Fotot e rralla: Parlamenti i hershëm shqiptar

Postuar më: 09 September 2017 10:05

Pamje ekskluzive nga një seancë plenare  

Jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në një ndërtesë që ekziston edhe sot në Tiranë (shiko fotot).

Një dykatëshe e bukur me kolona të larta, e dekoruar me flamurin kombëtar dhe një tabelë ku shkruhej “Parlamenti”.

Në brendësi siç edhe shihet në fotot e marra nga arkivi gjerman, një sallë modeste. Në ballë të sallës së seancave një portret i madh i Skënderbeut.

Mure të veshura, tryeza modeste të ndara në dy grupe dhe lozhat funksionale. Ngrohja ishte me sobë.

Kjo është pamja e sallës ku janë ulur njerëzit më të ditur të vendit në atë kohë.

Për nivelin e tyre e kot të flitet, mjafto të kujtosh vetëm dy emra: Gjergj Fishta e Fan Noli, që sigurisht kanë patur plot “konkurrentë”, patriotë, të ditur e të mirëshkolluar.

Ndërtesa e Parlamentit të dikurshëm sot është Teatër Kukullash. Pas një urrejtje patologjike për “baballarët” e parë të Kombit, një mendje djallëzore, gjatë viteve të diktaturës, mori atë vendim. Një metaforë tallëse që vazhdon edhe sot…

… Sot, e shtunë, më 9 shtator, mblidhet për herë të parë Kuvendi i ri i Shqipërisë. Nis Legjislatura e tij e nëntë. Ndërtesë më e madhe e sallë luksoze. Ka nga ata që thonë se sot fillon Teatri i vërtetë i Kukullave. Është një këndvështrim. Unë për vete nuk thashë gjë.

A.D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *