Natsume Soseki: “Kokoro” ose loja e pasqyrave të zemrës

Postuar më: 23 September 2017 13:46

Marsel Prust e kishte zakon të shprehej që çdo lexues kur lexon një libër, është duke lexuar vetveten. Libri është instrumenti përmes të cilit mund të depërtohet në ndijimet, mendimet, sekretet dhe fshehtësinë e vetes sonë. Kjo ndodh me leximin e librit “Kokoro”, të botuar nga “Ombra GVG” dhe të sjellë në shqip nga përkthyesi Pirro Dollani

Nga Eris Rusi

Marsel Prust e kishte zakon të shprehej që çdo lexues kur lexon një libër, është duke lexuar vetveten. Libri është instrumenti përmes të cilit mund të depërtohet në ndijimet, mendimet, sekretet dhe fshehtësinë e vetes sonë. Kjo ndodh me leximin e librit “Kokoro”, të botuar nga “Ombra GVG” dhe të sjellë në shqip nga përkthyesi Pirro Dollani. Që në parantezë të librit, lexuesi shuan kureshtjen e këtij titulli të veçantë, të ruajtur nga origjinali jo vetëm në përkthimin në shqip, por edhe në përkthimet e bëra në gjuhë të tjera.  “Kokoro”, që në japonisht do të thotë “zemër” është një përmbajtje e brishtë e dallimeve ndërmjet kuptimeve që i japin asaj palët e ndryshme të përfshira në një marrëdhënie. Nga kjo mund të pritet që çdo lexues t’i japë një domethënie të veçantë simbolit të zemrës, të shohë tek ky simbol një miqësi të ngrohtë e të gjatë, një dashuri  plot pasion e përkujdes, por edhe vuajtje, mëri, largim, harresë, plotërinë e ndjenjave dhe dëshirave që mbyllen brenda kësaj fjale.

Pas kësaj, vjen leximi. Ky nis me një kredhje të qetë e të ëmbël në ujërat e moshës djaloshare, faqet e para janë një pasqyrë idilike e rinisë, ku çdo mendim është refleks i kuriozitetit dhe i sinqeritetit. Të rinjtë duket se i dinë të gjitha, i kanë të hapura dritaret e shpresës me të dyja kanatat dhe koha e keqe e shtrëngatat nuk sjellin drithërima frike, por shijohen si kapriçiot e një moti ku shumë shpejt do të shkëlqejë dielli. Të rinjë nuk mendojnë që një ditë do të vdesin, të rinjtë nuk i lodh e keqja, nuk i sfidon rutina, të rinjtë në çdo kohë dhe në cdo vend janë shkreptima plot dritë e zhurmë që paralajmërojnë pasionet e tyre.

Kështu ka qenë në çdo jetë dhe letërsi të mirë, kështu është edhe në rastin e “Kokoro”. Protagonsiti i tekstit është një student i zhvendosur larg shtëpisë, i shkëputur nga fshati i tij i largët në qytetin e jetës plot gjallëri me lëvizje. Kushdo që do të ishte në vendin e tij, do të prekej sadopak nga simptomat e pashmangshme të vetmisë, në kërkim tëpërshtatjes dhe gjetjes së zërave që mund t’i bëjnë shoqëri kalimit të orëve dhe ditëve.

Protagonisti në mënyrë instinktive e gjen përgjigjen e këtyre pasigurive tek figura e një njeriu që i imponohet me praninë e tij që herën e parë që e sheh. Këtë njeri vendos ta thërrasë “Sensei”, që përkthehet “mjeshtër”, “mësues” dhe mund të gjendet tek kjo figurë roli i atij që udhëheq dhe jep shpjegim për çdo pasiguri.

Në jetë tërhiqemi kryesisht nga e pashpjegueshmja dhe ajo që ngjall mister, që nuk mund të deshifrohet lehtë, i tillë është personazhi i Senseit” dhe kështu mbetet për një kohë të gjatë në libër. Kemi djaloshin dhe mësuesin, por jo në marrëdhënien klasike të atij që dëgjon dhe të atij që shpjegon, “Kokoro”, është një mënyrë krejt e veçantë si mund të afrohen dhe të lidhen shpirtërisht dy njerëz me njëri-tjetrin. Djaloshi këmbëngul për të fituar miqësinë, prek çdo ditë e nga pak rrugën që shtrohet deri në zemrën e Senseit, kërkon të fitojë miqësinë dhe besimin e tij, duke dhënë pa kushte miqësinë dhe besimin vetjak.

Nëse tek i riu ne gjejmë atë rrëmujë të këndshme në ndijime, lëvizje, veprim, mendime, që mund ta prekim edhe te kujtesa e vetes sonë kur ishim të rinj, ndyshe ndodh me Sensein. Duket sikur mësuesi është mishërim i jetës së vërtetë, i botës reale, të mbushur me kurthe dhe hipokrizi, me goditje të pabesa dhe gënjeshtra që thuhen qetësisht, duke e parë tjetrin në sy.

Hendeku është shumë i madh mes këtyre dy realiteteve. Sinqeriteti i djaloshit është gati naivitet, ai beson dhe kërkon, bën përpara dhe nuk mendohet të ndalë dhe të kthjellojë mendimet, apo të peshojë të mirat dhe të këqijat që i pengohen nëpër këmbë cdo ditë.

Sensei është jeta e heshtur, njeriu i mbyllur në vetvete, i cili di, por nuk dëshiron të flasë. Gjestet dhe veprimet e tij janë të msitershme. Kapricioja e vetme që i toleron sjelljes, është miqësia me djaloshin. Ky djalosh i habitshëm, kokëfortë, kombëngulës, që nuk i shqitet dhe bëhet pjesë e jetesës së tij, duke u miqësuar dhe depërtuar edhe brenda shtëpisë.

Libri atëherë merr trajtat e një pasqyre të dyfishtë: Sensei shikon tek djaloshi veten e tij të ri, peshkon në syprinën e qelqtë të mirën dhe të bukurën që kujtonte se i kishte humbur një herë e përgjithmonë prej vetes. Pikëllohet nga kjo, por edhe ngazëllehet. Futja e djaloshit në jetën e tij, ngatërrii i përditshëm i tij me gjithcka që Sensei bën e vepron, është kënaqësi e mirë, e dëshirueshme. E ëmbla rini, që mund të të shoh sërish nga afër. Sa më kujton veten time, sikur thotë Sensei në faqe. Kështu, nis e vendoset rregull edhe në botëkuptimin e lexsuesit. Ky mund të shohë tek djaloshi reflekse të moshës rinore të tij, e më tej të parashikojë tek figura e Senseit si do të jetë ai në moshën e ardhme. Është vetëm një parashikim, por ngjan mrekulli kur mund t’i prekësh përmes leximit të dyja këto gjendje.

Pjesa e dytë e librit ka nëntitullin “Unë dhe prindërit”, djaloshi kthehet në familjen e tij në mënyrë të vazhdueshme, babai i tij është njeri i thjeshtë, i paditur, i padalë, sic janë të gjithë prindërit në sytë e të rinjve që kujtojnë se i dinë ose i kanë jetuar të gjitha.

Babai i tij është i sëmurë, mendon për vdekjen, i bën bisht asaj. Sic janë të gjithë prindërit tanë të dobët, të gjunjëzuar, të trembur nga hija e madhe e ditëve që nisin të kenë shterrim. Kjo pjesë e dytë është vijimësi e sinqeritetit, si një ndjenjë e cila zë hapësirën më të madhe në zemrën e protagonistit, por dhe në marrëdhënien që ai vendos të krijojë me Sensein. Ku ka sinqeritet, padyshim do të gjendet edhe fshehje e tij.

Loja e pasqyrave të dyfishta rifillon sërish, e nëse në pjesën e parë kishim raportin jetë djaloshare – jetë reale, në të dytin kemi marrëdhënien sinqeritet- mosbesim.

Në hullitë e familjes, jeta e cilitdo që kthehehet nga larg e pas një kohe të gjatë, duket e ngushtë, gati e huaj, e asgjë nuk mban më aromën e mirë të gjerave të dikurshme, por tejshkohet nga drithërima të ftohta, që mund të kumbojnë të huaja.

Jemi brenda zemrës, qëështë dhe shtëpia e reagimeve të djaloshit kur kthet në shtëpi, e dhoma më e vogël, e pluhurosura, hapet kur mbërrin në familje dhe kërkon të rigjejë edhe njëherë lidhjen e fortë me të shkuarën dhe familjen e tij. Kjo lloj marrëdhënie, ndërpitet përkohësisht nga ilustrimi, në pjesën e tretë dhe të fundit, me nëntitull “Testamenti i Senseit”. Kjo pjesë mund të quhej edhe kambana e përgjegjësisë, tingujt e së cilës bien përherë kundrejt atyre që ne duam. Por edhe të atyre që i kemi armiq. Rastësisht ose jo, secila jehonë, ka një interpretim dhe të kundërtën e tij. Ting, sinqeritet. Ting, fshehje e tij. Sensei rrëfen për veten, por është i ndërgjegjshëm që në një testament njeriu  nuk mund të vihet më në kërkim të së vërtetës, por duhet të bëjë llogaritë me të.

Shohim të rrjedhë si shi rrëfimi në këto faqe, e nëse në kujtimet e Senseit nga rinia e tij, bota dukej e ëmbël dhe e pastër, eshiu ishte freski, më vonë, në rritjen e pashmangshme, shiu jo vetëm që nuk ushqente, por përmbytte dhe i mbushte me llum e baltë të gjitha kthinat e ekzistencës.

Kjo pjesë, më e rëndësishmja në libër, zbërthen domethënien e dashurisë, por edhetë humbjes së saj. Dashuri për familjen, për mikun, për gruan, por edhe tradhti e familjes, e mikut, e gruas, pashmangshmërisht. Të bën përshtypje në këtë lexim, fataliteti i botëkuptimit japonez. Njerëzit që pësojnë zhgënjime në jetë, ata që përballen me padrejtësi dhe e ndjejnë që po gjykohen gabim, nuk i nënshtrohen frikës, për ta vdekja nuk ka maskën e gjykimit me harresë, por vjen si një sfidë që përballohet. Me vetëvrasje. Kemi dy të tilla në tekst, e në cdo rast, kur kambanat bien si sinjal tragjik, ajo që mbetet është zemra. KOKORO, ose, pasqyrat dyfishe të saj,

*Pedagog, Universiteti Fan S. Noli, Korçë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *