Vlerësimi profesional në vendnumëro për gjyqtarët, shkaku i debateve në KLD

Postuar më: 23 September 2017 22:29

Ndonëse afati 90 ditor i përcaktuar në ligjin “për rivlerësimin kalimtar” është djegur me kohë, procesi i vlerësimit të aftësive profesionale ende nuk ka nisur-ndërkohë që mbledhja e 15 shtatorit në KLD u dominua nga replikat mes kryeinspektores së KLD-së dhe ministres së Drejtësisë për arsyet e vonesave. 

Nga Aleksandra Bogdani

Vlerësimi i aftësive profesionale përbën hallkën e tretë të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, pas kontrollit të pasurisë dhe integritetit të figurës. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga procesverbali i mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë tregojnë se vlerësimi profesional për 466 gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë ka ngecur deri më tani në vend, ndonëse afati i përcaktuar në ligj ka skaduar me kohë.

I miratuar nga Parlamenti në gusht 2016, ligji për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve..” ngarkon Inspektoriatin e KLD-së me përgjegjësinë e kryerjes së vlerësimit të aftësive profesionale duke caktuar edhe një afat 90 ditor.

Megjithatë, afati ligjor u shty në kohë pasi ligji u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese në vjeshtën e vitit 2016, pas një padie të ngritur nga Partia Demokratike.

Ligji i vetingut u certifikua si kushtetues në dhjetor 2016 dhe hyri në fuqi në fillim të janarit 2017. Por Gjykata Kushtetuese urdhëroi që institucionet ndihmëse, të tilla si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, ILDKPKI, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK apo Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të kryenin detyrimet e tyre nën mbikëqyrjen e institucioneve të rivlerësimit.

”Organet ndihmëse, duke përfshirë edhe Inspektoriatin e KLD-së, nuk e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ligjore të shkëputura nga institucionet e rivlerësimit, KPK [Kolegji i Pavarur i Kualifikimit] dhe KA [Kolegji i Apelimit], por nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre të fundit,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari deklaroi në mbledhjen e 15 shtatorit të KLD-së se procesi i vlerësimit të aftësive profesionale nuk mund të fillonte përpara ngritjes së institucioneve të vetingut, duke referuar vendimin e Kushtetueses.

Ajo theksoi gjithashtu se pas ngritjes së këtyre institucioneve ishin hasur vështirësi të korrespondencës me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

“..Ne kemi proceduar duke kontaktuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Iu është dërguar atyre një shkresë zyrtare më 27 korrik. Kopje e kësaj letre u është dërguar edhe anëtarëve të ONM-së. Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi nuk është marrë shkresa në këtë datë…me arsyetimin se nuk ka zyrë regjistri dhe nuk kanë staf administrativ,” mësohet të ketë thënë Xhaferrllari para anëtarëve të KLD-së.

Kryeinspektorja Xhaferrllari ka sqaruar më tej se komunikimi me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit është riaktivizuar në mesin e shtatorit, kur kryetarja e këtij institucioni, Genta Tafa Bungo ka kërkuar informacion përmes postës elektronike për hapat e ndërmarrë deri në atë kohë.

Sipas proces-verbalit të mbledhjes së KLD-së, Xhaferrllari mësohet se ka shprehur gatishmërinë për përmbushjen e detyrimeve ligjore ndërsa theksoi nevojën për hartimin e një udhëzimi për vlerësimin profesional, në mënyrë që sipas saj të “mos bëhen hapa falsë apo të ndiqen standarde të dyfishta, por të ecet me qasje uniforme”.

Vështirësitë e prezantuara nga shefja e Inspektoriatit të KLD-së janë vënë në pikëpyetje nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ka këmbëngulur të dijë se çfarë e ka penguar Inspektoriatin e KLD-së që ta trajtonte këtë çështje më parë.

“Nga informacionet që unë kam, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bashkëpunuar gjithashtu edhe me subjekte të tjera që kanë të njëjtin proces…që është DSIK-ja dhe ILDKPKI, ku aktualisht bashkëpunimi mes këtyre institucioneve ka qenë më i efektshëm, më i shpejtë, janë kryer veprime të cilat e çojnë procesin të ecë më shpejt,” ka thënë Gjonaj në KLD.

“Nuk e kuptoj çfarë e ka penguar Inspektoriatin që të kryejë këto veprime … më përpara, që në momentin e ngritjes së komisioneve,” pyeti Gjonaj.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Kryeinspektorja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, 466 gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë dorëzuan formularët dhe dokumentet shoqëruese për vlerësimin profesional deri në 31 mars 2017. Inspektoriati i KLD-së ka kryer deri më tani regjistrimin e formularëve, hapjen e dosjeve përkatëse dhe inventarizimin e akte.

E pyetur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nëse mund të përballohej volumi punës me burimet njerëzore në dispozicion, Xhaferrllari u përgjigj se kjo përbënte “një sfidë”.

“Aktualisht, Inspektoriati ka vetëm 10 zyrtarë në funksion nga 16 që ka organika, 40 për qind mungojnë,” tha ajo. “Unë nuk dua t’i vë termin ‘problem’, por për të qenë pozitiv do të thoja që përbën një sfidë”.

Një tjetër sfidë e procesit të vlerësimit të aftësive profesionale, sipas Inspektoriatit të KLD-së përbëjnë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ata të Gjykatës Kushtetuese apo ndihmësit ligjorë, të cilët nuk i janë nënshtruar më parë vlerësimeve.

“…është një territor i pashkelur, ne nuk kemi studime të mirëfillta të eficencës dhe produktivitetit të Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese…,” tha Xhaferrllari.

“Kjo është një nga çështjet e nxehta që duhet diskutuar dhe për këtë arsye kemi kërkuar dhe asistencën e misionit EURALIUS. Padyshim që do të jenë organet e rivlerësimit që do t’I japin drejtim dhe udhëzim kësaj çështjeje,” shtoi.

Diskutimi mbi vlerësimin e aftësive profesionale u mbyll nga presidenti dhe kryetari i KLD-së, Ilir Meta, i cili sipas procesverbalit, ishte bërë më parë nismëtar për hartimin e urdhëzimit nga inspektoriati i KLD-së.

“..Ndoshta duhet të një kordinim më i mirë dhe më aktiv me institucionet e reja të vetingut në këto ditë, që të përshpejtojmë vendimarrjen e tyre,” deklaroi Meta.

Më 22 shtator, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh sërish për të diskutuar mbi këtë ccështje dhe vendosi ngritjen e një grupi pune me 4 anëtarë për të rakorduar qëndrimet me institucionet e rivlerësimit si dhe për bashkëpunimin e përhershëm për të garantuar ecurinë e procesit.

BIRN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *