Rikthehet magjia e Champions/ Prapaskenat e sfidës së sotme Barcelona– Juventus

Postuar më: 12 September 2017 18:49

Faza në grupe e Ligës së Kampioneve fillon sot në mbrëmje me 8 ndeshjet e para në grupet A, B, C dhe D. Në fushë zbresin disa nga ekipet pretendente dhe që në ditën e parë do të ketë përballje shumë të forta mes ekipeve më emër.

Padyshim dueli që spikat është ai mes Barcelonës dhe Juventusit, por edhe sfida Roma – Atletiko Madrid nuk është më pak tërheqëse, duke llogaritur pretendimet që kanë të dy skuadrat dhe përbërjet e tyre.

Juventus me mungesa

100 ditë pas Kardifit, Juventus rinis rrugën e tij në Europë. Ëndërron sërish trofeun e Champions. I ka shpëtuar dy herë në 3 vitet e fundit duke u dorëzuar në finale përballë Barcelonës dhe Real Madrid. E nis nga Camp Nou, imponues edhe kur është bosh. Te bardhezinjtë ka shumë mungesa.

Përveç Sami Khedira që është nisur me skudarën dhe Claudio Marchisio i dëmtuar. Juan Cuadrado është i skualifikuar, Stephen Lichtsteiner dhe Marko Pjaca janë përjashtuar nga lista e UEFA. Jo të gatshëm janë edhe Giorgio Chiellini, Mario Mandzukic dhe Benedikt Höwedes.

Dybala: Me Mesin e vështirë të luash në një skuadër

Leo Messi është futbollisti më i mirë në botë, por jo të gjithë duan të luajnë me të. Ka nga ata, si Neymar, që ishte shoku i tij i skuadrës dhe ka vendosur të largohet nga Barcelona për të shkuar te Paris Saint-Germain, për të fituar më shumë para, por edhe për të mos qenë më në hijen e një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Dhe nuk është vetëm ai që e mendon kështu.

Gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së Champions mes Barcelona dhe Juventus Paulo Dybala ka befasuar të gjithë: “Mund t’ju duket e çuditshme ajo që do të them, por nuk është e lehtë të luash me Messi-n. Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, – ka vazhduar Dybala, – tani jam i lumtur këtu dhe kam zgjedhur fanellën me numrin 10, që është shumë e rëndësishme. Për mua është një nder, duke parë lojtarët e mëdhenj që e kanë veshur para meje”.

Një mesazh i fortë, por që ka pak mundësi të frenojë Barcelona-n në të ardhmen. Siç dihet, “La Joya” është objektivi kryesor i katalanasve për verën e ardhshme.

Barcelona, 8 herë finaliste, 5 trofe të UEFA Champions League

Në 8 finale deri tani, 5 trofe janë fituar, të gjithë pas vitit 1990. Barcelona e ka gdhendur emrin e saj në trofeun e UEFA Champions League 2 herë më shumë se Juventusi pasi në dekadën e fundit ka arritur të shpallet mbretëreshë kontinent plot 4 herë.

Finalja e parë për Barcelonën daton në vitin 1961 përballë portugezëve të Benficas të cilët arritën të triumfonin 3-2. Kjo ishte finalja e parë pas 5 sezoneve ku kishte dominuar Reali i Madridit, por katalanasit nuk arritën të triumfonin kjo edhe falë kundërshtarëve portugezë që në ato vite ishin një nga superfuqitë e kontinentit.

Barcelona e humbi finalen në vitin 1986 përballë Steauas së Bukureshtit në stadiumin e Sevillas. Pas 120 minutave lojë të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin rrugën e golit dhe nga pika e bardhë e 11 metërshit ballkanasit u treguan më të saktë duke e lënë sërish bosh raftin e trofeve të Ligës së Kampionëve për gjigantët katalanas.

6 vite më pas erdhi edhe finalja e duhur për Barcelonën që kaloi 1-0 në Uembley italianët e Sampdorias. Goli i Ronald Koeman shkroi historinë për skuadrën katalanase që rreth 30 vjet pas finales së parë arriti të dilte fitimtare në këtë kompeticion.

2 vjet më pas, arena e stadiumit të Athinës u kthye në një skenë gati-gati tragjike për djemtë e Johan Cruyff që u shkatërruan 4-0 nga Milani edhe pse për këtë finale ata ishin favoritët e mëdhenj me një brez të artë lojtarësh si Zubizarreta, Koeman, Stoichkov e Romario. Golat e finales u realizuan nga Daniele Massaro, Savicevic e Desally, të cilët i dhanë një leksion të vërtetë futbolli një prej skuadrave më të mira të historisë.

Në 3 finalet e radhës, Barcelona nxori në pah gjithë madhështinë e një klubi të madh. Në 2006-ën, Eto dhe Belletti zhvlerësuan avantazhin e përkohshëm të Arsenalit me Campbell duke hipotekuar titullin e dytë të UEFA Champions League.

3 vjet më vonë ishte radha e Manchester United për të marrë një leksion nga jashtëtokësorët katalanas që këtë herë kishin në armatën e tyre një gjeni si Lionel Messi. Argjentinasi shënoi golin e dytë të finales së Romës ku më parë kishte realizuar edhe i përhershmi Samuel Eto. 2-0 dhe trofeu i tretë për Barcelonën.

Në finalen e vitit 2011 u përsërit e njëjta histori me ndryshimin e vetëm se 90 minutëshi u luajt në Londër ku blaugranat dominuan “Djajtë e Kuq” 3-1 për të siguruar kupën e katërt të kampioneve. Dy dekada suksesi për një klub që periudhën e shkëlqimit europian e ka arritur gjatë epokës kur trofeu u quajt UEFA Champions League. Barcelona është kalorësja e epokës moderne të futbollit europian.

Në finalen e 5 qershorit 2015, Barcelona gjeti përballë Juventusin që e mundi 3-1 me gola të Rakitiç, Suarez dhe Neymar. Për italianët barazoi përkohësisht Morata.

Juventusi, skuadra e “mallkuar” e finaleve

Nga Beogradi në Kardif, 9 finale të luajtura dhe vetëm 2 të fituara. Së bashku me Benfican dhe Bayernin e Mynihut, Juventusi është skuadra më e mallkuar e 90 minutëshit të fundit të UEFA Champions League.

Ishte viti i largët 1973 kur Juventusi nuk arriti të dilte me kokën lart në finalen e parë të Ligës së Kampioneve. Zoff, Bettega dhe Causio u përballën me Ajaxin e famshëm te Johan Cruyff dhe ishin holandezët ata që hipotekuan kupën për të tretin sezon rresht me një gol të Rep në minutën e katërt duke betonuar mitin e Ajaxit të madh të viteve 70.

10 vjet më vonë, bardhezinjtë nga Torino u kualifikuan sërish për në finalen e madhe që u zhvillua në vitin 1983 në Athinë. Përballë tyre ishte Hamburgu që shihej si jo favorit kundër një skuadre që kishte hedhur në fushë 6 kampionë bote si Zoff, Cabrini, Gentile, Scirea, Tardelli e Rossi me dyshen e sulmit Platini-Boniek. Por edhe në këtë finale, Juventusi doli nga fusha e lojës mes lotëve pasi ishte Felix Magath ai që ngriu ëndrrat e torinezëve me një silur që në minutën e 8.

2 vjet më pas,në finalen tragjike të Brukselit, ishte Platini ai që ngriti për herë të parë në qiell trofeun me veshë të mëdhenj. Goli i francezit nga pika e bardhë mes rrënojave të Hejselit vendosi finalen përballë Liverpoolit por më shumë se një finale e UEFA Champions League, ajo ditë do të mbahet mend gjatë për tragjedinë që shkaktoi 39 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur nga radhët e të dyja tifozerive.

11 vjet më pas një tjetër finale e fituar. Në Romë sërish kundër Ajaxit u konsumuan 120 minuta ne një ndeshje ku u shënuan vetëm dy gola por Peruzzi bllokoi penalltitë e Davids e Siloy duke i dhuruar Juventusit të dytin trofe të Ligës së Kampoioneve. Kjo ishte edhe finalja e fundit e ëmbël për bardhezinjtë sepse gjatë viteve në vazhdim do të kishte vetëm zhgënjim.

12 muaj më pas,ishte Borussia Dortmund kundërshtari i radhës. Në Mynih, Juventusi i Lippit u dorëzua me një humbje 3-1 ku Roddle regjistroi dy gola dhe Ricken një tjetër. Rrjeta e Del Pieros nuk shërbeu për asgjë dhe skuadra e Mancelo Lippit doli e zhgënjyer nga klasikja e viteve 90.

20 Maj 1998, Finalja e tretë rresht. Në “Amsterdam Arena” italianët u mundëm nga Reali i Madridit që në atë kohë drejtohej nga Jupp Heynckes. Predrag Mijatovic shtriu nokdaun juventinët duke u dhënë një tjetër leksion në një finale që gjithsesi ishte e barabartë dhe pa favoritë të qartë.

Maj 2003, Juventusi u rikthye në një finale, këtë herë të gjithë italiane. “Old Traford” hapi dyert për derbin apenin ku bardhezinjtë sfidonin Milanin e Schevcenkos. 120 minutat përfunduan me rrjeta të paprekura. Nga llotaria e 11 metërshave Buffon priti goditjet e Seedorf e Kaladze, por Dida bëri më mirë duke bllokuar Trezeguet, Montero e Zalayetan. Një tjetër finale e humbur për Lippin dhe e pesta për Zonjën e Vjetër që këtë herë kërkon të evitojë pokerin e disfatave në 90 minutëshin final të Berlinit.

5 qershorit 2015, Juventus u përball me Barcelonën. Pavarësisht një faze të mirë në grupe nuk arriti të ndalë vrullin katalanës të Rakitiç, Suarez dhe Neymar.

3 qershor 2017. Një tjetër “finale e mallkuar për Juventusin. Humbje 4 me 1 përballë Real Madrid. Një pjesë e parë shumë e mirë, por e dyta katastrofë. Dy gola të Ronaldo, dhe nga një të Casemiro dhe një nga Asensio i dhanë Real Madrid trofeun e 12-të më të lakmuar në kontinent./lapsi.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *