100 vjet Revolucioni i Tetorit 1917-2017! Solzhenicin: “Duaje revolucionin!”

Postuar më: 12 October 2017 09:07

Nga Albert P. Nikolla

Ushtima e topave të Revolucionit të Tetorit na dha ne Marksizëm–Leninizmin”!- Mao ce Dun.

Për popullin tonë, agimi lindi me fitoren e Revolucionit të madh socialist të Tetorit!”- Enver Hoxha

Mbaj mend të kem qenë në klasën e dytë të shkollës fillore. Ishte viti 1977 dhe festohej 60-vjetori i Revolucionit të Tetorit. Ngaqë isha kureshtar, gjeta mundësinë të afrohesha te dera e sallës së mbledhjes të mësuesve. Më kanë mbetur të pashlyera nga mendja fjalët e të dërguarit të Komitetit të Partisë: “Po të mos kishte ndodhur Revolucioni i Tetorit, të gjithë ju do të ishit bujkrobër”! Fytyra e tij ishte flakë e kuqe dhe ishte e pamundur të dyshoje mbi besimin që kishte në ato që thoshte. Fillova të përfytyroja veten time se çfarë do të kisha qenë duke bërë nëse Revolucioni i Tetorit nuk do të kishte ndodhur. Më pëlqente aq shumë noti, sa mendja ime pështillej duke shpresuar që edhe po të mos kishte ndodhur Revolucioni, të paktën të mos na ndalonin të shkonim në lumë për not!

“Duaje revolucionin!” është titulli i një romani të përkryer të Solzhenicinit. Është një roman autobiografik tek i cili Solzhenicini përshkruan një pjesë të historisë së tij në përvojën e personazhit Nerzhin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Titulli ka kuptim të dyfishtë: duaje revolucionin si përpjekje për liri, por edhe mos e ndal përpjekjen me fundin e revolucionit, por vazhdoje atë deri në lirinë e plotë! Duajeni revolucionin, por mohojeni nëse produkti i tij është krejt e kundërta e asaj që prisnit!

Në respekt të historisë, revolucioni i vërtetë rus është ai i shkurtit të vitit 1917, pasi rezultati i tij ishin largimi i Carit dhe krijimi i një qeverie demokratike provizore. Kaq shpresëdhënëse ishte situata që solli revolucioni i shkurtit, saqë shkrimtari i ri i asaj kohe, Boris Pastërnaku, do ta përshkruante poetikisht: “Bashkë me njerëzit gëzonin edhe pemët e yjet”! Në tetor të vitit 1917 ndodhi revolucioni i dytë, i cili ishte në të vërtetë një grusht shteti bolshevik që rrëzoi qeverinë dhe leçiti krijimin e qeverisë bolshevike.

Duke parë me interes burimet historike të kësaj ngjarjeje, mund të pohohet se pakkush në Rusi mund të imagjinonte se i porsalinduri regjimi sovjetik do të kishte pasur një jetë kaq të gjatë dhe një vulë kaq të fortë në historinë e qindvjetëshit XX dhe që do të tejkalonte të qenit thjesht një regjim autoritar, por do të shndërrohej në një dukuri të re ideologjike me frymëmarrje ndërkombëtare.

Gazetari amerikan Xhon Rid, i cili ishte i pranishëm gjatë ngjarjeve të Revolucionit, e përshkroi në mënyrën më të saktë vrullin e hatashëm të atyre ditëve, duke shkruar librin e tij: “Dhjetë ditë që tronditën botën”! Në atë libër, që përbën një dëshmi interesante historike dhe antropologjike, Ridi përshkruan me detaje dhe emocion shumë ndodhi të atyre ditëve. Ajo çka lë mbresa në librin e tij është fakti se e kishte kuptuar qartë se ky revolucion nuk ishte vetëm një përmbysje qeverie, por një trajtë e re politike e paparë më parë.

Kur duartrokitjet u ndalën, Lenini tha «Tani do të fillojmë ndërtimin e rendit socialist». Përsëri salla brohoriti deri në çmenduri! (John Reed. Ten days that shook the world).

Xhon Rid sjell në libër, ndër të tjera, edhe një element me ngarkesë të fortë antropologjike dhe politike, duke paralajmëruar se ky revolucion kishte hapur brazdën e madhe të totalitarizmit!

Ishte ora saktësisht 10.35, kur Kamenev u kërkoi të pranishmëve në sallë që të miratonin deklaratën e Leninit duke ngritur lart dorën me teserë. Pasi të gjithë e ngritën dorën lart dhe mbaroi votimi, vetëm një delegat mori guximin të ngrinte lart dorën si votë kundër, por dhuna totale e turmës afër tij bëri që ai ta ulte dorën menjëherë. Ishte koha e unanimitetit!. (John Reed. Ten days that shook the world).

Gjithë pushtetin sovjetëve” ka qenë fraza kyçe në “Tezat e prillit” (dokument politik i Leninit me 10 pika kryesore, të cilin e paraqiti sapo u kthye në Rusi nga migrimi). Njëtrajtshmëria e ushtrimit të pushtetit vetëm nga bolshevikët ishte filli i kuq i revolucionit dhe i produktit të tij. Ky përqendrim pushteti nuk do të ishte i kërcënuar nga asnjë parti tjetër në regjimet e diktaturës së proletariatit, por vetëm nga “armiqtë e klasës”, të cilët nuk kanë të drejtë të organizohen në parti politike. Ky lloj pushteti është antropologjikisht mjaft joshës për politikanët e etur për pushtet të përjetshëm. Sukseset që kanë arritur deri tani vendet e kampit të socializmit rrjedhin nga zbatimi praktik i ideve fitimtare të Revolucionit të madh socialist të Tetorit, pohonte E. Hoxha pasi realisht e shikonte pushtetin e tij absolut të frymëzuar prej bolshevikëve. Kjo frymë u përcoll edhe te drejtuesit komunistë në Shqipëri, por ajo çka është më problematike është trashëgimia që kjo mendësi ka lënë edhe te një pjesë e politikanëve aktivë pas rënies së komunizmit. Nga “gjithë pushtetin sovjetëve” është kaluar në “gjithë pushtetin tanëve”, gjithë pushtetin vetëm atyre personave që janë të klanit, të grupit, pasi partia është një nocion me ngarkesë relativisht të ulët ideologjike! Tinëzisht, edhe lëvizja studentore e vitit 1991 është keqpërdorur nën një dritë bolshevike vetëm për të siguruar pushtet pa pyetur për thirrjen e aspiratat e lëvizjes.

Një tjetër element antropologjik me rëndësi themelore është evidentuar nga diplomati rus Georgy Cicerin, i cili thekson faktin se interesat e kauzës mbizotërojnë ndaj atyre personale. Lenini u mësonte bashkëpunëtorëve të tij të afërt se çdo diskutim mbi interesat personale është i dëmshëm për kauzën e revolucionit. Ai thoshte se çdo person që ka prirje për të respektuar edhe interesat vetjake nuk është i denjë për revolucionin. (Shih. G. Cicerin. “Lenin tel qu’il fut”. 1959). Kjo dramë kulturo-politike i është ngjitur keq shpirtit të të bërit politikë në Shqipëri. Edhe pas rënies së komunizmit ka një dallesë interesante sa i përket këtij elementi. Tashmë nuk është interesi i përgjithshëm që nëpërkëmb atë personal të qytetarit të thjeshtë, por interes i të fuqishmëve mbi gjithçka.

Një ndër përmasat thelbësore në doktrinën e Revolucionit të Tetorit, siç pohonte Lenini, do të ishte thirrja e tij ndërkombëtare. I vetmi vlerësim i drejtë i Revolucionit të Tetorit mund të bëhej vetëm duke analizuar përmasën e tij ndërkombëtare. Ardhja e komunistëve në pushtet në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore dhe shumë revolucione dhe lëvizje antikolonialiste në Azi (sidomos në Kinë), në Lindje të mesme, në Afrikë, në Amerikën Latine do të kishin qenë të pamundura pa mbështetjen ideologjike, politike dhe ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Madje ka historianë që i atribuojnë Revolucionit të Tetorit dhe pushtetit bolshevik shumë arritje në fushën e të drejtave sociale në Europë dhe në SHBA. Ata pohojnë se frika e ndikimit komunist në Europë e SHBA i ka shtyrë qeveritë e këtyre vendeve të “lëshojnë pe” në shumë kërkesa për të drejtat e punëtorëve, që të mos krijohej ai humus i përshtatshëm ekonomik dhe kulturor që i dha energji revolucionit në Rusi.

Ndoshta Revolucioni i Tetorit mund të shihet nën një dritë pozitive në ravijëzimin dhe trajtën që i dha botës edhe pas 100 vjetësh. Revolucioni Kinez do të ishte i pamundur pa frymëzimin prej Revolucionit të Tetorit, por sot Kina është një superfuqi me të cilën Perëndimi duhet të bëjë llogaritë. Po ashtu edhe fuqia ushtarake dhe politike e Rusisë së sotme ndoshta do të kishte qenë e pamundur pa impulsin e Revolucionit të Tetorit. “Mëkati” i madh i Perëndimit ka qenë mungesa e dëshirës së tij për të pasur përballë bashkëbisedues të barabartë, por të nënshtruar. Kina dhe Rusia sot, me apo pa dëshirën e perëndimit, janë konkurrues të pamënjanueshëm politikë, ushtarakë e ekonomikë (sidomos Kina)!

Nga leximet e kujtimeve të ambasadorëve të huaj që kanë qenë me shërbim në Shën Pjetërburg, del një element interesant kulturor që ka të bëjë me magjepsjen që krijoi ky revolucion në Rusi dhe në Europë e në botë. Qysh në fillim të viteve ’20, Revolucioni Bolshevik i kishte rrëshqitur tërthorazi një analize të kritikës politike dhe ishte bërë objekt admirimi dhe devocioni. Ishte gati-gati duke kapur kufijtë e së magjishmes, duke ngjallur shpresa progresi në çdo aspekt të jetës, jo vetëm në atë ekonomik. Kësaj fryme i shkojnë për shtat fort edhe poezitë e Majakovskit apo prozat e Gorkit. E njëjta gjë u shfaq edhe në Shqipëri, ku magjia e Revolucionit të Tetorit preku sinqerisht shpirtin e mijëra personave që besuan tek ai si pikë referimi shprese për të shtypurit, të vuajturit, të varfrit.

E vërteta rreth Revolucionit të Tetorit mund të jetë diçka e ndërmjetme midis asaj çka ndjejnë nostalgjikët dhe asaj çka thonë kritikët dhe është e vështirë të zhdavaritet.

Sidoqoftë, historia ka akoma shumë për të thënë rreth tij!

2 komente për këtë artikull
  1. Petrit Selimi at 12:03 pm

    “Duaje Revolucionin”. Artikull i shkruar me ndjenje e vemendje. Padrejtesite e kerkojne perhere Revolucionin. Faleminderti MAPO per kete artikull qe lexohet me endje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *