Virgjil Muçi: Historia e parrëfyer e mustaqeve të zotit President

Postuar më: 09 September 2017 11:38

Virgjil Muçi, si gjithnjë, është mjeshtër i fjalës së gjuhës shqipe. Ndoshta këtu më shumë se kurdoherë fjala tingëllon, merr ngjyrë, është në vendin e saj dhe nuk mund ta zhvendosësh kurrsesi. Ai fjalëformon, por me kujdes e me masë, ndërton struktura fjalish e frazash të patundshme në strukturën e shqipes, pasuron me fjalorin e pamatë, kontribuon me ligjëratën e rrjedhshme, të thellë – shkurt, është një thesar gjuhe. 

Nga Diana Çuli

Virgjil Muçi, pas një heshtjeje jo të gjatë – që në të vërtetë është heshtja e studios së punës, ku dëgjohet vetëm tastiera e kompjuterit – befason përsëri me romanin e tij të fundit, Historia e parrëfyer e mustaqeve të zotit president. Romani, që në krye, që në titull e që në nëntitujt e kapitujve, e parapërgatit lexuesin se kemi të bëjmë me një vepër ku sarkazma do të ketë notën kryesore në vijën muzikore të subjektit: herë allegro ma non troppo, herë andante maestoso e herë allegro ma non troppo ( që janë dhe nëntitujt e kapitujve të lartpërmendur).

E them që në fillim se ky roman më dha një kënaqësi të rrallë për shumë arsye, të cilat do të mundohem t’i përmbledh në këtë shkrim të shkurtër, por, mbi të gjitha, për një arsye kryesore: sepse dëshmon me të gjithë elementët e tij se me vepra të tilla letërsia shqipe pasurohet, se gjuha shqipe ndriçohet dhe se ka autorë shqiptarë që dijnë ta mbajnë me dinjitet këtë barrë të rëndë. Mes botimeve të panumërta, mes kritikave thjesht lavdëruese për çdo lloj libri, pavarësisht vlerave letrare dhe artistike, mes ndarjesh çmimesh të bujshme për vepra që lexohen vetëm nga autori dhe shtatë miq të tijët, romane si ky i Virgjil Muçit të ngjall shpresën se letërsia e vërtetë, ashtu si piklat e arit që mezi pikasen mes rërës së sitës, e gjen gjithnjë rrugën për të shndritur. Gjithashtu, të sjell ndërmend se vepra e mirë letrare nuk krijohet thjesht “nga frymëzimi” apo nga talenti, apo nga “gjetja”, por është fryt i një jete të gjatë pune, i një reflektimi të thellë mbi botën, njeriun, shoqërinë ku jeton; mbi dukuritë e saj të shkuara, të tashme e të ardhme. Të shndërruar pastaj në lëndë letrare – proces ky, ku padyshim duhet talenti e frymëzimi, por gjithnjë të përpunuar e të lëmuar ndër vite.

Presidenti – personazh i romanit nuk është politikani tipik. Nuk duhet të kërkojmë në libër “kush mund të jetë”, sepse do t’i ulnim nivelin vetes sonë me pyetjen që bëjmë. Ai është edhe përfaqësues i një grupi politikanësh, por figura e tij, ku humori apo sarkazma shpesh shndërrohet në grotesk, shkëputet nga figurat e rëndomta të politikanëve të mishëruar në letërsi, sepse Muçi ka ditur ta ndërtojë në një regjistër që nuk i pranon hollësitë, që do të ishin të tepërta e të panevojshme në stilin e ngritur me të cilin e mban veprën.

President zgjohet një mëngjes dhe e sheh pamjen e tij të ndryshuar. Këtu fillon menjëherë ajo bazë emotive e personazhit e cila, në të vërtetë, kërkon një interpretim racional të veprimeve dhe vendimeve të tij nga ana e shkrimtarit. Ai e mban rrëfimin në një plan superior ndaj së dukshmes së përditshme dhe ndaj kuptimësisë primare – gjë që ia kërkon dhe alegoria që përdor, e cila mbështetet në konvencione të nivelit filozofik e metafizik.  Me fjalë të tjera, lidhja midis personazhit dhe imazhit kuptimplotë që autori kërkon të përçojë përmes tij, është e qëllimshme e, padyshim, kërkon edhe një përpunim intelektual. Në këtë vepër, ku realiteti vishet me rrobën e iluzionit, Virgjil Muçi ka arritur një nga kulmet e tij.

Presidenti-personazh bie në një trans emotiv, po edhe logjik, të shkaktuar nga rrethana në të cilën ndodhet. Pamja e tij, dukja e tij ( alegori e meskinitetit politik) janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër. Deliri e hedh në sfera mendore të ndezura flakë dhe ai e përfytyron veten në komunikim me perëndinë. Këty hyn në lojë imagjinata e mrekullueshme e autorit, që me vullnet të plotë e të pafshehur ndërton të pabesueshmen për të skanuar personazhin deri në skaj. Më pas, në kapitullin e tretë, ku, me delikatesë, me pak teatralizëm të nevojshëm dhe me natyrshmëri të habitshme brenda një teksti të tillë kaq të harmonishëm, përzien shkencën dhe teknologjinë me letërsinë, me përfytyrimin, me vetë  kuptimin simbolik të ringjalljes dhe krijon një sense of ëonder të papërsëritshëm.

Personazhi i tij, në delir e sipër pranon rolin që i jep Zoti dhe mendon të ringjallet pas tri ditësh, si Jezui, për të shpëtuar gjithë botën, jo vetëm vendin e tij. Por, jo duke vdekur vërtet, si modeli që  ka parasysh. Hyn në hibernacion, që të ngrijë e të shkrijë shpejt, por njerëzit të magjepsen pas mesazhit që përmban në vetvete ringjallja. Sigurisht, njeriu i besuar që duhet ta shkrijë pas tri ditësh, diku, në një laborator të largët, e vendos aparatin për treqind vjet, që ai vetë dhe të tjerët të mos e kenë më nëpër këmbë. Është pothuajse një humour noire, ku askujt nuk i vjen keq për askënd, ku dikujt mund t’i vijë për të qeshur, por me një të qeshur të hidhur, drejtuar jo protagionistit, por gjithë njerëzve që protagonistë të tillë u manipulojnë jetën.

Romani dallohet për koherencën dhe homogjenitetin e trajtimit të temës, për paralelizmin rigoroz midis botës reale e materiale me atë abstrakte, shpirtërore dhe vetë alegoria nuk është vetëm një mjet shprehës, por shndërrohet në vizionin për botën. Kjo është mundësia e artit si realitet sui generis, që ndihmon që vepra letrare të ketë të njëjtat atribute strukturore me ato të botës reale.

Virgjil Muçi, si gjithnjë, është mjeshtër i fjalës së gjuhës shqipe. Ndoshta këtu më shumë se kurdoherë fjala tingëllon, merr ngjyrë, është në vendin e saj dhe nuk mund ta çvendosësh kurrsesi. Ai fjalëformon, por me kujdes e me masë, ndërton struktura fjalish e frazash të patundshme në strukturën e shqipes, pasuron me fjalorin e pamatë, kontribuon me ligjëratën e rjedhshme, të thellë – shkurt, është një thesar gjuhe.

Me këtë rast përgëzojmë shtëpinë botuese KOHA në Prishtinë në radhë të parë për botimin e kësaj vepre të veçantë letrare,  por edhe për kontributin për përhapjen e letërsisë sonë në trevat shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *