Dhuna si modus vivendi

Postuar më: 16 September 2017 13:32

Nga Dr. Mirela Oktrova

Diskutimi publik, që pasoi jetën e fundit, që dhuna gjinore këputi bujshëm në mes dhe shpërdorimi i saj mediatik janë pak të konsiderohen të paskrupullta… Spektakli i ngritur mbi tragjedinë e gjakut të derdhur për fajin tonë vijon të përdoret për kuota teleshikuesish dhe shitje tirazhezh, profilim specialistësh e protagonizëm juristësh, afirmim formatesh dhe rivalitet strategjish … Në këtë lojë të trishtë interesash, që s’kursen as viktimën dhe as jetimët e saj, vëmendjen, që i takon dukurisë dhe luftimit të saj e merr agresori dhe motivet e tij… . Nuk e kuptojmë, apo nuk na intereson të dimë, se po estetizojmë dhunën gjinore dhe po shndërrojmë në heronj protagonistët e saj? Në një kohë, kur jetët e këputura dhe të tjerat e rrezikuara kërkojnë sensibilizim, mobilizim, solidarizim – angazhim, përkushtim dhe hetim të fenomenit në thellësi.

Dhuna kundër grave ushtrohet kryesisht nga të afërmit ose partnerët. Autorët e saj janë burra, baballarë, vëllezër dhe kolegë. Gratë goditen aty ku ato ndihen më të sigurta – në shtëpi ose në mjedise të njohura. Vendet tipikisht “të frikshme”, si parqet apo rrugët e errëta janë shumë rrallë skena krimi krahasuar me shtëpinë – ku ndodh numri më i lartë i dhunimeve psikike, fizike, seksuale dhe kryhen sulmet më të rrezikshme për jetën e gruas. Dhuna në familje është më e rrezikshmja pasi është më e pakontrolluara. Ndaj kërkon sensibilizim të lartë shoqëror. Ajo ndodh pas mureve të shtëpisë dhe përtej kufijve të privatësisë, ndonëse ka gjeografi gjithëpërshirëse në hapësirë dhe shtresa sociale. Veçanërisht të rrezikuara rezultojnë gratë denoncuese apo në proces divorci, për rrezikun dhe sfidën që paraqesin për dhunuesit e tyre.

Ç’e shtyn dhunuesin të ushtrojë dhunë?

Personaliteti i dhunuesit është para së gjithash një profil me protagonizëm deficitar dhe komunikim problematik me botën, i cili shpërdoron butësinë emocionale të partneres për të qetësuar me dominancë komplekset e fituara gjetkë. Veçanërisht në kushtet, kur ekzistenca e tij “harrohet” nga mirëqenia, vëmendja shoqërore, suksesi dhe komuniteti, dhunuesit “godet” për të tërhequr vëmendje dhe për t’u bërë protagonist – në çift, në familje, në mikro- dhe në makrokomunitet. Po dhuna ndodh edhe në kushtet paaftësisë për të komunikuar dëshirat dhe pakënaqësitë, pasi emocionet e pashprehura grumbullohen deri në nivel shpërthimi, duke prodhuar paaftësi për vetëkontroll dhe duke u shkarkuar si dhunë. Pasojat – në të dy rastet – janë të krahasueshme me gjendjen pas dehjes, ku vetëdijësimit për padrejtësinë e ushtruar i rri përballë lehtësimi afatshkurtër, që prodhon shprehja e furishme e ndjenjave. Nëse dhunuesi rishtar nuk ndërgjegjësohet në kohë, nuk mëson të jetojë ndryshe protagonizmin dhe të kanalizojë ndryshe emocionet e veta, veprimi rrezikon të kthehet në model, sapo vetëdija e padrejtësisë të zërë të zbehet dhe presioni i emocioneve të ndrydhura të dominojë sjelljen.

Ç’e pengon gruan t’u shmanget apo t’u kundërvihet “marrëdhënieve të dhunës”?

Së pari, analiza joracionale e kërcënimit – për shkak të lidhjes së fortë emocionale me partnerin, gruaja është e befasuar nga dhuna dhe e pafuqishme të kuptojë arsyet e saj. Ajo është e paaftë të parashikojë momentin dhe formën e dhunës dhe e pafuqishme ta parandalojë apo ta reduktojë atë me sjelljen e vet. Gratë që kalojnë për herë të parë nëpër këtë cikël shpresojnë se dhuna do të ndalet. Gratë që e kalojnë disa herë këtë cikël, heqin dorë nga siguria e tyre në kërkim të një idili inekzistent, çka prodhon mungesë respekti për vetveten, krizë identiteti dhe poshtërim.

Së dyti, ambivalenca emocionale e dhunuesit, sjellja e të cilit varion nga periudhat e dashura tek ato të dhunshme. Pas dhunës, dhunuesi shfaq dashuri dhe pendim, kërkon ndjesë dhe premton se nuk do ta përsërisë më kurrë. Kjo mënyrë sjelljeje bëhet shkak, që vlerësimet racionale të rrezikut, ndjenja e zemërimit dhe ankthi i gruas të zhvendosen në nënvetëdije – për hir të dashurisë, ajo vendos ta “ndihmojë” partnerin, duke bërë gjithçka ai “do”, për të mos e shtyrë ta rrahë sërish. Po nxit padashje të kundërtën dhe partneriteti degradon në spirale dhune e dorëzimi.

Së treti, frika nga reagimi akoma më i dhunshëm i partnerit ndaj përpjekjes për t’u mbrojtur ose për t’u divorcuar. Si motiv shërbejnë jo vetëm faktorët psikologjikë dhe aspektet ekonomike, por dhe vlerësimi racional i rrezikut si për vetë gruan ashtu edhe për fëmijët. Fakt është, se shumica e keqtrajtimeve dhe vrasjeve ndodhin pas denoncimit apo gjatë divorcit.

Së katërti, mungesa e mbështetjes shoqërore – frika nga stigmatizimi, si grua dhe nënë e paaftë të garantojë një jetë familjare harmonike dhe qëndrimi tradicional i komunitetit, që nuk fajëson dhunuesin por viktimën, për shkak të vlerësimit maskilist të komunitetit për personalitetin e gruas dhe paragjykimeve, që ndikojnë perceptimin e dhunës në familje.

E shndërruar në një çark të pakapërcyeshëm, dhuna – dhe nëse nuk vret – shkakton dëmtime të rënda fizike, si: deformime kockore nga thyerjet e patrajtuara, trauma nga goditjet në kokë, dëmtime të organeve të brendshme, plagë dhe shëmtime të fytyrës, dhëmbë të thyer, gishta të shtrembëruar ose të munguar, reduktim shikimi dhe dëgjimi. Ajo trondit të gjitha marrëdhëniet e jetës së gruas, shkakton ndërlikime të rënda psikike dhe çon në terapi tre në shtatë gra të prekura.

A mund të bëhet fjalë për simptoma apo shenja paralajmëruese të fenomenit?

Fatet e viktimave flasin gjuhë të ngjashme dhe japin dorë për identifikimin e një tipologjie të caktuar sjelljeje: përçmimi i femrës dhe mohimi i rolit të saj shoqëror, paralajmërojnë, se përbuzja për gratë e tjera do t’i kthehet dikur dhe partneres; xhelozia dhe kontrolli mbi sjelljen dhe shoqëritë e gruas sot paralajmëron izolimin e saj nesër; dhuna dhe agresiviteti i shfryrë në sende e orendi, janë simptoma frike që s’do kursejë nesër grua dhe fëmijë, mënjanimi nga vendimmarrja mbi jetën e të sotmes paralajmëron humbjen e plotë të kontrollit mbi të nesërmen – një paradigm, që duhet ta njohë dhe ta mbajë larg vetes çdo vajzë dhe grua. Po jo vetëm kaq!

Dhuna ndaj gruas është një plagë globale me statistika ngjethëse: një në tri femra bie çdo vit viktimë e dhunës fizike ose psikike, një në pesë syresh viktimë përdhunimi ose tentative për përdhunim, 1,5 milionë fëmijë vriten çdo vit për shkaqe gjinore dhe mbi 3 milionë gra dhe vajza gjymtohen çdo vit seksualisht nga prindët dhe të afërmit. Po megjithëse në borxh ndaj gjinisë femërore është e gjithë bota – statistikat flasin gjuhë varfërie – si në rastin e 300 000 grave, që humbin jetën çdo vit gjatë lindjes apo shtatzënisë, 99% prej të cilave në vendet e pazhvilluara.

Po statistikat e përbotshme nuk përbëjnë justifikim!

Vetëm detyrim për angazhim dhe solidarizim me të pajetat dhe të pagojat…!

Pa kushte! Dhe para së gjithash pa interes! Ndryshe, dhunues do jemi NE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *