Mesazhi i Ramës për Azem Hajdarin dhe fjalimi i ndjerë i Pashkos

Postuar më: 12 September 2017 11:00

Nga Luljeta Progni

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të përkujtojë përvjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit me një mesazh në rrjetet sociale.

“Kënaqësi që sot në sallën e Kuvendit, karrigia e Azem Hajdarit nuk ështē më bosh! I uroj të bijës të jetë një zë i denjë i brezit të saj”, shkruan Rama nga Kuvendi.

Ndërkohë ishte qershori i vitit 1992 kur PD kishte hyrë në një fazë zhvillimesh të rëndësishme brenda saj.

Tre muaj më heret kishte fituar mazhorancën absolute në zgjedhjet e 22 marsit.

Por vetëm pak muaj më pas do të niste beteja mes grupeve kundërshtare në PD.

Në atë luftë politike do të përfshihej edhe Azem Hajdari.

Ishte një ndër më të sulmuarit nga turmat e bindura të kryetarit të PD-së Sali Berisha.

Hajdari ishte nisur drejt Amerikës ndoshta edhe me mendimin për të mos u kthyer në politikën shqiptare.

Ishte 22 qershori i vitit 1992, kur Garmoz Pashko bëri një deklaratë në Kuvend, ku e cilësoi ikjen e Hajdarit si atë të Kadaresë.

Azem Hajdari e Gramoz Pashko janë dy prej themeluesve të rëndësishëm të PD-së. Ata nuk jetojnë më. Hajdari u vra në një atentat më 12 shtator 1998, para oborrit të PD-së.

Ndërsa Gramoz Pashko ndërroi jetë në nëj aksident tragjik në korrik të vitit 2005.

“Mapo” sjell dy pjesë nga fjalimet e Pashkos në mbrojtje të Azem Hajdarit kur ai sulmohej nga PD, partia që vetë kishte themeluar.

Ka një moment interesant në fjalimin e Pashkos kur thotë se: “Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp”.

 

Qershor 1992

Gramoz Pashko – “Unë desha të dal pak nga tema. Desha të përfitoj nga rasti se rastësisht ndodhem i ulur në një karrige që mbase s’është karrigia ime.

Sot pata rastin të përcjell për një periudhë të pacaktuar kohe një nga figurat më të shquara të demokracisë në Shqipëri, zotin Azem Hajdari, i cili u largua për disa kohë nga Shqipëria.

Të më falin zotërinjtë, po diskutohet Kosova, por unë dua të diskutoj Azem Hajdarin dhe nuk lejoj askurrkënd të më ndërpresë. Pa Azem Hajdarin, 92 deputetë që janë në krahun e djathë të kësaj salle nuk do të ishin këtu. Është një nga tribunët më të shquar të Partisë Demokratike, një nga djemtë, studenti ynë që mësoi pedagogët se ç’është demokracia.

Desha të them se titujt dhe gradat tona të kujtdo që janë këtu, vlejnë shumë më pak nga ai leksion demokracie që Azem Hajdari me djemtë e tij, na dha neve të gjithëve.

Unë desha të shpreh me emocion këtë fakt që do ta ndiejmë mungesën e tij të gjithë ne bashkë. Unë e quaj ikjen e Azem Hajdarit njësoj si ikjen e I. Kadaresë në tetor të vitit 1990.

Nuk e di kur do të kthehet. Unë isha me të në aeroport, të mos dëgjoj pëshpëritje nga prapa dhe nuk më tha se kur do të kthehej, siç kam qenë me të në datën e 9 dhjetor të vitit 1990.  Azem Hajdari do të na mungojë për një farë kohe, duke na dhënë një leksion demokracie me mungesën e tij. Ftoj këtë parlament të duartrokisni për Azem Hajdarin, sepse ndryshe ne nuk do të ishim këtu”.

Ajo çfarë ndodhi është se askush nuk e shoqëroi Pashkon në atë duartrokitje nderimi për heroin e demokracisë shqiptare.

Pak muaj më pas Azem Hajdari u kthye në Shqipëri dhe gjeti ende të nxehtë luftën politike brenda PD-së. PD vendosi t’i heqë imunitetin Hajdarit pasi akuzohej se kishte dhunuar fizikisht një zyrtar të administratës së PD-së.

Është një tjetër moment kur Gramoz Pashko e mbron Hajdarin në një fjalim të shtatorit të vitit 1992, kur PD kishte vendosur t’i heqë Hajdarit imunitetin.

 

Shtator 1992

Gramzo Pashko- “Azem Hajdarin unë e kam njohur që në natën e parë. Më ka thirrur në mes të natës, jemi takuar në godinën e studentëve, sipër, dhe Azem Hajdari është ai të cilit i dedikohemi shumë. Unë mund të kem divergjenca me zotin Hajdari, mund të kem mendime të ndryshme nga ai, por më duket se këtë radhë çështja nuk është se zoti Hajdari po atakohet për mendimet e tij, çështja po shtrohet jo se Hajdari po atakohet sepse ka një ideologji të caktuar. Mua më duket se çështja e fyen atë dhe na fyen të gjithëve ne, ai po atakohet si person. Me të drejtë u tha që Azem Hajdari po atakohet për një çështje krejtësisht ordinere. Dhe nuk do të jetë në nderin tonë që të dënojmë një nga nismëtarët e demokracisë shqiptare për një çështje krejtësisht ordinere.

Imagjinoni disa vjet më pas, kur të shkruhen këto gjëra në shtyp.

Kjo do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne që jemi këtu në këtë sallë. Unë shpreh edhe një herë votën time kundër heqjes së imunitetit”.

1 koment për këtë artikull
  1. Ismailkadarea si Azemhajdari at 8:16 pm

    Nuk di se si do te ndjehet me i famshmi i shqiptareve franko-file, Ismail Kadare,
    teksa veren se miku i tij me vile ne mes te Bllokut, Gramoz Josiph Pashko, e krahason Ismail Kadarene me Azem Hajdarin…

    Azemi u shfaq teksa Ismaili mori rrugen e ekzilit. Mbase kjo eshte sepse-ja qe Pashko e quan vazhduesin/ shembelltarin e Ismailit.

    Azemi kishte plus mbi Ismailin, se u nise per ne USA, jo ne Paris, dhe u kthye pas pak muajsh, per te vazhduar sherbimet e tij pluralistike…

    Pashko iku, pas Azemit, dhe deshmia e fundit pritet prej Ismail Kadarese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *