Vladimir Vojinovic: Nëpunësit e Çehovit dhe njerëzit e thjeshtë nga Mali i Zi

Postuar më: 16 September 2017 13:36

Ditën e hënë, në mbrëmje, shkrimtari nga Mal i Zi, Vladimir Vojinovic do të jetë në Tiranë në takimin promovues, në një bashkëbisedim me lexuesin shqiptar në mjediset e Friends Book House.

Mbi modernen në Tregimet e Montanarit të shkrimtarit malazez, Vladimir Vojinović

Nga Skënder Temali

Vladimir Vojinović është një shkrimtar bashkëkohës nga Mali i Zi. Bashkëkohëse e moderne njëkohësisht është edhe proza e tij. Në fakt unë kam lexuar vetëm këtë libër nga disa që ai ka botuar, po që të provosh cilësinë e një buti me verë, s’ka përse t’i nxjerrësh fundin, mjafton të degustosh vetëm një gotë.

Më ka befasuar mënyra moderne e perceptimit të realitetit, ku flasin pa e ndërprerë njëra-tjetrën e sotmja dhe e nesërmja. Si ke mbyllur faqen e fundit të vëllimit, jo veç lexuesi ideal, por edhe ai real, e ka lehtësisht të verifikueshëm se personazh kryesor është mbase vetë autori, pra një shkrimtar a intelektual e kjo ka e s’ka gjithaq rëndësi.

Në dymbëdhjetë tregimet që autori na paraqet, përmes narratorit, sidomos përmes dialogësh e monologësh, na përcjell mesazhe, heraherës edhe të mbuluara nga një tis filozofik impresionues.

Realiteti e simbolika që e rrethon këtë prozë, shpesh edhe si brerore pa e kaluar masën, të imponojnë që të mos lexosh shpejt, edhe pse i njëjti apo i përafërti personazh shtegton sa në njërin në tjetrin tregim, pasi individualizimi që u ka bërë na flet për pjekuri artistike të autorit.

Tregimet e këtij vëllimi i kanë të katër stinët, rrethi ciklik i të cilave të bën të perceptosh të katër stinët e jetës, duke filluar që nga dimri i saj, varri e deri tek burgu, që ka gota e zbrazur mes shokësh e deri tek fishekzjarrët ngazëllues. E bukura s’e ka të domosdoshëm komentin, e megjithatë në mënyrë të koncentruar, jo nga pozicioni i kritikut, por i shkrimtarit, do të përcjell disa mendime rreth vlerave ideoartistike të këtij vëllimi.

Do ta filloja me tregimin me titullin “Ikja”, ku shkrimtari, një përfaqësues i brezit të ri “duke ndërruar teza me proletarët e burgut, ka dëgjuar aq shumë sa qelinë e ka përjetuar si hoje mjalti, në të cilat derdhet nektari më i mrekullueshëm”.

Edhe pse tregimet ka në natyrën e një mozaiku, ky ndërtim kompozicional nuk e ka cenuar rrjedhshmërinë stilistike e subjektore, ku konvergojnë mendime të ndryshme e ku i lihet hapësirë edhe lexuesit të meditojë për hesap të vet e kjo, mendoj, nuk është pak për ta bërë dhe atë pjesë të perceptimeve e ndjesive estetike.

Thashethemet provinciale, që s’janë tjetër veçse pjesë e atyre ballkanike, mbrojtja e mendimit të lirë dhe e së vërtetës, pavarësisht kostos dhe qartësia e ekspresiviteti i frazës, do të na shoqërojnë në tregimin “Demantet”, ndërsa tek “Ikona”, autori lehtësisht ka depërtuar në budallallepsjen e turmave pas asaj që s’shihet, por edhe kur shihet-nuk besohet, pasi Shën Nikolla s’është askush tjetër që i faleshin veçse një njeri i thjeshtë, Backović-i.

Vojinović atë që shkruan e njeh, e njeh deri në inde realitetin, i cili, edhe pse i trishtë, në penën e tij, përpos trishtimit të pritshëm, të zgjon edhe shpresë e besim tek njerëzit e mirë të kësaj bote.

Personazhet e tregimeve janë, në përgjithësi, njerëz të thjeshtë, pa grada e ofiqe pushtetore. E shumta autori mbërrin deri tek Bozhoja (tregimi “Ëndrra”) që të shfaqet si siluetë e nëpunësve të Çehovit. Ata përjetojnë një jetë me tallaze e fund të padëshirueshëm, siç i ngjet Zhivkos, edhe pse falë përshkrimit mjeshtëror të autorit, sikur ndjejmë mëshirë për të, pavarësisht njollave të jetës së tij të kahershme.

Më ka qëlluar të lexoj tregime të autorëve të ndryshëm ku ka kalime pindarike, e, në përgjithësi ato nuk më kanë pëlqyer, por në “Tregim i Vitit të Ri”, ky kalim është i përligjur, prej emfazës së fundvitit e pas fishekzjarrëve për agimin e Vitit të Ri, tek jashtëqitjet e jetës. Mesazhi që përcjell autori se ka shumë mut e qelbësirë kjo jetë, era e rëndë që kutërbon për dike mund të jetë edhe parfum, shteg drejt

lavdisë, mbase dhe për Bozhon që të vrapojë drejt poltronit të drejtorit të bankës, edhe pse s’është as më shumë e as më pak për një mut në lëvizje e që ka koncentruar ligësitë e jetës, edhe të neurokirurgut, por jo të shkrimtarit-narrator, që ende s’është i bindur ta dorëzojë tregimin për shtyp.

E theksova se vëllimit autori i ka hedhur përsipër një tis apo mantel filozofik, quaje si të duash, pasi kjo përbën një vlerë që as duhet anashkaluar e as duhet të mbesë jetime.

Shformimi njerëzor tek pasqyra e thyer, i parë përmes simbolizmit, tek “Refleksion”, ka më tepër konturet e një eseje se sa të një tregimi të mirëfilltë, e thënë me gjuhën e kritikës, një skicë tregimi. E kjo jo se autori nuk e njeh konstruktin tregimor, por se ashtu, të koncentruar ai e ka parë shformimin, pa i lënë të tjera ngarkesa emocionale.

Për këtë bindesh si ke lexuar “Tregim për takimin e fundit”, ku ka një harmonizim mjeshtëror të mistikës me rravgimet në rrugët e disa episodeve historike të Malit të Zi, deri në ditët tona, ku e njohura dhe e panjohura janë në bashkëjetesë, duke e mbajtur në nënshtresë kuptimore epërsinë e tyre. Interpretimet e karakterit filozofik të hulumtuesit, priftit, Nikollës I na flasin për një penë të mprehtë e një letërsi serioze.

Bashkëjetesën e ekstremeve e has dendur në këtë vëllim. Ajo është e pranishme edhe tek tregimet “Montanaro jazz”, “Tranzicioni” e “Hotel Grand”. Tek i pari bashkëjeton gëzimi dhe hidhërimi, ndërsa tek dy të tjerët është fati i intelektualit në kryqëzimet dhe dilemat e jetës. Bota intelektuale e shkrimtarit dhe e shkencëtarit është bota e pikëpyetjeve. Përgjigja që marrim, ne, si lexues, se dinamika e ndërrimit të sistemeve s’është tjetër veçse një anomali më pak a më shumë në jetën e njerëzve, ka edhe protagonistët e saj. Përgjumja e shkencëtarit është ajo që pohuam më lart, e kontrastit të kërkesës për të ecur përpara me lavdinë e së kaluarës, që është ku e ku me kërkesën për progres shoqëror e shkencor e atë, pra lavdinë e kërkimeve shkencore të kahershme e të kapërcyera tashmë, s’ka se si ta absorbojë as hareja e një dasme që s’lë gjurmë.

Leksiku i pasur, madje edhe ai i zhargoneve tek disa personazhe, dinamika e dialogëve, koherenca e mendimit, thjeshtësia e rrëfimit sikur kompensojnë mungesën e përshkrimit, i cili është i kursyer në këtë vëllim e jo kurdoherë i domosdoshëm në tregimin e shkurtër.

Vojinović: Na dha një vëllim ku koha që jetojmë e sheh veten e saj në pasqyrë, herë reale, siç është e herë të deformuar, siç nuk do ta donim.

Përkthimi mjeshtëror i Dimitrov Popović-it nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe duhet përgëzuar dhe është një tjetër urë që lidh dy kulturat tona. E dëshiroj vazhdimësinë, jo për reciprocitet, por që me krijimtarinë tonë të njihen edhe lexuesit malazezë në gjuhën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *