Retorika e vjetër e një departamenti të ri: “përralla dhe paradokse të filozofisë analitike”

Postuar më: 11 September 2017 10:14

Nga Orgest Azizi

Retorika e vjetër e një departamenti të ri: “përralla dhe paradokse të filozofisë analitike”. Mediat e varura (gazeta Panorama, 13 dhe 14 korrik 2017) lajmërojnë, në mënyrë të përsëritur, çeljen e një departamenti të ri të filozofisë pranë Universitetit Europian të Tiranës (UET). Ai, mësojmë, do t’i kushtohet i tëri dhe vetëm filozofisë « analitike ». Lajm i mirë, apriori, për këdo interesohet për filozofinë dhe universitetin në hapësirat shqiptare. Në traditën fetare, lajmi i mirë, nga greqishtja eu vangellon, ka dhënë në shqip Ungjillin. Bibla që do të përcjellë këtë dhjatë fringo të re quhet Filozofia moderne. Nga Aristoteli te filozofia analitike. Autori i saj, një filozof anglez konservator : Roger Scruton, Doctor Honoris Causa i UET-it, sikundër edhe Behgjet Pacolli. Fotoja hieratike e Shën Avokatit, rrethuar nga 12 apostujt e zgjedhur (ndër të cilët NJË grua), me librin e shenjtë në dorë qarkullon nëpër rrjetet sociale. UET është jo vetëm botuesi, por edhe tempulli i vetëshpallur i kësaj feje te re: të gjithë studentët e vitit të parë (« të cilët janë me qindra », thotë A. Çuri, pedagog-shërbestar në Tempull) do ta kenë studimin e librit të detyrueshëm (me ç’rast shitjet janë të garantuara).

Por, a është vërtet lajm, apo ofensivë ? Në gazetat shqiptare, gjithnjë e më tepër shtojcë në letër e Facebook-ut, informacioni (thjesht informacioni, pa folur për kritikën e tij) ia ka lënë tashmë krejtësisht vendin komunikatave dhe reklamës. Çiftimi i të dyjave, bashkë me dhunën semantike të njëanshmërisë që i karakterizon, do të ishte një përkufizim i mirë i propagandës. Nuk mësojmë pra, për departamentin e ri dhe statusin e filozofisë analitike, por pësojmë një batare propagandistike për bëmën e fundit të UET-it, hapin e ri të hedhur (bashkë me « investimet » e nevojshme) për afirmimin e tij në publik dhe, pandashmërisht, distancën e re të thelluar në raport me universitetin shtetëror, ose publik.

Investimi kryesor këtu është para së gjithash ai retorik: prurja dhe lëvrimi i filozofisë analitike nuk janë qëllime mendimi, dëshirë e mirëfilltë e logos-it, porse vegël strategjike, objekt i një fushate (në dy kuptimet e fjalës : elektoralist dhe ushtarak), gjest menaxherial dhe strategji marketingu. Shkurt, pjesë e asaj dukurie që, në epokën neoliberale, ashtu si dhe tregu, ka kolonizuar (Habermas) sfera përherë e më të gjera të jetës shoqërore e që njihet si storytelling. Narrativa për departamentin është mënyra e pashmangshme, apriori, e prezantimit të tij publik; ajo (objekt i qartë i dëshirës uetiane) e shter tërë fenomenalitetin e objektit të saj.

Ndërkohë, qenësia e departamentit, dytësore, është vetëm alibia e kësaj narrative. Si në shumë inskenime retorike, ajo çka vlen këtu nuk është saktësia, koherenca, vërtetësia, prova apo informacioni, por elementet që shërbejnë për të ndërtuar dhe ofruar (imponuar) objektin si mit. Kështu, për shembull, paradokset: që në vitin e Brexit-it, universiteti i vetëquajtur « europian » të fusë me detyrim për të gjithë studentët e vet një disiplinë e cila është gjerësisht anglo-amerikane; që në fabrikën e ideologjisë liberale të ngrihet si profet autori i librit, “Si të jesh konservator ?” ; që një filozofi e cila, « në dallim nga filozofia kontinentale, lidhet e bëhet një me shkencat, sidomos ato të natyrës » (A. Çuri, sërish), të imponohet në një universitet ku nuk ka asnjë departament shkencash të natyrës; që në emër të diversitetit dhe pluralitetit (H. Çili), të imponohet uniformisht një qasje përjashtuese « jashtë së cilës nuk mund të ketë dot filozofi » (S. Ngjela) etj. Kështu, po aq, në mënyrë të përzier, cektësia, dezinformimi dhe pohimet brutale : Roger Scruton, « përfaqësuesi më shquar i filozofisë analitike », apo « filozofi më i famshëm anglez » (gazetar anonim – pohim dukshëm i marrë nga komunikata e UET) ; « mungon gjykimi racional në të gjitha tekstet që janë shkruar nga shqiptarët » (Ngjela) ; filozofia analitike « që dominoi mendimin britanik të shek. XIX », edhe pse « themeluesit e saj janë Russell dhe Moore në shekullin XX » (i paimitueshmi Çuri); i njëjti, pa asnjë konsideratë tjetër mbi kushtet historiko-sociale dhe veçanërisht ato financiare, vijon duke shpallur se: ajo është « përbërësi i cili qëndron pas arsyes pse universitetet e vendeve anglishtfolëse zënë vendet e para për cilësi në klasifikimet botërore »; ndërkohë që Amerika kalon një krizë racizmi dhe paranoje, dhe anglezët bëhen pishman të nesërmen për votën e së djeshmes, ja si i shet shërbestari virtytet magjike të këtij eliksiri : « kjo disiplinë është vërtetuar se i ndihmon shumë ata që hyjnë në kontakt me të, që të mësojnë një metodë rezultative, të përdorimit të instrumentit të mendimit, si i vetëm instrument logjik dhe kritik » (siç  frazat, termat dhe presjet kuturu janë të çirakut logjik Çuri).

Por palma e mitizimit ideologjik këtij objekti, deri në objekt kryekëput fantazmatik (sipas, të themi, një logjike simptomale bazike) i takon, siç edhe pritej, personazhit protagonist të narrativës, i cili ekziston edhe vetë tashmë në formën e mitizimit: fjala është për atë që, në një nga tiket më të ngulitura të ligjërimit publik shqiptar (shenjë e ligjërimit mitifikues), çdo tekst mediatik vijon ta quajë në mënyrë mëse zyrtare « Avokati » Ngjela, pa u ditur kurrë pse, as se përse ky është më avokat se të tjerët, që Shqipëria i prodhon me shumicë, falë, ndër të tjera, edhe UET-it. Vetë Ngjela s’është tjetër veçse ngurtësimi i një vetë-narrative pjesërisht të suksesshme, dhe pjesërisht ndoshta po aq viktimë e kësaj narrative. A ekziston vërtet Spartak Ngjela (jashtë mpiksjes narrative të « Avokatit »), dhe cili është statusi i kësaj (mos)ekzistence eventuale ? – është një pyetje që, në rrafshin e socio-ligjërimit shqiptar ka vërtet vend të shtrohet, dhe ndoshta një ushtrim i parë i filozofisë linguistiko-analitike për studentët e ardhshëm. Na duket se Ngjela noton në narrativë, pikërisht më së shumti kur shpall se : « shkollat shqiptare janë jo racionale, sepse janë narrative » !

Ngjela nuk është pra këtu aktor, por vektor i një teleologjie të rrëfimit, shenjë botërisht e dallueshme për të orientuar leximin e « ngjarjes » dhe autentifikuar tiparet e pritura të saj : siç e dinë (ose duhet ta dinë, do t’u thuhet deri sa ta dinë !) të gjithë shqiptarët, Ngjela, përveç që ekziston si Avokat dhe ka qenë i burgosur politik, vdes edhe për pak atmosferë « anglo-saksone ». Edhe ky cilësor, ashtu si « Avokat », dhe « filozofi analitike » nuk është fjalë me ndonjë kuptim të saktë objektiv, por flamur, shigjetë semantike me efekt përzgjedhës, në funksion të asaj që P. Bourdieu e quan distinction. Anglo-saksone nuk është gjithçka që vjen nga Anglia : as « gjendja e klasës punëtore » në shek.. XIX, të cilën e analizonte i riu Engels, as mjerimi dhe dhuna e qyteteve punëtore dhe të dezindustrializuara, as ndarja e madhe klasore, as kultura popullore e Commons që analizon E. P. Thompson, as fakti që në vitet ‘30 treçereku i Kembrixhit ishin komunistë dhe simpatizantë të Bashkimit Sovjetik, as grevat masive dhe revoltat punk në vitet ‘70-’80 ; por do jenë të tilla theçerizmi, parlamentarizmi i zbrazur nga thelbi i vet konfliktual, privatizimi, individualizmi, cricket-i dhe ora e çajit, filozofët konservatorë me toga dhe titullin Sir.

Miti, thotë Roland Barthes, është fjalë e shkëputur, e autonomizuar : është neutralizim i historisë, për ta paraqitur objektin jo si produkt socio-historik, por si natyrë. Është kështu varfërim i gjuhës, vobektësim i përvojës, (vetë)verbim dhe shfuqizim i subjektit njerëzor. Rolin e natyrës, si kundërti ndaj historisë dhe « narrativës » e luan këtu « analiza », « gjykimi racional », « logjika e ftohtë ». Për ta shitur « logjikën » kundër « narrativës » (një kundërvënie sa e vjetër – që nga ajo mes mitit dhe logosit te Platoni – aq dhe klishe pa nuanca, argumentsëpatë, shkalla zero e vetpërfytyrimit të ideologjisë analitike), « Avokatit » dhe sistemit që e përdor atë u duhet të imponojnë një narrativë të logjikës. Mënyra më e mirë për ta shfrytëzuar filozofinë analitike, është ta paraqesësh atë, në mënyrë përtace dhe ripërtypëse (sepse skema është gati gjetiu, mjaft ta importosh) si mitin johistorik të antimitit.

Filozofia analitike përfundon kështu e rrudhur në versionin filozofik të theçerizmit (There is no alternative !) dhe shumë të vërteta të bezdisshme mënjanohen (censurohen është termi i saktë, në kuptimin politik dhe psikanalitik të fjalës) kështu me një të rënë të trumpetës idologjike : fakti që filozofia analitike, përfshi dhe pragmatizmin amerikan, është shumë më e gjerë dhe më konfliktuale nga ç’e lë të nënkuptohet marketingu i apostujve te UET-it; fakti i kushteve politike perandorake të sundimit pothuaj planetar të kësaj filozofie, si pasojë e implementimit të saj amerikan; fakti se themeluesit dhe iniciuesit e saj e mendonin praktikën e « konceptit » si një sipërmarrje « barbare » të shkatërrimit të traditës dhe institucioneve konservatore të shoqërisë klasore, dhe të pandarë nga një angazhim për barazinë shoqërore : Russell ishte ateist, anarkist, poligam dhe antiimperialist, president bashkë me Sartrein i Gjyqit Russell kundër luftës në Vietnam ; A. N. Whitehead, bashkëautor me Russellin i Principa mathematica, ndërtoi një vepër kozmogonike që ishte një nga frymëzimet madhore të « kontinentalit » Deleuze ; filozofët e « Rrethit te Vjenës », burimi kryesor i filozofisë analitike në Amerikë, pas ekzilit të tyre europian si pasojë e nazizmit, të gjithë socialistë dhe socio-demokratë, e përdornin logjikën e konceptit si armë laike për shkatërrimin e metafizikës dhe instrument të progresit shoqëror ; ata ishin bashkëkohës të avangardave artistike vjeneze, të Jungendstil dhe muzikës dodekafonike, psikanalizës frojdiane dhe sigurimeve shoqërore, dhe vështirë se do pajtoheshin me një anglikan praktikant e konservator si Scruton ; Wittgenstein, së fundi, një nga dy kolonat e kësaj filozofie, çifut, mërgimtar, homoseksual dhe filosovjetik, ndërtoi një mënyrë filozofimi ku narrativa është e pandashme nga analiza (mjaft të lexosh Hulumtimet filozofike). Vetë Scrutoni, teksa studionte filozofi në Kembrixhin analitik, përndizej nga filozofia narrative e Sartreit, aq sa mërgoi në Francë të asistonte në revoltat e ’68-ës.

Këto janë vetëm disapak rikujtime të tipareve të filozofisë së quajtur « analitike », të marrë në shpalosjen historike të saj: si çdo histori idesh e rrymash ajo është e mbushur me konflikte, aleanca, tradhti, disfata dhe revanshe, mite, kundër-mite dhe ç’mitizime, golden boys të suksesshëm dhe fëmijë plangprishës, projektime në horizonte utopike, dhe rikthime për rishikimin e së shkuarës. Nga tërë kjo histori e gjallë, që rrënjoset në terrenin shumëshekullor të filozofisë, druajmë se kisha e re analitiko-anglikane me selinë në UET, siç lajmërohet me dogmatizmin, cektësinë, amatorizmin dhe anatemat e veta, do t’u servirë besimtarëve të detyruar vetëm një lëvozhgë unanime shenjash, si ato distinktivët simbolikë që jepeshin dikur në këmbim të një pune të papaguar. Dhe imazhi i filozofisë do të dalë ndër shqiptarë akoma dhe më i gjymtuar nga ç’është sot. Një gjë është pjesërisht e vërtetë, së cilës i mëshon më forcë narrativa e UET-it: se në braktisjen e përgjithshme masive të filozofisë, pa kurrfarë mbështetjeje dhe perspektive institucionale (kjo kalohet në heshtje), ky terren specifik është përgjithësisht i palëvruar (kjo theksohet me bujë). Në këtë zonë të shpallur Terra nullius UET ka vënë një gur radhë, dhe po gatitet ta rrethojë me gardh. Këtej e tutje, edhe filozofia analitike do të jetë « tokë e xanum », sipas metodës së mirëprovuar të tranzicionit !

Një departament i ri filozofie lajmërohet së shpejti në Tiranë. Lajm i mirë? Për UET-in, ndoshta. Në kushte të tjera, do të ishte lajm i mirë për filozofinë, për universitetin dhe për të gjithë shqiptarët.

***Master në filozofi

Paris, gusht 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *