Kambana e qelqtë e Sylvia Plath

Postuar më: 23 September 2017 13:51

Këto kohë shtëpia botuese PEGI ka nxjerrë në qarkullim, në koleksionin gjithnjë tërheqës e befasues Lotus romanin Kambana e qelqtë të shkrimtares amerikane Sylvia Plath. Sylvia Plath është poete, romanciere dhe tregimtare. Ajo lindi më 27 tetor 1932, në Boston SHBA dhe vdiq, duke kryer vetëvrasje, më 11 shkurt 1963, në Angli.

Nga Diana Çuli

Këto kohë shtëpia botuese PEGI ka nxjerrë në qarkullim, në koleksionin gjithnjë tërheqës e befasues Lotus romanin Kambana e qelqtë të shkrimtares amerikane Sylvia Plath.

Sylvia Plath është poete, romanciere dhe tregimtare. Ajo lindi më 27 tetor 1932, në Boston SHBA dhe vdiq, duke kryer vetëvrasje, më 11 shkurt 1963, në Angli. Vjen për herë të parë në shqip, por historia e dhimbshme e depresionit të saj, martesa me poetin e famshëm Ted Hughes, me siguri është ndjekur nga mjaft teleshikues në filmin e njohur biografik të regjisores Christine Jeffs, me aktorët Gwyneth Paltrow dhe Daniel Craig në rolet kryesore.

Plath-i u vlerësua që herët nga kritika për poezinë e saj origjinale, të përmbledhur veçanërisht në dy vëllimet The Colossus dhe Other Poems. Në vitin 1982 fitoi dhe çmimin Pulitzer (pas vdekjes) për Collected Poems.

Romani i saj i vetëm Kambana e qelqtë (The Bell Jar) është gjysmë autobiografik, me emra vendesh dhe personazhesh të ndryshuar dhe u botua në janar 1963 (një muaj para vdekjes) nën pseudonimin letrar Victoria Lucas e u prit në fillim me shpërfillje të madhe nga kritika.

Jemi në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Mund të jesh e zonja, e zgjuar, e ndjeshme, e shkëlqyer – asgjë nga këto nuk ka rëndësi, shoqëria e cakton vetë rolin që duhet të luash në të. Duhet të jesh e shëndetshme, bashkëshorte e përkushtuar, nënë e mirë, shtëpiake e mirë, ndoshta dhe budallaqe, tërheqëse, e veshur mirë. Po të mos përkosh me këtë model, nuk je e përshtatshme për jetën që të pret. Por, ky rol të rri i ngushtë. Ndihesh sikur je brenda një kambane prej qelqi, e kyçur, pa hapësirë jetike, pa ajër.

Sylvia Plath e ndjen se midis asaj që është ajo vetë dhe asaj që pritet prej saj nuk ka përputhje, prandaj dhe ndoshta ajo kërkon, përmes depresionit, ikjen, vetëvrasjen, qëkur është njëzet vjeç. Veprim që e kryen kur mbush 31.  Në këtë roman, pra, autobiografik, ku Sylvia përshkruan jetën e një vajze, Esterit, që është dhe alter ego-ja e saj, të bën përshtypje të madhe stili i autores. Në roman nuk sundon një klimë e zymtë, shtypëse dhe e pashpresë. Përkundrazi, ajo është përfshirëse, nuk ka dëshpërim, është e qetë, gati gati në paqe. Megjithë sëmundjen mendore të depresionit, atmosfera nuk është e deformuar, as e mbyllur, por e hapur, ironike e herë herë cinike. Duke folur përmes gojës së Esterit, Sylvia rrëfen ankthet e makthet e saj, marrëdhëniet me të ëmën, seksin, herën e saj të parë, përvojën në spitalin psikiatrik, elektroshokun, refleksionet mbi vetëvrasjen, depresionin, poezinë, zilinë.

Sylvia Plath flet për veten e saj. Por, libri dhe subjekti merr një përmasë universale dhe aktuale e, për këtë arsye, ky libër është një thesar i vërtetë. Personazhi i Esterit pyet vazhdimisht veten për kuptimin e jetës, për pengesat e shtrëngesat e saj, që shpejt na duken edhe tonat. Ester Greenwood, studente e shkëlqyer, nëntëmbëdhjetëvjeçare kërkon të gjejë vendin në Amerikën e pamëshirshme, borgjeze e makartiste të viteve pesëdhjetë. Me stilin që përmendëm më sipër autorja përshkruan me një thjeshtësi të akullt tabutë absurde që shkatërrojnë rininë e parë të njerëzve, në ingranazhin dërmues të një normaliteti që e injoron poezinë.

Romani është shkruar në vetë të parë dhe shpjegon në një mënyrë tmerrësisht të sinqertë se çfarë do të thotë të jesh nëntëmbëdhjetë vjeç në vitin 1953 dhe të duash t’i marrësh gjithçka jetës, por detyrohesh të zgjedhësh midis shkrimtarisë, rolit të nënës e të gruas apo jetës në Europë pa një partner.  Këto janë disa nga fantazitë e Esterit, të cilat nuk ia kuptojnë as nëna, as mikja e saj Dorini, as burri i ardhshëm. Gjithçka fillon të marrë rrokullimën dhe Esteri ndihet si në grackë në shtëpinë e së ëmës, në pushime. Përmes Esterit, Sylvia Plath tregon me një stil ironik dhe të përmbledhur të gjitha përpjekjet e ngathta për vetëvrasje të protagonistes që korrespondojnë me të sajat, të ndjekura dhe nga periudha qëndrimi në spitale psikiatrikë. Autorja ka meritën se ka mundur të prekë, në një roman të vetëm, shumë tema të rëndësishme të jetës

Po përse ia ka vënë autorja titullin romanit Kambana e qelqtë? Sylvia e dinte se kambana e qelqtë mund të rikthehej në çdo çast. Dhe, për fat të keq u kthye, por nuk mundi ta pengonte këtë perlë letrare – që është ky roman – t’i dorëzohej botës për të na ndihmuar ta kuptojmë këtë botë me fjalët e saj inteligjente. Romani i Sylvia Plath-it është një vepër e fortë, me përmbajtje të madhe dhe me karaktere të fortë. Kërkimi i vdekjes, i përçuar  përmes zërit të Esterit, mundëson që teksti të marrë tonet e një kërkimi të vertëtë të brendshëm, jo vetëm të protagonistes Sylvia/Esther, por edhe të lexuesit që nuk mund të mos fillojë të pyesë veten edhe ai për kuptimin e jetës dhe për dogmat e saj – kontradiktore ose jo – të vendosura mbi ne të gjithë nga shoqëria, në cilëndo fazë të zhvillimit të saj.

Romani ka ardhur në gjuhën shqipe nga Davjola Ndoja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *