Intervista: Fevziu rrëfen ‘Opinionin’ dhe librin e ardhshëm

Postuar më: 17 September 2017 09:41

Nga mbrëmja e fundit të gushtit 1997 deri te 20 vjetori i “Opinion”. Shkrimi i parë, emisioni i parë “live”, libri i parë, numri i intervistave, numri i të ftuarve, numri i emisioneve, numri i librave të botuar, shitjet e tyre e shumë  rekorde të tjera. Rrëfimi i gazetarit për rrugëtimin 27 vjeçar

Nga Luljeta Progni, Revista Mapo

Mbrëmjen e fundit të Gushtit 1997, në një studio modeste pa kamerat me karel e spotet e shumta të ndriçimit, pa monitorët super të mëdhenj, pa grafikët e kompjuterizuar, pa antena të mëdha e pajisje dixhitale, pa transmetime në “Full HD”, pa internet e celularë, pa shkopin magjik drejtuar të ftuarve… filloi rrugëtimin emisioni televiziv më jetëgjatë në Shqipëri “Opinion”, drejtuar nga Blendi Fevziu. Sot, pas 20 vitesh nga emisioni i parë, Fevziu e rikthen atë mbrëmje, duke improvizuar edhe njëherë studion, me të ftuarit e tij të parë edhe pse asgjë nuk është më si atëherë. Në karrigen e deputetit të vrarë Azem Hajdari është ulur e bija, Rudina. Më tej Luan Hajdaraga, kryetar i Komisionit të Rendit dhe SHIK-ut në atë kohë dhe Neritan Ceka, që ishte Ministër i Brendshëm. Përballë është sigurisht Blendi Fevziu.

Kështu nis maratona e festës së këtij përvjetori, me një video të 31 gushtit të vitit 1997, transmetimin e hyrjes së emisionit “E diela Debat”, që më vonë mori emrin “Opinion”.

Në monitor shfaqen  imazhe me ngjyra disi të zymta që përcjellin atmosferën e atij viti të mbrapshtë për Shqipërinë. ..”Mirëmbrëma” e thënë me një farë frike që duket se vjen prej dritave të kuqe të kamerave që janë ndezur për të transmetuar një debat për ç’armatosjen e Shqipërisë,  drejtpërdrejt në studion numër 1 të Televizionit Publik Shqiptar….Nuk duket aq i zhdërvjellët dhe herë pas here ka nevojë të shohë skaletën. Është Blendi Fevziu dhe hera e tij e parë në ekran para 20 vitesh. Ka ndryshim shumë të madh dhe është e natyrshme.

Një rrugë e gjatë, përmes së cilës Blendi Fevziu tregoi pushtetin e vërtetë të medias, për faktin e thjeshtë se arriti të bënte studion e “Opinion” arenën më të ndjekur të debatit në Shqipëri.

Aty duan të jenë të gjithë: kryeministra, presidentë, ministra, njerëz të pushtetshëm, artistë, sociologë, biznesmenë… . Sepse aty dëgjohesh e shihesh më shumë, promovohesh dhe fiton statusin e figurës publike. Dhe të gjithë këta shkojnë e vijnë, ndërsa “Opinioni” i Fevziut mbetet aty, duke rritur vazhdimisht pushtetin. Është pushteti mediatik.

“Nuk di të them nëse Fevzo është gazetari më i mirë në Shqipëri, por më duket se është më i ndjekuri. Për shembull në universitet shumica e studentëve të gazetarisë, kanë model shqiptar frymëzimi Blendi Fevziun….Popullariteti që ka krijuar me “Opinion”, ku të rinjtë siç rrallë ndodh në botë, janë nga ndjekësit më aktivë, them se ka ndikuar që ne shqiptarët të vazhdojmë të jemi kaq të lidhur pas emisioneve politike.

Por mendoj se Fevziu i ka dhënë zë çdo çmendurie politike dhe deri tek muhabetet e kafeneve, për hir të audiencës. Nëse e marrim si model suksesi patjetër që është  më perfekti, duke marrë parasysh që ka aftësinë që të transmetojë përmes televizionit një karakter të thjeshtë. Me sa kam kuptuar, politikanët e akuzojnë se nuk është i pavarur dhe anon, publiku e ndjek masivisht sepse ndoshta e sheh si neutral kur bën pyetje të guximshme. Pra ka marrë atë që do çdo gazetar. Të ndiqet dhe të kuptohet ashtu si ai do”. Është ky një opinion krejt i sinqertë e pa asnjë ndikim nga një gazetare e re, por shumë e talentuar. Rashë dakord me të që mos ia publikoj emrin sepse dihet, ose do thonë për të “po i bën furça Fevzos”, ose mund të thotë Fevziu: “Është herët për të vlerësuar kur sapo ke dalë nga auditori…”, e “ose” të tjera.

Gjithsesi, mu duk më i godituri  nga reagimet e disa gazetarëve të rinj që i ftova në këtë bashkëpunim në tekstin që i paraprin një interviste mjaft interesante të Blendi Fevziut për Revistën “Mapo”.

Si çdo gazetar i famshëm Fevziu ka ndoshta edhe numrin më të madh të kritikëve, madje nga të gjitha pozicionet: që nga divani i shtëpisë, deri tek kolltuku i kryeministrit.

Kryeministri Rama përpiqet ta sulmojë vazhdimisht sa here ndeshet me të në Opinion. E ka cilësuar dikur si “salloni mediatik” apo “Dhoma e dytë” kur Berisha ishte kryeministër. Ndërsa vetë Berisha e ka braktisur “Opinionin”. Prej pesë vjet që nuk shkon aty pas “sherrit” që ka nisur për një intervistë në janar të vitit 2013. Më herët, Berisha ka dhënë intervistat e tij më të rëndësishme pikërisht aty.

Ndërsa Basha pranon çdo ftesë të mundshme në “Opinion” dhe pyetet atje me të njëjtin agresivitet si dhe Rama.

Në “Opinion” bëhet politikë, aty bëhet sherr i madh, ku gra e burra debatojnë herë me qetësi e herë duke bërtitur, aty ku “shkopi” i Fevzos vendos “diktatin” për të ndarë hesapin mes sherrxhinjve.

Këto ditë “Opinion” i Blendi Fevziut festoi 20-vjetorin në një aktivitet madhështor.

Po cili është fillimi i Blendi Fevziut?

Nuk e ka për dëshirë të pranojë se ka hyrë shpejt në histori, sepse ka qenë student dhjetori. Ai e quan veçse takim me historinë. Por me sa duket, ishte një takim që i hapi rrugën për të hyrë nëpër të gjitha skutat e politikës e për t’ia rrëfyer publikut të vërtetat apo gjysëm të vërtetat e politikës aq konfliktuale, aq të ndërlikuar e aq unike të shqiptarëve në tranzicion. Një karrierë intensive, e pandalur asnjëherë, që prej kohës kur fjala e lirë nisi rrugën e saj me gazetën Rilindja Demokratike.

Ndodh rrallë që shkrimi i parë i një gazetari të kapë atë audiencë që nuk do të mund ta kapë më kurrë. Ishte shkrimi i parë në gazetën RD, në numrin e parë të saj, i cili u shit në 100 mijë kopje, por që në fakt u lexua nga thuajse të gjithë shqiptarët. Siç e thotë me modesti vetë Fevziu: “Ka të bëjë me momentin, e jo më shumë me autorin.”

Pas një përvoje rreth 7-vjeçare në median e shkruar, Blendi Fevziu nisi emisionin “E diela debat” më 31 gusht 1997 në ekranin e TVSH-së. Pak kohë më pas emri u shndërrua në “Opinion”, për të vazhduar deri sot, kur shënon 2480 emisione. Duhet të ketë shumë pak personalitete të Shqipërisë, të të gjitha fushave, që nuk kanë shkelur në “Opinion”.

Historik do të mbetet debati Nano-Berisha në vitin 2002. Ishte koha kur pakkush e besonte se ata do të mund të shtrëngonin duart, pasi konfliktualiteti politik mes tyre kishte arritur në skaj. Është një rekord i shënuar vetëm në “Opinion”. Një traditë që nuk vazhdoi dot, sepse konflikti politik mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri ka vazhduar. Liderët hezitojnë të përballen mes tyre në “Opinion”.

Katër herë në javë, nga e hëna në të enjte, është shumë impenjative, kur i shtohet fakti se trajtohen përgjithësisht temat e ditës. Është një punë intensive që deri më sot askush nuk ka mundur ta sfidojë. Ata që kanë tentuar, janë lodhur shpejt.

Por Blendi Fevziu nuk sfidon vetëm në ekran. Ai ka shënuar rekorde shumë të rëndësishme edhe si autor. Janë 12 libra të botuara dhe ndër to më i shituri është ai për diktatorin Enver Hoxha, i botuar nga “UET Press”. Është shitur në 200 mijë kopje dhe vazhdon ende të kërkohet në treg. Ka shkruar edhe një libër për “Ahmet Zogun” që gjithashtu është shitur në sasi të jashtëzakonshme.

Por “Pjedestale për Statuja” është për Fevziun krenaria e tij, sepse: “Ai nuk është thjesht një libër i imi. Ai është një prej momenteve më të rëndësishme të krejt jetës sime.”

Blendi Fevziu ka shënuar shumë rekorde, duke nisur me shkrimin e parë në media, emisionin e parë “live”, librin e parë, numrin e intervistave, numrin e të ftuarve në “Opinion”, numrin e emisioneve në “Opinion”, numrin e të gjithë librave të botuar, sasinë e shitjeve … e shumë rekodre të tjera. Rreth 20 të tilla, ato më të rëndësishmet, do t’i gjeni në një rrëfim mjaft interesant për këtë numër të revistës Mapo.

Dhjetor 1990… Atje ishit edhe ju, në vendin e duhur dhe çastin e duhur për të hyrë në histori…. Keni shkruar për ato ditë të stuhishme të rrëzimit të sistemit komunist… Cili është ai moment, ngjarje apo personazh që ta kujton më shpesh dhjetorin ‘90?

Nuk besoj se isha për të hyrë unë në histori dhe as e kam pasur këtë fat. Isha rastësisht në një moment tejet të rëndësishëm të historisë sonë. Ndoshta një nga tre më të rëndësishmit bashkë  me Pavarësinë dhe Kongresin e Lushnjes. Pra ishte një takim me historinë. Nga ato takime ku ti shkon gjithë entusiazëm bashkë me shokët e tu; shkon për të rregulluar diçka, i motivuar nga diçka dhe befas, e kupton që padashje ke qenë aty ku është ndryshuar rrjedha e historisë.

Në 48 vitet e jetës simë, dhjetori 1990 mbetet ngjarja më e rëndësishme. Kujtoj çdo detaj të asaj kohe dhe gjithë miqtë e mi aty. Shumë prej tyre, sa herë i sjell në mend, i sjell siç i kam parë apo njohur atë moment. Edhe pse më vonë, një pjesë e tyre kanë pasur jetë dhe karriera mbresëlënëse. Ai ishte momenti kur shumë nga ne përcaktuan raportin e tyre me lirinë dhe si i tillë mbetet i patjetërsueshëm.

Katër ditët e mëdha të studentëve… “Fati jonë është se dimë të plakemi”, ky është titulli i shkrimit të parë që mban autorësinë tuaj bashkë me atë të Ben Blushit në gazetën “Rilindja Demokratik”. E kemi renditur si rekordi i parë i Fevziut…

Ka qenë artikulli i parë në një gazetë të madhe. Atë ditë RD shtypi 100 mijë kopje dhe u shit për pak minuta. Besoj se u lexua shumë më tepër se sa kopjet e shtypura. Nuk mund të kesh gjithnjë këtë fat në jetë. Që shkrimi yt i parë të lexohet më shumë se gjithë shkrimet që vijnë pas. Por kjo lidhej me momentin.

Rilindja Demokratike, ku u duk se liria e fjalës ishte pa kufi, shpejt nisi të rrudhej dhe bashkë me lirinë e fjalës edhe ju ishit ndër “viktimat” e para. Si e mbani mënd largimin nga RD?

Unë isha larguar më parë nga RD. Jo me grupin e Blushit dhe Shkullakut që ikën në 1992. Ishte një rrjedhë normale e raportit që ne kishim me lirinë dhe konceptit që kishim për të. Nuk e di nëse gjerat mund të kishin qenë ndryshe, por sot besoj se pak a shumë kjo do të ishte rrjedha e ngjarjeve. Gjithçka duhet vendosur në një kontakt dhe konteksti nga do të niste Shqipëria Demokratike dhe e lirë, ishte për fat të keq shumë i pafavorshëm.

Vazhduat tek gazeta “Aleanca” e të tjera media deri ditën e 31 gushtit kur dhe nis rrugëtimi i “Opinion”. Cila është intervista juaj e parë në Opinion?

Opinion nisi si debat. Intervista e parë ishte natën e Krishtlindjeve 1997 me Fatos Nanon. Ai ishte kryeministër dhe pranoi të bëntë një intervistë ‘live’. Nuk deshi të dinte as pyetjet dhe as më kërkoi të isha i kujdesshëm. Mua m’u duk çudi. Nano ishte sfidant nga natyra. i pëlqeu që e ngacmova me pyetje dhe në fund më tha, e mendoja më të fortë. Intervistën e ardhshme padyshim që e pati më të fortë.

Një ndër momentet më të rëndësishme të asaj skene të debatit tuaj, është padyshim përballja Nano-Berisha. Është momenti kur ata shtrënguan duart pas një beteje shumë të ashpër politike mes tyre dhe u duk të ishte nisja e marrëveshjes mes tyre?

Ndërsa po shqyrtonim rreth 2480 emisione, na rezultoi që debati Nano – Berisha ishte më i rëndësishmi, ai që njerëzit e kujtonin më shumë dhe ai që ka pasur një rekord transmetimi. Ishte nga ato emisione që i bën momenti dhe ku aftësia jote gazetareske nuk ka vlerë aq sa kanë rrethanat që e mundësojnë atë emision.

Padyshim që në emisionin “Opinion” ka pasur momente të tjera po kaq të rëndësishme… atje janë rrëfyer thuasje të gjithë politikanët e njerëzit e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare… Cila është intervista që për ju shënon një rekord të rëndësishëm…?

Varet nga këndi i vështrimit. Deri në vitin 2012 ne nuk kemi pasur një matës të saktë audience, kryesisht jemi nisur nga perceptimi apo nga sondazhet post emision. Këtë pyetje që më bëni ju ja kam bërë edhe unë vetes dhe jam ndjerë i pafuqishëm për ti dhënë përgjigje në një mori intervistash, disa prej të cilave kanë mbetur unike dhe me një vlerë të jashtëzakonshme dokumentare. A mund ta vlerësosht të vetmen intervistë në jetë të Mbretëreshës Geraldinë, të Abaz Ermenjit, të Jusuf Vrionit apo Fadil Hoxhës? Ndaj nuk ju jap dot një përgjigje precize.

Intervista që ka prodhuar lajmin më të bujshëm?

Ka shumë të tilla. Po zakonisht ato lidhem me momentin. Ka intervista politike që kanë qenë bume mediatike, por që nuk i kanë rezistuar kohës. Kur i sheh sot, jashtë kontekstit, nuk të ngjallin asnjë emocion. Ndërkohë ka intervista të tjera, që nuk kanë bërë shumë lajm, por që kanë mbetur ende sot mjaft të rëndësishme për historinë politike të Shqipërisë.

Sa është numri i emisioneve në “Opinion”?

2480 deri në fund të Korrikut.

Sa është numri i të ftuarve në “Opinion”, dhe sa herë ata kanë folur në atë studio…pra që kanë qënë pjesë e debatit (nëse ka mundësi të kemi një shifër)?

Këtë nuk jua them dot më saktësi. Afërsisht janë mbi 9500 të ftuar, por shumë prej tyre janë rikthyer shumë herë. Besoj se duhet të jetë rreth 2000 emra konkretë.

Sa është numri i intervistave apo emisioneve të papublikuara dhe për cilat arsye?

Nuk duhet të jetë shumë, besoj 3 apo 4 dhe kryesisht për aryse banale. Ka qëlluar psh. që kemi intervistuar dy herë drejtorin e Galerisë së arteve dhe të dyja herët ka pasur difekt teknik. Sepse regjistrimi ka qenë jashtë studios. Eshtë humbur në arkivë një intervistë e Ilir Ikonomit për Esat Pashën. Por këto janë probleme teknike që ndodhin kudo. Ka pasur emisione që i kemi nisur si projekt, kemi bërë disa xhirime dhe pastaj kanë mbetur. Një prej tyre, për jetën private të Sali Berishës, do ta shfaqim përmbledhjen në transmetimin Maratonë që do bëjmë në 7 Shtator. Kaq. Por duhet të dini që 99 % e emisioneve tona janë live dhe ideja e mostransmetimit është e pamundur.

Cila është intervista e fundit në opinion?

Intervista me Ministrin e Brendshëm Dritan Demiraj, e cila u fokusua tek karriera e tij si komando. Një intervistë interesante.

Çfarë ndodh kur “fiken dritat” në “Opinion” … vazhdon debati…ka sharje, fyerje sherr fizik, a ka ndonjë rekord?

Po, ka plot të tilla. Madje këtë fushatë që u duk se do të ishte më e qetë pati 2 apo 3 të tilla.

Shkopi si rekord i Blendi Fevziut…?

Po po, po bëhet shpesh më popullor se sa të ftuarit dhe unë.

A janë të ndarë politikanët, por edhe personazhet e tjerë, në televizivë dhe jo televizivë?

Po, shumë. Kjo është e ndjeshme. Ka njerëz që raportin me kameran, publikun, emisionin e kanë magjepës. Ka të tjerë, shumë më të thellë që nuk kanë aftësinë ti përcjellin me atë emocion idetë e tyre. Cështje talenti edhe kjo.

Ka një perceptim se në “Opinion” nuk e merr dot fjalën kollaj, nëse nuk e ngre zërin dhe nëse nuk godet fort në mënyrë populiste… Si i përgjigjeni këtyra kritikave? 

Unë besoj, se Opinion është një emision për publik të gjerë, jo një seminar akademik përpara kamerave. Por ky është zakonisht një justifikim perfekt për ata që sapo më pyetët. Të pamësuar dhe të patalentuar për t’ju imponuar studios dhe publikut. Edhe pse mund të jenë shumë të zgjuar dhe me ide interesante.

Me fjalë të tjera për t’u futur në  diskutimin e vjetër se kush është  më e rëndësishme, vlera e produktit apo audienca, nga shtëpia duket se ka më shumë rëndësi debati i ashpër mes të ftuarve sesa përballjet e mendimit, nxjerrjes së përfundimeve të vërteta. A është e vërtetë kjo?

Jo, nuk është e vërtetë. Treguesi profesional i audiencës tregon absolutisht krejt tjetër gjë. Më të shikuar dhe më të rëndësishëm janë emisionet që kanë lajm dhe thelb brenda tyre. Debatet për hir të debatit kanë vdekur. Unë kam 4 vjet që nuk ul thjeshtë dy politikanë këtej e dy andej. Thjeshtë për tu zënë. Nëse do jeni e vëmendshme do shihni që për ne ka vlerë tema e ditës. Jemi fokusuar tek ato dhe ato po japin një rezultat që as ne nuk e prisnim në audiencë. Nga ana tjrtër, debati e ka të nevojshëm pasionin. Debat pa pasion nuk ka. Edhe në shtëpi kur debatojnë njerëzit ngrenë zërin apo kanë xhestikulacione, jo më në studio.

A është e vërtetë se temat si krimi, kulinaria, pushimet, dashuria, seksi kanë audiencë më të madhe se tema të tilla si ekonomia,  edukimi, shëndëtësia, drejtësia, punësimi? Pse ndodh kjo?

Sa po jua thoja, jo nuk kanë. Por padyshim që edukimi, drejtësia, punësimi etj, nuk mund të trajtohen si tema akademike, por si çështje të nisura nga një shqetësim konkret. Nëse nisen nga një rast konkret kanë më shumë audiencë se temat e lehta. Akademizmi i mbyt. Po e them edhe një herë. Tema e ditës është ajo që vendos.

Ju shfaqeni shumë agresiv në intervistat me kryeministrin Rama. Duket sikur vendoseni në llogore. Në komentet e rrjeteve sociale, ka një shumicë të tyre që duken se votojnë majtas dhe shprehen se intervistat me Ramën i keni më të ashpra dhe gazetareske sesa ato me Berishën?

Nuk di ta them këtë. Berisha ka pesë vjet që nuk është në studio dhe stili i intervistave me të, ndryshon nga ky aktual me Ramën. Janë 5 vjet midis. Krahasimet duhet ti bëni me Bashën. Dhe besoj se me Bashën, nisur edhe nga pesha që ka kreu i opozitës (Që është më modeste se ajo e kryeministrit që qeveris), kam qenë mjaft këmbëngulës edhe me të.

Ka edhe diçka që do doja ta ndaja me ju dhe që më shqetëson shumë prej 20 vitesh. Nga mesazhet që marr, më rezulton që ne jemi një shoqëri intolerante. Shumë pak njerëzit merrem me atë që thonë përsonazhet apo idetë e tyre. Më shumë merren me personazhin vetë. Dhe nuk e tolerojnë dot mendimin ndryshe. Të majtët psh, nuk dëgjojnë se çfarë thotë Zogaj, por gati përdhunshëm çojnë mesazhe që nuk duam ta dëgjojmë atë. E njëjta ndodhte edhe me të djathtët për të të ndjerin Andrea Stefani apo Lorenc Vangjelin. Njerëzit janë të predispozuar të dëgjojnë vetëm atë që ju pëlqen të dëgjojnë dhe nuk e vënë kurrë në dyshim idenë e tyre duke e ballafaquar me mendimin ndryshe. Ky është thelbi i intolerancës në shoqërinë tonë që për mua po pengn ecjen normale përpara.

Çfarë ka ndodhur në raportin tuaj me Berishën…Pse mungon ai në “Opinion” prej pesë vitesh?

Kjo është një pyëtje që në fakt duhet t’ja bëni Berishës. Me gjasë ka pasur një hatërmbetje pas një emisioni të janarit 2013 dhe pas atij emisioni midis nesh nuk ka pasur komunikim. Arsye dhe detaje nuk di ti them unë, ato mund t’jua shpjegojë Berisha. Që nga ai moment ne nuk kemi komunikuar më dhe a komunikim nuk vihet në emision. E kam thënë shumë herë versionin tim, por nuk ka asgjë më shumë se sa kaq.

Me gjithë kritikat, në komunitetin e medias tashmë pranohet se një nga përparësitë e “Opinion” është periodiciteti i tij. Katër ditë në javë, nga e hëna në të enjte është një goxha sfidë për konkurrentët….

U bënë10 vjet që jemi 4 herë në javë. Gjysma e kohës së vetë emisionit. Padyshim që është përparësi. Krijon ritual dhe rituali është një avantazh jo i vogël. Por padyshim do edhe shumë punë. Për një staf modest siç jemi ne, dhe për një vend me pak personazhe publikë siç është Shqipëria, ka ngarkesë të madhe.

“Pidestale pa Statuja” është libri juaj i parë… ç’vënd zë ai punim në krenarinë tuaj si autor?

Ndër më të rëndësishmit. Ai nuk është vetëm një libër i imi. Ai është një prej momenteve më të rëndësishme të krejt jetës sime.

Sa është numri i librave të botuar?

12 libra nisur nga ai i pari, “100 ushtarë” në bashkëautorësi me Ben Blushin, me të cilin kemi qenë shokë klase, edhe miq të ngushtë. Dhe kemi mbetur gjithnjë të tillë.

Cili është libri më i shitur, sa?

Enver Hoxha. Nuk e di me saktësi, por besoj afro 200 mijë kopje vetëm print.

A e ndani mendimin se shitjet rekord të biografisë së Enver Hoxhës ishin të tilla sepse u bashkuan tre përbërës: personazhi (jeta e një diktatori tërheq shumë), fama juaj si gazetar dhe publiciteti që ju bë?

Padyshim që kanë ndikur shumë të treja, por mos harroni edhe faktin që është një libër që lexohet këndshëm. Kur libri u botua në Londër ai pati më shumë se 34 artikuj me mediat britanike dhe botërore. Pati komente në BBC, The Guardian, San Francisko Revieë etj. Simon Sebag Montefiore, një nga biografët më të mëdhenj të Globit, e propozoi si një nga 15 librat më interesantë anglisht që rekomandonte për të lexuar në 2016. Asnjëri nga këta, as ka parë publicetin në Shqipëri dhe as më njihte mua si gazetar. Ajo që më bëri përshtypje në botimin e librit “Enver Hoxha” në Shqipëri, ishte paaftësia e plotë për të kuptuar librin si libër nga pjesa më e madhe e kritikëve shqiptarë.

Po për librin e  Ahmet Zogut çfarë ndikoi?

Nuk e di. Besoj raporti që një autor krijon me lexuesin e tij.

Libri juaj i fundit “Pushteti”, a pati efektin e librave të tjerë?

Ishte një libër ndryshe, por besoj se po. Por nuk mund të krahasosh një libër artistik me një biografi.

Si do t’i përgjigjeshit disa autorëve që kanë thënë se suksesi juaj si publicist e shkrimtar vjen edhe nga bombardimi i publikut me publicitet?

Me atë që ju thashë më lart. Enver Hoxha është botuar në Britani, Maqedoni, po botohet në Francë dhe në Greqi. Komentet për të kanë qenë shumë pozitive nga Londra në SHBA dhe nga Singapori në Taivan. Mund t’ju vë në dispozicion adresat e 34 mediave që kanë shkruajtur për të, media ndërkombëtare. Asnjëra prej tyre nuk e di as kush jam unë dhe as ju intereson publiciteti në Shqipëri. Përveç librave të Kadaresë, “Enver Hoxha” është libri shqiptar me më shumë komente në shtypin botëror. Thashë, nëse doni jua vë në dispozicion të gjithë artikujt.

Cili do të jetë libri i ardhshëm?

Jam duke punuar bashkë me Baton Haxhiun, gazetarin e njohur të Kosovës në një libër mbi Luftën e Kosovës, dhe rolin e Hashim Thaçit në 90 ditët e saj. Ndërkohë që po punoj me librin, jam i befasuar nga rëndësia që ai moment ka pasur jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por për gjithë opinionin botëror. Për fat të keq, për të janë botuar vetëm libra me kujtime, disa prej të cilave shumë interesant, por jo një libër që ti ballafaqojë gjithë këto burime e bashkë me to edhe dokumentat.

Besoj që do të jetë një libër shumë interesant, sidomos për ata të moshës 18 – 30 vjeç që fare pak mbajnë mend nga ajo luftë ose nuk e kanë jetuar atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *