‘Sinfonia e pambaruar’ e Grigor Banushit

Postuar më: 16 September 2017 13:41

Dy vjet më parë, kur në jurinë e çmimit Kadare u lexua romani i Grigor Banushit Sinfonia e pambaruar, shkaktoi një kënaqësi dhe befasi të merituar. Kënaqësia vinte nga niveli letrar dhe artistik, nga shtjellimi i subjektit, i personazheve, i atmosferës – pra nga gjithçka që një libër i mirë të ngjall gjatë leximit

Nga Diana Çuli

Dy vjet më parë, kur në jurinë e çmimit Kadare u lexua romani i Grigor Banushit Sinfonia e pambaruar, shkaktoi një kënaqësi dhe befasi të merituar. Kënaqësia vinte nga niveli letrar dhe artistik, nga shtjellimi i subjektit, i personazheve, i atmosferës – pra nga gjithçka që një libër i mirë të ngjall gjatë leximit. Befasi – jo sepse Banushi nuk ka shkruar dhe vepra të tjera të mëparshme që kanë tërhequr menjëherë vëmendjen, por sepse tema e romanit, jo vetëm i rikthehet kujtesës, jo vetëm heton, zbulon dhe ngre perden e skutave të errëta dhe të frikshme të mekanizmit të kohës së Sigurimit, por sepse e gjithë kjo është dhënë në një mënyrë origjinale dhe të patrajtuar më parë. Tema e kujtesës, ashtu si shumë tema të tjera të përjetshme do të trajtohen vazhdimisht nga shkrimtarët, por varet kush mundet dhe arrin ta japë atë në një vepër letrare të arrirë.

Romani fillon me një skenë thriller-i klasike: Komisari Byzh, në një nga komisariatet e Parisit, njoftohet se në zonën e tij është gjetur një njeri i rrahur rëndë dhe që ka përfunduar në koma. Fillon kështu hetimi i komisarit, i cili zbulon se viktima është me kombësi shqitare, se quhet Adrian Mara dhe se ka vite që jeton në Paris, si kompozitor dhe dirigjent orkestre. Fillon dhe historia e Adrian Marës, me digresione dhe me ngjarje të kohës kur zhvillohen ngjarjet, pra në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.

Adrian Mara, kompozitor, ka lindur në vitet ’40 në Shqipëri, me nënë italiane, me të cilën i ati është martuar kur ka qenë student në Itali dhe, si shumë të tjerë, e ka sjellë gruan në vendin e tij. Pa e ditur se çfarë do t’i presë. Ndërkohë, i ati i Adrian Marës, duke u përpjekur të shpëtojë italianët e mbetur rrugëve të Shqipërisë, pasi kapitulluan dhe i ndiqnin gjermanët për t’i vrarë, zhduket në det bashkë me ta. Adriani rritet nga nëna e tij Valeria, me idenë e babait të vdekur në det nga bombardimet naziste. Ai bëhet kompozitor i njohur, por transferohet në veri, ku gjithnjë punon me përkushtim për kulturën e vazhdon të kompozojë. Rrethanat e sjellin të dashurojë vajzën kosovare, Roksanën, e cila është arratisur bashkë me familjen nga Jugosllavia për t’i shpëtuar regjimit shtypës serb. Ata përpiqen të krijojnë një jetë së bashku, të kenë dhe fëmijë, por makineria e regjimit, së cilës i ka rënë në dorë testamenti i babait të Adrianit – i cili kishte jetuar dhe vdekur së fundmi në Francë – fillon dhe bën presionet e njohura të Sigurimit.
Adrian Mara, pasi ka mbetur dhe pa nënën e tij, Valeriana, që ndërron jetë në ato kohë, vendos të arratiset bashkë me Roksanën.

Nuk i tregojmë më tej ngjarjet, që lexuesi të ketë kureshtjen dhe të ndjekë subjektin, i cili zhvillohet pastaj më së shumti në Francë dhe në Gjermani, ku puna dhe rrethanat e shtyjnë të jetojë Adrian Marën. Një numër personazhesh të huaj e shumë interesantë, të karakterizuar me mjeshtëri, skena tërheqëse, që të mbajnë pezull, dy civilë të përhershëm që ndjekin ngado Adrian Marën, Enver Hoxha në një video ku i bie pianos për të treguar se ka edhe këtë talent të veçantë, Habia e Adrian Marës, zbulimi që ai bën se kush fshihet pas duarve të shkathëta mbi tastierë – të gjitha këto ngrejnë një tjetër vorbull ku do të përfshihet përsëri jeta e tij.

Adrian Mara, megjithë fatkeqësitë që e ndoqën – humbja e Roksanës në kufi, stërmundimi për të punuar përsëri në profesionin e tij në Paris, por më pas suksesi e dashuria e re me një mezzosoprano, Eva Langun – nuk mund të jetojë përsëri i qetë. Dy civilët e ndjekin ngado.

Përsëri do ta le lexuesin ta kërkojë fundin e historisë në faqet e librit.

Do të shtoja se narracioni tashmë i njohur i Grigor Banushit, si edhe tek romanet Vdekja e Narcisit, Fytyra e djallit dhe Mëria e zanave  është i shtruar, i mbushur me informacion, por me sekretin e shkrimtarit që ta bën të këndshëm këtë informacion e aspak të lodhshëm, me referime muzikore dhe kulturore, që i përshtaten jetës, karakterit dhe punës së personazheve, me peizazhe të Europës ku jetojnë personazhet dhe me rrezikun e përhershëm që qëndron si re e zymtë përmbi kryet e Marës.

Duket sikur autori kërkon të thotë se jeta ka rrengjet e saj të befta e të papritura. Edhe kur njeriu kujton se më në fund po rindërton ekzistencën e tij, larg vendit që ia ka helmuar atë, nuk do të thotë se ka shpëtuar. Hijet e errëta e ndjekin pas ngado…Kjo i ndodhi Adrian Marës.

Sinfonia e Pambaruar, botim i shtëpisë botuese DITURIA, po vjen tek lexuesit si një vepër dinjitoze, një kulm i krijimtarisë së shkrimtarit Grigor Banushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *