë, pra fitoi liberalizmi mbi konservatorizmin dhe këtë radhë,çka tregoi që e meriton plotësisht këtë imazh të liberalit, por nga ana tjetër kjo i shton një pikë tjetër atipizmit të këtij libri, që është botuar në një shtëpi botuese që për herë të parë del nga kornizat e veta. Dhe pikërisht edhe unë jam një personazh atipik në letërsi, dhe të gjitha këto atipizma e bëjnë tipike edhe librin dhe këtë event. Këto kanë qenë fjalët e para të gazetarit, e publicistit Alfred Peza që dje, bashkë me promovimin e romanit të parë të tij, “Sarah” ka shënuar edhe hedhjen e tij në qarkullim përmes një debati tashmë të paraprirë mbi dy personazhe atipikë të historisë, si ajo e Mbretit, Ahmet Zogu i përfolur për një marrëdhënie të mistershme me personazhin e njohur të shekullit të kaluar, gruan e bukur të kryqytetit të viteve ’20-‘30, Sara Blloshmi. Promovuar në mjediset e UET nga “Mapo Editions”, dje kishte një prezencë jo të zakonshme nga personalitete të fushave të ndryshme në politikë, art, kulturë, dhe gazetarë, miq e kolegë të Pezës. Këmbëngulja e autorit të “Sarah” ka qenë mbi këtë personazh, që ruan të njëjtin emër si edhe në roman, duke thënë se “nuk do ishte i plotë atipizmi i këtij libri nëse nuk do kishte diçka tjetër atipike që sjell ky libër, ky botim, ky roman. Ashtu si Sarah Blloshmi u bë e para femër në Shqipëri e 100 viteve më përpara që  do të sillte një element shumë perëndimor, shumë civilizues në jetën e Shqipërisë, bashkë me Sarën ka ardhur një element tjetër i kësaj epoke, ka ardhur një element i ri që futet gjithashtu për herë të pare”. Peza ka zbuluar më tej se për herë të parë një libër në Shqipëri ka një website ëëë.sarah.al ku ai është një website i dedikuar vetëm librit, aty mund të kontaktoni autorin, të blini online duke “bërë në këtë një atipizëm, të plotë, të pastër, të bukur, si një dhuratë e imja për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e mi, dhe si një dhuratë për të gjithë ata që më kanë mbështetur gjatë këtij viti të vështirë dhe për t’ju thënë të gjithëve, që ai është Alfred Peza, Alfred Pezën e vërtetë e gjeni brenda 400 faqeve të këtij libri. Një libër  që është një dhuratë dhe dedikim për nënën time dhe për të gjithë miqtë dhe dashamirësit e mi”. Peza ka zbuluar se ky libër është pjesë e një projekti psikologjik ku pas Ahmet Zogut do të pasohet me një libër për Enver Hoxhën, dhe më pas për një lider shqiptar të pas ’90, të epokës së pluralizmit. “Në këtë mënyrë, unë dua që nëpërmjet tre personazheve politikë më të rëndësishëm ose jo, të historisë së Shqipërisë, të shpjegoj sipas meje historinë  e vendit tone”. Duke folur për njohjen me librin e ri të Pezës, kolegu i tij, administrator i “UET”, Henri Çili, në fjalën e tij tha se “…Prandaj kur erdhi dhe më prezantoi idenë për një roman, më erdhi një buzëqeshje por nuk m’u duk e jashtëzakonshme. Aftësia, vullneti dhe kapaciteti i tij, por mbi të gjitha, një veti e tij, po themi “e fshehur”, interesi i tij shumë i madh dhe uria e tij kulturore ka qenë e demonstruar për mendimin tim përgjatë gjithë karrierës së tij dhe është baza se pse ai konvertohet kaq lehtë nga një karrierë në tjetrën dhe arrin suksese nga një karrierë në tjetrën. Alfred Peza ka një interes të jashtëzakonshëm për kulturën, për studimet, për letërsinë, për mendimin, për idetë dhe ky amalgam e bën që ai të lëvrojë dhe një zhaner tjetër. …Historia është intriguese, realiteti është më fantasist se vetë çdo fantazi e shkrimtarit, rreth mbretit Zog ose rreth donzhuanit Zog dhe asaj çka e ka rrethuar jetën e tij rozë ka dhe do të ketë një kuriozitet gjithnjë e më të madh dhe unë mendoj që ky libër e plotëson këtë.”

 

Kolonë anash

 

Të takosh Sarën

 

Alda Bardhyli

 

Kur Ahmet Zogu e pa për herë të parë Sara Blloshmin e ndjeu se ky nuk mund të ishte thjesht një takim. Teksa ajo lëvizte lehtë, me trupin e saj elegant nën një fustan mbrëmjeve gjithë perla e kristale ai e kuptoi se ajo çfarë flitej për bukurinë e saj hyjnore, nuk ishte thjesht një fantazi e ndezur meshkujsh të padalë. Ajo mbrëmje plot erë, në Tiranën e viteve 30-të, do të ndryshonte përgjithmonë diçka, në jetën e burrit më të rëndësishëm të vendit. Prej asaj mbrëmjeje ai nuk do të ishte më i qetë…”Ti banon në brendësinë time, në thellime të zemrës, si shpirti që trupin banon”. Këto vargje mund ta vizatonin më mirë një burrë të pushtuar nga një grua. Por mendimet e saj përshkonin varka të errëta, dhe ashtu si sekreti i lojës së tenisit, dhe në dashuri, pushteti ndaj tjetrit qëndron tek fshehja e dashurisë. Në historinë e letërsisë bashkëkohore shqipe, Sara Blloshmi, gruaja e marrë nga një kënd i historisë është padyshim një nga personazhet më interesantë. Ajo nuk është një krijim në laboratorin e mistershëm të fantazisë së shkrimtarit, as një grishje e beftë teksa ai u ul të shkruante një libër, por një personazh real, historitë e së cilës për vite me radhë vijojnë të tregohen heshturazi sa herë flitet për jetën private të Ahmet Zogut, apo e mbetur në rafte të rënda arkivash. Në një vend ku historia vijon të jetë një keqkuptim, ajo do të ishte ende në biseda kafenesh nëse Alfred Peza nuk do t’i jepte asaj jetën e përjetshme, që ta japin vetëm librat. Por…unë nuk do të doja ta humbja takimin me Sarën. Është e jashtëzakonshme aftësia e saj, dhe atëherë kur është thjesht një personazh, apo se si një femër shqiptare para Luftës së Dytë Botërore të komunikoj lehtë me një lexuese të shekullit të XXI. Sesi kohët fashiten teksa endesh jetës së saj aspak të lehtë, për të kuptuar një traditë të heshtur të emancipimit të mendimit femëror shqiptar. Sarah që historia ashtu si komunizmi e flaku në harresë, është liria e konfiguruar herët në kulturën tonë, është Europa e hershme brenda nesh. Sarën mund ta takoni tek romani me të njëjtin emër “Sarah” me autor Alfred Pezën, botimet “Mapoedition”. Një roman ku Peza debuton për herë të parë në lëmin e letërsisë, por që tregon një ngjizje të hershme të tij me letrat. Rreth 400 faqe libër mund të lexohen ndoshta dhe në një mbrëmje…Libri nis me zemërimin e Ahmet Zogut, ndaj një femre e cila kishte vallëzuar në një mbrëmje në ambasadën amerikane në Tiranë, pa e ditur se ky vallëzim dhe kjo femër do të luanin një rol të rëndësishëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe në jetën e tij. Shpesh shkrimtarët që marrin subjektet e tyre nga historitë reale, bien në kurthin e historisë, por Peza ka arritur ta shmangë lehtësisht këtë kurth, duke e bërë një subjekt që noton në ujëra letrare. Peza është kujdesur të sjellë një tablo të vërtetë të atyre viteve, duke u veshur personazheve kostumin e kohës. Libri përshkohet nga një intensitet ngjarjesh me në qendër historinë e dashurisë së Mbretit Zog me Sara Blloshmin. Në asnjë libër figura e Mbretit Zog, nuk lartësohet kaq shumë, sa në qëndrimin që ai mban ndaj kësaj gruaje. Peza e bën leximin të mos ndjehet, ndërsa kërkon t’i shkosh deri në fund një rrëfimi plot mister. Faik Konica, një tjetër personazh real na shfaqet në libër si rivali i Ahmet Zogut, por jo për pushtetin, por për një grua. Si një njeri i rritur me shkrimin, Konica e dinte se nuk mund ta fitonte asnjëherë flirtin me një grua që mjeshtërisht luante tenis. Ashtu siç godiste me raketa topat në fushën e blertë, aq lehtësisht ajo kishte goditur zemrën e tij me një shikim. Por nuk është vetëm romanca ajo çfarë e bën grishës këtë histori që na vjen nga vitet 30-të, por dhe mënyra sesi autori na e tregon historinë… Një histori që do të lejë përgjithmonë tek ty, aromën e parfumit të Sarës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *