Kushti i lirisë si kusht i njeriut

Postuar më: 13 September 2017 08:49

Nga Viliem Kurtulaj*

Gjatë gjithë historisë së tij, njeriut i është dashur të përballet pareshtur me sfida të çdollojshme. Që në fillim ai u përball me sfidën e caktuar nga Zoti për mosngrënien e frutit të ndaluar, mollës. Dhe që në fillim njeriu nuk ia doli ta kalonte sfidën sepse e theu urdhrin e Zotit. Apo ndoshta pikërisht me këtë veprim njeriu e kaloi sfidën?! Faktikisht ky veprim e bëri njeriun prej fillimit qenie të lirë duke i treguar dhe vetë Zotit që ai është i lirë dhe është në natyrën e tij të veprojë si i tillë. Dhe si qenie të lira njerëzit ja kanë dalë që nga fillimi i historisë deri sot.

Vetëm në kushtet e lirisë njeriu e zhvillon dhe siguron jetën e tij në mënyrë të qëndrueshme. Sigurisht, këtu e kam fjalën për njeriun si qenie politike dhe historike dhe jo thjesht si qenie biologjike. Nietzsche shkruante për mendimet e lira: “Njerëzit që kanë mendime të lira, që jetojnë në sajë të një fushe diturie, e gjejnë lehtë qëllimin e brendshëm të jetës së tyre, qëndrimin e tyre përfundimtar në shoqëri dhe në shtet… sepse ata e kanë ndërtuar jetën e tyre në atë mënyrë që, edhe përmbysjet e mëdha të kushteve të jashtme dhe madje dhe përmbysjet në jetën politike, të mos kenë mundësi t’i përmbysin.” Në realitetin shqiptar një pjesë e shoqërisë vepron duke e injoruar krejtësisht konceptin e lirisë. Kjo lloj qasje i bën ata të mendojnë se militantizmi dhe servilizmi partiak janë mënyrat sesi duhet zhvilluar dhe siguruar jeta. Duke u përpjekur ta sigurojnë jetën si qenie jo të lira, pra jo në përputhje me natyrën e tyre si njeri, ata e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë duan dhe të gjejnë qëllimin e tyre në jetë. Jeta e tyre është e siguruar aq kohë sa partia është në pushtet dhe iu siguron atyre një punë.

Njeriu kur vepron si i lirë e gjen gjithmonë veten, kudo. Në regjimet diktatoriale njeriu i lirë e jeton veten te diversanti apo antagonisti. Në regjimet autoritare e gjen veten te protestuesi. Ndërsa në regjimet e mirëfillta demokratike, e gjen veten te suksesi dhe jo vetëm. Si pasojë, asnjë pushtet nuk e mposht dot, sepse nën kushtin e lirisë individët dhe shoqëritë janë të paparashikueshëm edhe nga pushteti.

Historia iu përket atyre që e bëjnë atë, dhe vetëm njerëzit apo popujt e lirë e bëjnë historinë. Pra, vetëm si njeri i lirë mund të jesh pjesë e botës dhe historisë. Asnjë skllav nuk është bërë pjesë e historisë si i tillë. Skllavi mund t’i përkasë historisë atëherë kur vendos të mos jetë më skllav. Edhe diktatorët më të mëdhenj të Botës si Stalini, Hitleri, Mao Zedong, etj, pavarësisht se robëruan popuj apo vranë miliona njerëz, u bënë pjesë e Botës dhe e historisë sepse ata vetë ishin njerëz të lirë dhe vepruan si të tillë, pavarësisht se veprimet e tyre ishin të gabuara. Ndërkohë popujt që ishin nën robëri u bënë pjesë e Botës atëherë kur vendosën të mos jenë më të tillë. Gjermanët e Gjermanisë Lindore u ribënë pjesë e historisë në vitin 1989 kur vendosën të ishin njerëz të lirë.

Gjithashtu dalja e gjeniut ndodh vetëm atëherë kur ai është i lirë. Vetëm te njeriu i lirë mund të lindë gjeniu. Nietzsche e krahason daljen e gjeniut me të burgosurin, i cili me mprehtësinë e tij zgjedh mjetet për të dalë në liri. Sipas Nietzsche-s, natyra, për të lindur gjeniun, e fut atë në qelitë e saj të errëta dhe e nxit deri në kulm të kërkojë lirinë. Liria nuk është thjesht një mundësi zgjedhje për njeriun, është kushti për të qenë i tillë.

*Pedagog UET

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *