Rendi fallik dhe totaliteti i tij

Postuar më: 16 September 2017 13:46

Konflikti simbolik është arsyeja e gjithë historisë, por jo historia. Historia tek e fundit janë marrëdheniet, konstitucionet, viktimat. Kurse simbolet janë ato që orientojnë rrugët. Por simbolet nuk burojnë vetëm prej ndonjë grupi fallik dhe jo një tjetri. Të gjitha grupet fallike kanë simbolikat e veta, dramat e veta, problemet dhe neurozat që burojnë nga kufizimi dhe detyrimi simbolik.

Nga Dr.Mimoza Ahmeti

Nëse i referohemi Matriarkatit, për të cilin nuk kemi shumë lëndë epistomologjike në përdorim, i mbetemi faktit që gratë ishin në qendër të organizimit, për arsye të veçorisë biologjike, që lindnin fëmijë; mund të themi pa frikë se ajo tipologji jetese nuk ishte fallike. Fallocentrizmi dhe logocentrizmi zenë vend me daljen e mashkullit në skenën primare, gjë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, madje edhe gratë që mund të bëjnë ato gjëra që bën një burrë, janë të vlerësuara prej centrizmit të fallusit apo të logosit, apo të ndonjë novacioni në lidhje me zhvendosjen por jo anullimin e tyre.

Në shoqërinë matriarkale ideja e babait nuk kish kuptim dhe fëmijët mendohet se qenë të të gjithëve. Që këtej  rrjedhoja konceptesh si tradhti bshkëshortore, bastard, divorc, etj jo vetëm që nuk ekzistonin, por edhe nuk krijonin kuptim.

Po çfarë është një sistem social fallik apo logocentrik?

Një sistem fallik qendër ka lidhjen e grupit, të gjakut, të besnikërisë seksuale dhe së fundmi të fetishizimit të seksit në kundërdallim prej dy termave të mëparshëm. Gjithmonë qendra kalon nëpër seksualitet si fuqi apo dominim.

Rrezja e grupimeve(konstitucioneve social politike) varet nga shtrirja gjeografike e grupeve njerëzore, fuqia ekonomike dhe interferenca, pasi ndërsistemi është një personalitet më vete, sipër nëndarjeve, që ndryshe mund të quhet totaliteti.

Diferencimet e ndryshme ndërmjet grupimeve bëhen në formën e simbolikave të cilat orientojnë aksionin në hapësirë virtuale të mendjes ku skanohet dhe jeton bota si njësi e si shumë.

Shuma nuk është e qetë. Disa elemente të shumës bien gjatë procesit dhe duke u ngushtuar loja që është edhe në të njejtën kohë kërkesë për zmadhim loje, dhe ajo që vihet në risk, janë simbolet.

Në kushte pak a shumë konstante apo në entropi lineare, të zhvillimit të ekonomisë, simbolika ka një qëndrueshmëri të mirë dhe bashkë me rendin e saj të gjitha energjitë apo rendet e tjera si logosi, etika, ligji, politika, i përmbahen rendit simbolik të paracaktuar.

Por në kushtet e stanjacionit ose të mbidinamikave ekonomike që kërkojnë të interferojnë me tendencë dominimi të njëjtën hapësirë potenciale zhvillimi, atëhere simbolika është pika nevralgjike mbi të cilën rëndon graviteti i ndërmarrëdhënieve, që në fund të fundit përkthehet si realitet i tensionuar i ndërsimbolikave.

Për të lehtësuar këtë peshë të simbolikave mbi sistemin ka dy rrugë: konflikti ose vetëdija.

Konflikti është më i lehtë por jo më i mirë.

Konflikti simbolik është arsyeja e gjithë historisë, por jo historia. Historia tek e fundit janë marrëdheniet, konstitucionet, viktimat. Kurse simbolet janë ato që orientojnë rrugët.

Por simbolet nuk burojnë vetëm prej ndonjë grupi fallik dhe jo një tjetri. Të gjitha grupet fallike kanë simbolikat e veta, dramat e veta, problemet dhe neurozat që burojnë nga kufizimi dhe detyrimi simbolik. Kështu e drejta për të jetuar në një sistem simbolik është e drejtë njerëzore, pasi e gjithë bota ku jetojmë është simbolike. Asnjë rend simbolik nuk mund të pretendojë humanizmin, pasi ai jeton në kundërdallim me rendet e tjera simbolikë dhe nuk ka si procedurë natyrën por shoqërinë, e cila është diferencim.

Në emëruesin total mund të kuptojmë se kemi një element tërësor të përbashkët: faktin që të gjithë kemi fallusin në qendër të kuptimit të botës dhe lidhjet me më të afërmit si dhe tjetrin; kur vjen puna për interesin material, të gjithë jemi të interesuar që ai të ecë më së miri.

Sipas Lakan, i cili qe ndër të parët që analizoi rendin fallik, ne të gjithë jemi produkte historike, domethënë kreatyra simbolike, që u hartuan nga tjetri, si pararendës (baba) ose si bashkëkohës (vëlla).

Por në të njëjtën kohë ne jemi në lidhje varësie me tjetrin edhe si kundërshtar, tjetri që nuk e kemi në simbolikën tonë si vetvete, por e kemi si kundërdallim. Shikojmë që edhe tjetri ka një tjetër baba dhe një tjetër vëlla. Shikojmë që edhe ai ka interes që ekonomia t’i eci bukur.

Kapitali dhe ekonomia nuk pret anticipimet e rendit simbolik, por edhe nëse pret apo ka pritur, vihet re një reaktim kundrejt elementit simbolik dhe logocentrizmit të grupit në dallim interesi.

Zhvillimet më të mira ekonomike kanë bërë që simbolikat të bien vetvetiu, që ato edhe kur kanë qenë të rëndësishme më parë, të bëhen më pak të rëndësishme ndërkohë.

Proceset e latencit (vonesave per arsye konstitucionale, apo psikologjike dhe po ashtu në nivel grupimesh e sistemesh) janë jo vetëm elemente ndërtimi në vijimësinë e grupimeve dhe sistemeve ne nivel determinimi, por edhe shkak konflikti nëse latenci i njërës palë nuk favorizon palën tjetër për vijimesi. Por ato edhe mund te manaxhohen qe vijimësia dhe rendi në kompletësi të ruhet.

Këtu duhet të vemë në dukje se koncepti i latencit, pra i vonesës, nuk është veçse një perceptim në lidhje me më të shpejtin, si person, si sistem apo grupim. Pra ky është një koncept që gjen kuptim në një botë kompetitive dhe ai që krahasohet në fund fare është njeriu, interesi, forca.

Kjo është edhe esenca e botës fallike. Po a duhet të krahasohet njeriu?

Njeriu nuk duhet të krahasohet. Njeriu duhet të ndihmohet. Por cilat janë rrugët për të dalë nga krahasimi te ndihmimi?

Është e vështirë të gjesh këto rrugë pa pasur kushte. Kushtet janë jo vetëm materiale por edhe mentale.

Kushtet mentale të Perëndimit që përgatitën edhe diferencimin, (për të mbyllur atë diferencë që njeriu kishte me natyrën), pra ato kushte mentale që ndërtuan shoqërinë moderne,kanë nxjerrë përfundime se rendi fallik e ka mitin në qelizën e vet fillestare burimore, që është familja, besnikëria seksuale, interesi parësor ndaj times dhe tonës.

Natyrisht, kushtet mentale ecin ngadalë. Format mentale janë jetëgjata dhe nuk pasqyrojnë realitetin imediat të njeriut. Është kjo arsyeja që pastaj ky realitet imediat transferohet në zonat më të dobëta të rendit fallik, për t’u bërë arsye (reason) nëpërmjet kofliktit. Por secili subjekt që jeton një jetë, kudoqoftë ai, e konsideron veten qytetar të një bote të përbashkët dhe kërkon prej saj të drejtën sikur ajo t’i përkiste së tërës me të njëjtin funksion ndërtimi. Nga kjo pikëpamje njeriu me fatin e tij dhe bota totale nuk kanë pajtim, derisa edhe më i fundit njeri të mos ketë të njejtën vlerë me të tjerët që si subjekt imanentesisht e ndjen që e ka.

Diskutimi i rendit fallik si temë dite mund t’i hapë tjetër perspektivë ekonomisë dhe qytetërimit, pasi vetëm nëpërmjet konsiderimit të tjetrit mund të ulet tensioni simboloik (për terma ekonomikë).

Sigurisht, lëvizja është graduale, kuptimi gjithashtu gradual, krijimi i ontologjive të reja gradual.

Për Lakan, frustrimi i botës simbolike është dhe dhunë psikologjike. Normalisht kështu edhe është. Por totaliteti vepron me kundërdiagrama që ndoshta përpiqen pikërisht të ruajnë simbolikën fallike të rendit në tërësi dhe logocentrizmin për të cilin pastaj, disa pjesë frustrohen, në terma të shifrave që duhet të mbeten konstante ose në rritje, që në kompletësinë totale struktura fallocentrike të ruhet.

Shumë procese ecin breda procesit total, në mënyrë të paidentifikuar, për arsye të ndërgjegjësimit apo thjesht të ruajtjes së latencit. Megjithatë bota e sotme është në përparim të vazhdueshëm jo vetëm prej përsosjes së intelektit, por edhe të injorancës, me të cilën një shumicë e madhe njerëzore takohet me intelektin e zhvilluar, apo kulturën fuqi, gjë që i jep jo vetëm një personalitet tjetër Kulturës finalizuese të signa- datës përditore, por krijon mundësi e rrugë të reja që kultura e vjetër nuk i njeh, pra më shumë tolerante, favorizuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *