Esenca feminile në poezinë sotme shqipe

Postuar më: 09 September 2017 11:40

Natyrisht, prej disa vitesh asht ba e modës që në bazë të teknologjisë, dhe mundësisë që kjo e fundit ofron për secilin me pasë akses, me lulëzue disa autore që pretendojnë se shkruejnë poezi. Këtë ide ua ka përforcue opsioni i “like”-ve (ose lajkave) në rrjetin social Facebook. Mundësisht këtij fenomeni i asht dhanë edhe hapsinë televizive me emisione specifike

Nga Aristea Kola

Natyrisht, prej disa vitesh asht ba e modës që në bazë të teknologjisë, dhe mundësisë që kjo e fundit ofron për secilin me pasë akses, me lulëzue disa autore që pretendojnë se shkruejnë poezi. Këtë ide ua ka përforcue opsioni i “like”-ve (ose lajkave) në rrjetin social Facebook. Mundësisht këtij fenomeni i asht dhanë edhe hapsinë televizive me emisione specifike. Madje kjo përkëdhelje sedre aq shumë i ka bindë këto autore sa me pasë guximin me i çue për shtyp. Dhe s’do mend që shtëpi botuese në Shqipni e përtej ka plot. Por kjo lëngatë (apo ma saktë lî që nuk po i gjendet bari) nuk mbaron këtu! Këto autore që nuk e dinë cakun e vet, pra nuk janë të ndërgjegjshme për produktin e tyne estetik, njikohësisht edhe për damin tek publiku në deformimin e shijeve, befas bahen fituese të ndonji çmimi të ngritun nga turlifarë jurish. Tue fillue nga vetë rrethi i tyne dhe tue përfundue te ndonji mësues fizkulture, që kur ka shkue në emigrim ka themelue institucione kinse letrare. Vula ka boll! Sigurisht, dhe nji printer për certifikata ky institucion e ka, dhe aq i mjafton! Pra, vetë printo e vetë vulos për kë t’ia marrin mendja. Te ky artikull, do të trajtojmë nji pjesë të mirë të këtyne autoreve, – sepse për të gjitha do të duheshin shumë faqe, – tue pasë si kriter metodik citimin e vargjeve të tyne. Në këtë mënyrë i ofrohet mundësia lexuesit që me gjykue vetë mbi këto fenomene, të ashtuquejtuna letrare. Kryesisht kjo lî ka ra mbi qytetin e Shkodrës, tek-tuk në ndonji qytet tjetër, e tue u përhapë deri në Kosovë. Dhe për ma keq në shkrimin e gegënishtes, tue ra pingul në nivel kulturor, gja të cilën kjo traditë nuk e ka pasë as atëherë kur shteti diktatorial e pat ndalue kultivimin e saj. Po prapë kjo e keqe nuk ndalet vetëm këtu. “Vargu poetik” që prodhojnë këto autore asht përftue të shumtën e herës përmes nji hipotipoze që nuk të asociacion me kurrfarë esence feminiliteti. Do të vërejmë kështu, “poezi” me nji diskurs deri të dhunshëm e horror, që tejkalojnë çdo perceptim human. Nuk di pse dhuna, asht ba mjet estetik dhe fundamental në këto shkrime.

Gjatë analizës sonë shqyrtuese për këtë dukuni shqetësuese (realisht shqetësuese), kemi konstatue me qindra vargje të cilat përmbajnë aq sa parashtruem ma nalt. Siç thamë, këtu do të prezantohen në trajtë të reduktueme, tue respektue edhe hapësinën e shtypit.

Nji ndër autoret që ka botue së fundi edhe librin, me nji titull që flet vetë, “Animalesque” (kjo na ban me mendue se mund të jetë edhe nji doracak zoologjik!), Suada Halilaj, ka këto vargje: “Kmishat mishtore t’Agnesës t’varrosin n’klithmën teme,/ Te ti koha asht pyetje e vogël,/ t’kafshon e s’ndin gja […] N’tetor, / nji grue me fyt t’thym lëpin muret”. Na mjafton me marrë veç dy vargjet e fundit dhe skena vizuale asht e tmerrshme. Ndërsa vargjet “e ndjeva mbi tunelet e lëkurës, udhën e mendjes tande gurore”, përpos se nji lidhje fjalësh nga fusha e ndërtimit, nuk kanë asnji parametër logjik e semantik; edhe atëherë kur mund ta justifikojmë se asht metaforë. Strofa e kësaj poezie (më fal o Zot që po e cilësoj kështu): “Kuaj me sy t’ndryllun / që kacavjerren n’plang t’ajrit, / ç’varrosun prej nji çmendin me kashmir t’zverdhun, / tuej tymosë venën e fundit t’jetës.”, tregon se autorja ka njohuni ekstremisht të dobëta gramatikore dhe drejtshkrimore. Fjalët me të zeza e vërtetojnë këtë (sikurse dhe për rastet e autoreve në vijim; disa i kemi lanë pa shënue tue paramendue arbitraritetin e zanores ë në shkrim, veçanërisht në trup të fjalës). Si duket as botuesi nuk ka pasë nge me e pa, se redaktori jo se jo. Te ky libër gjejmë edhe vargje që tejkalojnë çdo lloj fantazie të mundshme njerëzore: “Toka ka thith gjinjt. / Rrudhat, si shushujza gjakut t’verdh, / zvarriten me djajt e fjetun.” Doemos kur lexojmë këto vargje, mendohemi mirë para se të shkelim në tokë! Babëzia e saj, sipas autores, asht e skajshme. Le të ruhemi! Sepse autorja thotë: “Un, perbindsha ushqej me frym”. Besoj se edhe lexuesi duhet te pajtohet me këtë pohim të saj. Horrorja si komponent cilësor asht e pandashme te kjo autore: “Mbushi puset me libra të therun.” Kjo tregon për anmiqsinë e betueme ndaj dijes. Në këto raste mund të thuhet, autorja ka pa shumë filma horror. Për ta përmbyllë me këtë autore, vargjet: “sa her tu lan buzët me mish t’askujt, / e sa her nuk deshte me ken fyt i pshtymës s’pllenimit” dëshmojnë për nji instinkt kafshnor sikurse e thotë edhe në titull të librit. Po kështu, për imazhin e pështirosjes mundemi me thanë se kemi vargje të Ervina Halilit, në librin e saj “Amuletë”: “…në barkun tand pjellor / ka humus ka skraja”; “kam pa buzëqeshje të ngurtosuna palaçosh / në fytyrat e tyne krimba yndyre rritun” ose kemi vargje të denatyrshme fiziologjike “…burrat shtatzanë që lindin macet e zeza”. Varet se këto përjetime nga ç’efekte janë ngjizë, kur thuhet në nji varg tjetër: “kanabisin e bebeve ujis”. Ndjesia e gjakut asht e pranishme dhe në këtë autore: “rrotat lyejnë asfaltin me gjakun tand”. Kanibalizmi nuk mungon: “ku njeriu ha mish njeriu dhe jashtëqet njeri”.

Kjo sindromë shtrihet edhe në autore të tjera: “Kafshimi i zemrës tande asht e keqja ma e madhe…” Varg ky që gjendet në librin “A ban me m’lshue pak rrug’?!” (patjetër që po, se nuk i dihet!) i Arjola Zadrimës. Nuk mungojnë kurrsesi as vargjet e artilerisë së randë, municioneve: “Do të rri këtu deri sa të shuhen predhat e çasteve”, për çka shpresojmë që mos të zgjasin shumë se na u shue fara!!! Befas autorja bahet delikate. Krejt në kontrast me vargjet e sipërme. Ma shumë diskursi afron me shërbimet e salloneve estetike tash: “Di dhe unë me të ndukë në gushë, / zemrush!” Përtej librit, aty ku ky rreth asht formësue, pra në Facebook, nga kjo autore mund të gjeni edhe ndonji varg të rastit: “Jam mkatarja e heshtjeve të vogla, / zoje e shalëve të mia, / që zhgërryhet në nji shtrat” ose “Më thuej, a të kërcasin thëngjijt e gulçeve? / Po kur më imagjinon të zdeshun, / të shkopsitun, / a të dhemb kupola e mendime” dhe përfundon me “…zhari u bafsh”: në rrekje me krijue asociacione erotike, në kushte të nji emergjence civile në rajon! Të jetë mallkim i kësaj autoreje vallë për zjarrin në vend?? Por, si duket mallkim s’ndalet. Në libër të saj ajo sërish shkruen: “zjermi i pyjeve më digjet në sy, / mu ruej, zhari të baj.” Kjo autore, ka nji aftësi ma të fortë se Muji, kur shprehet: “Arrij me ti çue malet në fyt, / tue të shkri, tue të dashtë, / dashnisht tue të myt.” Si ma nalt… nji varg i dhunshëm, kjo violencë estetike, na del në vijim: “u kam injektu damarëve të fishkun, / goditjen e fundit, t’çekiçave / që të rrahin në krye […] pergjakshëm te kam puthë”. Nji lloj estetike, që mund ta përcaktojmë si sekretive, gjendet në këtë varg: “e mbledhi jargët tueja me shëru plagt e buzëve”. Ma tej, kërkesat poetike, janë të çuditshme ndërsa prapë lexojmë këto vargje: “Më duej, ç’njerzisht” deri në konstatime të tilla të tipit: “e përdhunon tokën pa marrë frymë”. Alarm i kuq! Mbani fëmijët larg nga ky libër! Në sintoni me Halilajn, deklamacioni i Zadrimës asht i përafërt: “Tash jam përbindsh”. Pra, mos thoni se nuk na tha.

Nji autore tjetër, që duhet me thanë se nuk e ka ekspozenë e saj të parë brenda rrjeteve sociale, por qysh para viteve ’90 (atëherë kur shkruente poezi për kuqaloshët, khs. poezinë “Yjet” Nëntori, 3/1987), asht Rozafa Shpuza me vëllimin “Grizhlat”. Para se me u ndalë në disa vargje të saj, na duhet me thanë se këtu gjejmë të njëjtën poezi me dy tituj të ndryshëm. Kësaj i thonë “me e shitë dy herë të njëjtin mall”. Poezitë “Trille gështenjash” (f. 8) dhe “Kornizë tetori” (f. 66) janë të njëjta, megjithëse kanë nji konfigurim tipografik ndryshe. Aty shkruhet: “Janë vija t’qindisuna në mish / si vetimat kur firmosin testamentin”, tue kalue nga perceptimi trupor (i dhimbshëm duhet me thanë) në nivele atmosferike. Synimi medoemos ka qenë qiellorja! Të shohim se ku shkon imagjinata, lidhun me këtë detaj: “Orgjitë e reve shtatzana / shkapesin dufin mes kofshëve / e çadrat qullen prej dëshirës…” Diku ma tej gjejmë: “Shtërngoj grushtin sa herë druhem” Le të kemi kujdes se kushedi si mund t’i ketë nervat, sepse po vetë ajo thotë: “e prore e hapi (grushtin d.m.th.) tue ngulë gishta n’re.” Pra veç robit duhet me iu drashtë dhe ai që asht përmbi ne. A keni vërejtë ndonjiherë përcaktime të kësaj natyre për shpirtin? (Të ngratët teologë që s’paskan ditë asgja!) Ja dhe hapni veshët, “Shpirti rrëshqet ndër kambë.” Sigurisht askush nuk do të dëshironte me i dalë shpirti në këtë farë feje… Atribute poetike për muzgun, kemi lexue plot në letrat shqipe, por ama si ky varg zor se gjejmë: “e muzgu hamshor i turret vrikthi / filigranit naziq të horizontit”. Sërish jemi në esencialitete poetike që nuk merren aspak me ndijimin intim të vargut, por me përjetime që shëmbëllejnë nji regjistër zoologjik. Autorja në fund të fundit flet ma shumë se çdo analizë e jona.

E radhës, në këtë rreth autoresh asht edhe Elona Çuliq. Në librin e saj, kund 30 poezi, “Patitullni”, konstatojmë vargje që ta çojnë barkun peshë: “me vnerin që t’valon barkut”. Sikurse mund të jenë dhe vargje okazionale, në sprovat kulinarike: “ti brumon lëkurët tona / e megjithat’ nuk njeh brumin tand.” Atij që i referohet, i ishte dashtë me pyetë autoren, se ajo e njeh mirë brumin. Sepse përveç këtij të fundit, ajo njeh edhe nocione abstrakte, siç asht fryma, përderisa ajo thotë: “prandaj t’i kam pi frymët”(tash e mbrapa mundeni me porositë ndër lokale edhe cocktail frymësh). Por nuk mjafton vetëm me kaq, ajo din me çue edhe hurba mëngjesesh, si p. sh. poezia “Nji hurth ag”. A duhet të druhemi nga këto pohime: “Asht nji botë brenda meje / me thepina brinjësh, / ku njerëzit vijnë / e mbesin të shkyem ndër to”. Pra logjikojeni vetë. Nëse nuk doni me u çaraveshë, rrini larg.  Ndër të tjera gjejmë dhe këto vargje çudibërëse: “Jam zonja e mishit dhe gjakut” si dhe: “e trotuaret i lidhi prej gjuhësh”; “Diellin e kishte kapërdi n’trupin shterpë nga shpresa”.

E njohun po kaq shumë dhe në rrjetet sociale, edhe pse me nji kontribut modest gjatë ’90 në letërsi, asht dhe Entela Tabaku Sörman tek e cila ndeshim vargje, në vëllimin “Një grusht jetë sa me vdekë”, me përfytyrime të natyrës torturuese (fjalët kode janë: gjak, mish, djegie, përcëllim, etj.): “a e ke provu me e zhytë dorën në flakë / me e kapë drunin që digjet ngadalë / me ia shkërmoqë prushin me gishta / mandej me e shtrëngu në pëllambë / dhe me ia ndi erën lëkurës që përcëllohet / ulurimën mishit që shkrumbohet / të fikunin gjakut që përthahet në vena / me ia ndi shkrimjen / kocit që përpihet deri në palcë / a e ke provu?” Askush, mendoj, s’do e provonte pavarësisht pyetjeve të autores!

Por duhet thanë se dhimbja mund të jetë edhe ma e madhe se kaq, kur lexojmë ndonji autore tjetër si Donika Dabishevci, me kontribute qysh nga 1996, e cila i ka të kategorizueme dhe specializueme llojet e dhimbjeve. Pra, do konkludojmë se ka tipologji dhimbjesh! Në vargjet e librit të fundit të saj “Kam me ardhë si deka” mund të lexoni: “Ni gur t’madh me ta rrokullisë trupit / me tu gjujtë si dhelpën egërsisht”. Mund të vëreni qëllimet dinake ndaj adresuesit. Tjetër: “Se erdh koha me t’i shkye shtatë lkurat / si rrangallë t’vjetra me t’i thye / tuj gërmue me e gjetë palcën / e naj vishkull drite n’sy”. Nga dhuna me objekte (nji gur që rrokulliset trupit) kalojmë në rrjepje të lëkurës. Këto nuk janë asgja në të vërtetë, kur mund të mendosh se autorja pohon: “Nisem drejt teje / si drejt preje / me t’u vërsulë”. Përfytyrojeni turrin e saj; nga nji dhelpën dinake befas transformohet një nji grabitqar (ose bishë, se kështu e përcakton diku tutje: “e nisi me u qetu bisha”). Turret prapë: “s’ke me m’pshtue / e n’metsh mas kësajna gjallë”. Por nuk ndalet me kaq. Sigurisht ajo s’ka dëshirë me e lanë adresuesin gjallë kurrsesi. Përveç dëshirave kafshnore, e torturuese sadizmi shkon deri në atë pikë sa thotë: “si trofe t’varrosi me ritual pagan”. A mund të imagjinohet dot vallë ose a mund të zihet besë (kur thotë vetë: “kam me t’pre n’besë”) pas gjitha këtyne, kur ajo thotë: “Jam krejt e brishtë”.

E fundit në radhë, jo ma pak nga randësia, asht dhe nji autore fejsbukiste “me pretendime letrare” që kultivon nji gjuhë mëhalle, ashtu si shumë shoqe të veta. E në fakt, mëhallelicat janë ajka e kulturës sot! Tek Leticia Gargjola gjejmë këto vargje, gjoja me ndjenjë. Si e koncepton kjo autore nocionin e erotizmit? Hiç ma pak, po: “E due me shkapetje ket ndjenjen tande […] shkapetje qi […] t’len shej n’mish”. Ose ftesa të tilla: “Hajde me zjerm e nerva / E shkapeti deshirat e mija n’qoshe”. Brenda rrethit të këtyne autoreve, të pellgut të Shkodrës, fjala “shpin(d)ë” asht produkt i “metaforave” të pafundme. Nji ndër to asht dhe ky varg i kësaj autoreje: “[…] fjalët tueja nuk erdhne me shiun e diellit, / por me breshnin e vjeshtes / tue lanë gropa në shpindën e zemres […]’’ sikurse: “shtriva dorën me ndalë / rrjedhën e kohës / që e ndjeva tuj m’rrëshqitë për shpinë”.  Si te Çuliq dhe te Gargjola gatimi mbetet preferencë (sikur të rrinin aty me profesion ma mirë do të ishte!). Vargjet që vijojnë na dëshmojnë:  “ku ajrit i vinte era kek”; “me ç’ngjyrë kje gatue lumtunia jeme / E ç’shije ishin lot’t e mi.”; “ty brumë i bardhë qi kur t’piqesh […]”. Edhe aspektet metafizike i ngatërron me ushqimin. (Eh kjo kohë e unshme!). Ajo shprehet: “[…] tuj vallzue mbi kujtese, e tuj hanger nostalgjinë n’dhamë”. Në shqisa shijimi e nuhatjeje kemi: “Ke me ardhë se mue ka me m’ardhe era femen [të gjithë ashtu shpresojmë!] kur t’nuhatem e pagjumun gzimit, e tuj mos dijtë ku mbaroj unë e fillon ti, kam me zg’jatë andrren deri n’kerthizen tande.”

Tek këto autore, ku disa sosh janë dhe fituese projektesh, çmimesh deri edhe në Ministri Kulturash madje (për shkaqe lidhjesh farefisnore që dihen tashma, si fjala bie te Çuliq), patëm mundësi të shohim disa tipologji të reja në poezinë shqipe të autoreve femna. Si: poezi animaleske, horrori, kulinarike, sekretive, misandriste e kështu me radhë. Ky trajtim i shkurtë që asht ba specifikisht mbi poezinë e shkrueme nga femnat, së pari asht apel për juritë që gjykojnë këtë produkt; së dyti për kritikët që bajnë superlativa dhe nuk shohin se ku asht produkti real i poezisë shqipe, dhe së treti, për lexuesin që të bahet ma selektiv e mos të bjerë pre e divulgacionit. Nën pretendimin e pozicionimit të motos feministe, këto autore po kontribuojnë denjësisht për të kundërtën, tue krijue nji hendek të madh mes tyne dhe traditës pararendëse (me përfaqësuese eminente si Bedi Pipa). Njikohësisht ky artikull asht nji memo edhe për institucione apo individë që promovojnë gegnishtën, që të jenë ma të vëmendshëm dhe sensitivë për rolin që po i jepet këtij produkti. Këto të fundit, si edhe ne (detyrimisht edhe vetë autoret), duhet me ditë se poezia nuk asht për këdo dhe se ekziston nji diferencë mes të qenit dashamirëse e poezisë dhe poete.

7 komente për këtë artikull
  1. rita at 4:57 am

    i ke ra pikes, se na lodhne me krijimtari, ka tre libra ne muej bajne…Si te paska pshtue Aleksander Pali qe shkruen ka kater poezi ne dite edhe Gjergj Kola qe vetem kete vere ka shkrue nja 5 a 6 drama…prej Shkodret i ke edhe keta, por je kape me femna

  2. vjosa osmani at 3:17 pm

    Nuk e kuptoj si merr guximin te shkruash per poezine, ti qe duket se nuk ia ke haberin poezise dhe as kritikes! Guximi i te marreve dhe injoranteve shpellare. Eshte problemi i portalit qe nxjerr lloj-lloj shkrimesh, jo i çaprashitjeve tuaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *