4 zv/ministra nga Kosova, analistët: Ja pse i futi Rama në kabinet

Postuar më: 10 October 2017 11:45

Kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur edhe katër kosovarë si zëvendësministra të qeverisë së tij.

Ekspertët thonë për BIRN se kjo është një lëvizje për të përforcuar ambiciet rajonale të Ramës.

Po cilët janë katër zëvendësministrat kosovarë?

Hajrulla Çeku është zëvendësministër për Turizmin dhe Mjedisin. Ai ka qenë më përpara koordinator programesh në një OJF kosovare, e angazhuar në fushën e mjedisit dhe planifikimit urban.

Besa Shahini është zëvendësministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë. Ajo ka qenë prej kohësh një analiste e pavarur e politikave dhe themeluese e Plenumit për Arsimin, një think tank për çështjet e edukimit.

Valbona Shujaku, zëvendësministre e Kulturës, ka qenë drejtuese e departamentit të Kulturës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Ilirjana Bajraktari, zëvendësministër i Shëndetësisë ka një doktoraturë në shkenca mjekësore dhe ka një eksperiencë të gjatë bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare të shëndetit.

Analisti Afrim Krasniqi thotë për BIRN se Rama po dërgon një mesazh të qartë.

“Rama kërkon të krijojë precedentin dhe të japë përshtypjen se është ndryshe nga kryeministrat e tjerë në Tiranë dhe Prishtinë dhe se do luajë një rol rajonal”.

I këtij mendimi është edhe analisti kosovar Astrit Gashi.

Ai thotë se Rama kërkon të luajë rolin e një lideri rajonal.

Por ai thotë se kjo ambicie mund të dëmtojë shtetin e Kosovës.

“Druhem se Rama po i përdor këto përzgjedhje për të forcuar rolin e tij si faktor rajonal në shpinë të Kosovës dhe nuk po forcon marrëdhëniet mes dy vendeve”.

2 komente për këtë artikull
  1. mergimtari at 1:26 pm

    Shume mire ka bere qe i ka marre keto zv/mimistra te ketyre fushave nga Kosova, eshte nje hap i mire perpara deri kur te vija dita qe parlamenti mbar shqiptar te kete deputet nga te gjitha trojet ne proporcion me popullsine dhe qeveria te kete edhe ministra nga te gjitha trojet qe do te thote bashkim i te gjitha trojeve, por qe eshte e pamundur sepse vete shqiptaret, me sakte shqiptaret e shitur qe fatkeqesisht edhe zgjidhen ne qeveri e parament nuk e duan kete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *