Festat fetare dhe përdorimi politik

Postuar më: 13 September 2017 08:46

Nga Klajd Bylyku*

Festat janë ditë të veçanta në të cilat përkujtohen ngjarje ndodhur në të kaluarën, të cilat si rregull i përkasin një konteksti fetar ose kombëtar. Dita e shënuar është një mundësi reflektimi dhe përkujtimi, mundësi e cila në më të mirën e saj duhet shndërruar në një rast i cili nuk duhet humbur për të ftuar edhe të tjerët, pra mosfestuesit e saj, në reflektimin rreth kumtueshmërisë që ajo bart dhe vlerave zanafillore me të cilat është e pajisur, të cilat janë dhe arsyeja e shndërrimit të ngjarjes së caktuar nga normale në të jashtëzakonshme. Është pikërisht kalimi i dukshëm i natyrshmërisë së ngjarjes në fjalë në kategorinë e ngjarjeve të jashtëzakonshme që e shndërron ditën përkujtuese në një ditë unike. Në rastet fetare, ngjarja është ndonjë dhuratë hyjnore karshi njerëzimit apo një mrekulli e ndonjë profeti të caktuar, vlera e veprimit të të cilit merr përmasa universale dhe akohore, përmasa të cilat legjitimojnë të drejtën e individëve të çdo kohe për ta përkujtuar atë dhe festuar në mënyrën e posaçme historikisht të ligjëruar. Ndërsa në rastet kombëtare, festa shënon një ditë të caktuar e cila për qytetarët e vendit ka një rëndësi të veçantë sepse përkujton një Revolucion, bashkimin e Shtetit apo në më të shumtën e rasteve Pavarësinë nga një perandori e dikurshme.

Pra, në këtë kuptim na bëhet e qartë se shpjegimi i domethënies së festës në ditën e saj të përvitshme është veprimi që i jep asaj kuptim dhe qartëson festuesit e së cilës se për çfarë ata po festojnë. Këtë shpjegim paraprak e konceptuam si një hyrje të demaskimit të gabimit që kemi ndërtuar vit pas viti me festat tona lidhur me mënyrën se si i prezantojmë ato, gabim të cilin do të mundohemi ta shpjegojmë se nga ka ardhur dhe si mund ta ndreqim. Kështu, tek ne është krijuar tashmë tradita se në festat me karakter fetar krerët e komuniteteve përkatëse “u bëjnë qokën” duke uruar bashkësinë e cila feston me anë të urimeve rutinë. E njëjta veprohet edhe nga politikanët më të rëndësishëm, duke nisur që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri e kështu me radhë. Në këto dreka dhe shfaqje gala urohet për më shumë paqe, harmoni dhe solidaritet. Partitë politike me deputët përkatës i rikujtojnë popullit se roli i bashkësive fetare shërben fort për ruajtjen e ekuilibrave shpirtërorë në shoqëri dhe se urtësia historike e tyre ngrihet si një përkujtim i vazhdueshëm në rrugën e vështirë të përmirësimit të të gjithëve. Po ashtu në festat kombëtare krerët fetarë urojnë Kombin dhe shprehen të përdëllyer për arritjet kombëtare, përmendin ndonjë hoxhë a prift të rëndësishëm që për shembull ka qenë ministër në qeveritë e para apo ka nënshkruar Pavarësinë dhe të plotbindur japin mesazhin se feja ka qenë përherë paqësore, e butë dhe një mundësi e bekuar për të shpërndarë sa më shumë dashuri, përkushtim dhe rigorozitet ndaj Kombit dhe bashkëqytetarëve. Është pikërisht kjo pikë ku ngrihet shqetësimi ynë lidhur me denatyrimin e festimit (urimit) të festave.

Këtë gabim mund ta vërejmë me sy të lirë në dy nivele. Së pari, ka të bëjë me marrëdhënien që komunitetet fetare kanë ndërtuar mes tyre. Jemi të detyruar të hedhim dritë dhe të qartësojmë disa qëndrime lidhur me këtë ç’është nisur nga bindja se situata e së ashtuquajturës “harmoni ndërfetare” po na del prej duarsh. Fillimisht kur ndeshim termin “harmoni ndërfetare” përshtypja e parë që na krijohet është një kundërthënie në term sepse është totalisht e pamundur që të realizohet projekti i harmonisë ndërfetare. T’i bashkosh fetë bashkë është një veprim sa i pamundur aq edhe i padëshiruar prej komuniteteve, ngase në themel të doktrinës së secilës qëndron e patundshme bindja se nga të gjitha fetë botërore, vetëm njëra është autentike dhe e vërtetë, ndërsa të tjerat janë devijacione historike ardhur si pasojë e shtrembërimit burimor të shpalljes. Këtë e beson kushdo për besimin e tij dhe pavarësisht se për ithtarët e besimit tjetër është i pajisur me respektin dhe mirësjelljen qytetare (siç duhet domosdoshmërisht të jetë), në aspektin dogmatik gjithësecili është fort i qartë se tjetri (i ndryshmi) nuk zotëron vizionin e kërkuar e të saktë. Por në kushtet tona, kur Shteti është (egërsisht?) laik komunitetet gjenden përballë nevojës së bashkëpunimit për të ruajtur territorin potencialisht të kërcënuar. Nisur si një aleancë me të ndryshmin për t’u ruajtur nga i kundërti, komunitetet kanë hasur një vështirësi të një natyre tjetër: për të qenë sa më të bashkuar drejt qëllimit të përbashkët, është rreptësisht e ndaluar të përmenden divergjencat mes tyre të cilat nëse vihen në pah detyrimisht do të konsiderohet si shenjë armiqësie dhe tentative për prishje të harmonisë brenda kampit. Shteti, i cili me të drejtë është në dijeni të gjithë kësaj, e mbështet dhe financon këtë pakt të heshtur në interes të tijin, sepse mosprezantimi i plotë i fuqisë së diturisë që komunitetet disponojnë, përkthehet në mungesën e një opozite morale të një cilësie të admirueshme, e cila për shoqërinë ka një rëndësi jetike. Por duke qenë se besohet që vendi është demokratik dhe shoqëria e lirë, komunitetet fetare shpërblehen me një liri gjysmake fjale për të ftuar drejt paqes dhe dashurisë. Por, le të qëndrojmë ende në nivelin e parë e më pas të kalojmë tek Shteti. Të konceptuara si fantoma të fuqisë së dikurshme politike dhe kulturore, fetë përdoren si një ingranazh zbutës mes politikës dhe besueshmërisë sa vjen e më të ulët të shoqërisë tek kjo e fundit. Të detyruara të mos jenë kurrë në maksimumin e tyre, komunitetet në fjalë kanë degraduar në disa formacione mediatike sipërfaqësore, përmbajtjen e të cilave ne pothuajse nuk i njohim. Të reshtuara krah njëra-tjetrës dhe të mbikqyrura rreptësisht nga instancat shtetërore, ato e kanë të pamundur të japin ofertat e tyre kulturore (vizionare, morale) për të gjithë individët, pra të luajnë rolin e natyrshëm që kanë luajtur gjithmonë. Të thirrura për të mbajtur qëndrimet e tyre lidhur me shqetësime shoqërore, të gjitha komunitetet bashkë nuk bëjnë më shumë sesa atë që bën fare mirë shoqëria civile, shoqata të ndryshme për mbrojtjen e grave, kafshëve, pyjeve apo sindikatat. Të detyruara të fshehin nga ligjërimi publik të veçantat mes tyre dhe idealet që ofrojnë, ligjërimi fetar ka precipituar në një thirrje racionalisto-iluministe për harmoni, paqe dhe koherencë shoqërore, efektet e së cilës jo vetëm që janë pranë zeros, por çuditërisht tingëllojnë të huaja edhe në raport me vetë burimin prej të cilit besohet se marrin jetë. Sepse si mund të ftohet për paqe, mirëkuptim dhe dashuri kur në thirrje mungon ideali për hir të të cilit këto efekte sublime duhet të mbërrihen? Është pikërisht ky devijimi i madh dhe arsyeja se përse fatkeqësisht fetë kanë ndikuar shumë pak në zbutjen e dëmeve të tranzicionit tonë. Sa për ilustrim, në Kurban Bajramin e para dy javëve siç ndodh përherë, u propagandua se në këtë ditë duhet të jemi më bamirës, më të buzëqeshur dhe më solidarë me njëri-tjetrin. Natyrisht, për atë që ka dy pare mend, kjo është e turpshme dhe ka ardhur koha që të bëjmë një reflektim serioz për çështjen në fjalë ngase ekzaktësisht, Kurban Bajrami nuk ka të bëjë fare me budallallëqet në fjalë. Kjo festë është përkujtimi i një ngjarjeje të shënuar që i ka ndodhur profetit Ibrahim (Abraham) të cilit në trajtën e një ëndrre iu shpall se duhet të sakrifikonte djalin e tij Ismailin (Ismaelin). Përballë një sprove kaq të vështirë, profeti Ibrahim përsëri zgjodhi bindjen ndaj Zotit dhe në momentin që ishte duke kryer blatimin e tij, Zoti me mëshirën e Tij ia zëvendësoi me një dash. Nga kjo ngjarje çdo vit që e feston këtë festë, besimtari përkujton edhe një herë se krenaria dhe lumturia e tij janë vetëm e vetëm në raport me bindjen e plotë ndaj Zotit dhe përsosjen e zbatimit të monoteizmit të tij puro, urdhëresa më e madhe hyjnore shpallur në të gjitha kohërat. Dhe efekte të kësaj krenarie e lumturie, janë edhe bamirësia (një pjesë e konsiderushme e mishit të kurbanit i dhurohet të afërmve dhe një pjesë të varfërve), edhe paqja (kënaqësia e Zotit nuk mund të mbërrihet kurrë duke nxitur apo shpallur luftë), edhe harmonia (të gjithë individët kanë të drejtë të trajtohen me dinjitetin dhe njerëzillëkun më të lartë). Thënë ndryshe, autoriteti njerëzor i shpërndarjes së burimit të çdo feste fetare, duhet të deklarojë qëllimin e festimit të saj, deklaratë e cila mund të shkaktojë interes, zili, admirim apo urrejtje, gjithnjë në raport me liritë e plota që gjithësecili ka për t’iu përgjigjur çdo ftese kulturore që qarkullon në publik. Pra, nëse në zinxhirin e urimeve për paqe dhe dashuri që i drejtohet publikut ne shkëpusim hallkën e idealit nxitës i cili na lehtëson mbërritshmërinë e paqes dhe dashurisë, atëherë nuk kemi bërë asgjë, harmonia ndërfetare ka vetëanulluar fetë dhe shoqëria ka humbur, ngase asaj nuk i është prezantuar (bashkangjitur me urimin) një mundësi ndryshe e konceptimit të paqes dhe dashurisë, por i janë përmendur pallavra të cilat nga përdorueshmëria e lartë kanë shkaktuar bjerrjen e rëndësisë së vetë koncepteve.

Në mbështetje të kësaj, gabimi në fjalë vjen si pasojë edhe e marrëdhënies së një niveli të dytë, e Shtetit me vetë komunitetet. Doktrinalisht të kundërt, këto dy formacione kanë ndërtuar një marrëdhënie frike dhe mashtrimi të ndërsjelltë. Përveç gjuhës së drunjtë të komuniteteve, kemi edhe hipokrizinë e elitës politike që pavarësisht festës në fjalë, uron në mënyrë bajate për të njëjtat mirësi. Ftesat për paqe, drejtësi dhe njerëzillëk janë në mospërputhje të plotë me veprimtarinë e tyre të përhershme. Dhe kjo nuk është një specifikë vetëm për festat fetare, por edhe ato kombëtare. Vala e papërshtatshmërisë në marrëdhënien me festën, vihet re edhe tek mungesa e plotë e marrjes së të shkuarës si model për të mësuar prej saj. Ato pak vlera dhe arritje që Kombi ka mbërritur ndër dekada duhen përmendur e duhen ofruar si far ndriçues për të ardhmen. Nga ana tjetër, për të kthyer qokën mbrapsht, komunitetet ftohen për të recituar pjesën e tyre të përvitshme. Kësisoj, kjo dyshe kursehet në deklarata dhe shpallje haptazi të botëkuptimeve përkatëse duke i mveshur diskutimeve publike hipokrizi e duke ruajtur harmoninë false e cila me sipërfaqen e saj nuk ofron vetëm se boshllëk. Sipas së njëjtës logjikë ne kemi ngritur mitin e tolerancës fetare si virtyt të lartë kombëtar. E ashtuquajtura tolerancë fetare (e cila ndryshe nga harmonia ndërfetare është krejt e mbërritshme dhe e kërkuar) tek ne nuk vjen si pasojë e një dialogu të shëndetshëm mes elitave fetare karshi njëra-tjetrës dhe atyre laike, por është rezultat i një indiferentizmi të lartë në nivel kombëtar, dobësie paraprake të klerit dhe interesit të Shtetit dhe institucioneve tona për të mbjellë një mjedis surreal të një boshllëku të plotë kulturor. Efekti më i dëmshëm i kësaj katrahure është boshti ynë identitar të cilin nuk po e njohim dot, sepse nga të gjithë kombet e Europës, jemi i vetmi elita politike e të cilit zyrtarisht e refuzon identifikim  me traditën fetare. Europa Perëndimore, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Turqia apo Japonia, që të gjitha identifikohen me palcën e tyre historikisht fetare, në të cilat mbështesin aspiratat e së ardhmes dhe ripërtërijnë fuqinë. Ndërsa ne rrezikojmë të mos mbetemi as perëndimore e as lindorë, as tradicionalë e as laikë, por një amalgamë urimesh boshe për paqe, harmoni dhe tolerancë që të shkëputura nga ideali, përmbajtja dhe e vërteta kanë prodhuar vetëm turp, korrupsion dhe emigrim.

*Pedagog, shkenca sociale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *