Çili: Vonesa shqiptare është thjesht mungesa në vendosjen e tregut

Postuar më: 22 September 2017 23:52

-U promovua sot në mjediset e UET, libri i Henri Cilit: Vonesa Shqiptare”; Si e bëri Edi Rama elektoral reformizmin në 25 Qershor

Mimoza Ahmeti: Ky libër, për mua personalisht tregon marrëdhënien e sistemit me kulturën, marrëdhënien e sistemit me njerëzit. Ky libër është një observim. Ne kemi shumë pak observime të tilla në kulturën shqipe, të marrëdhënies së sistemit me mjedisin e vet.

“Vonesa shqiptare” nuk është as antropologjike, as hyjnore, as mistike, është thjesht mungesa në vendosjen e tregut.

Ky është shqetësimi aktual për botuesin, por në zanafillë gazetarin, Henri Çili pse në çdo element të shoqërisë sonë në politikë, ekonomi, arsim, shëndetësi etj mungon tregu.

Ky është shkaku që e nxiti në reflektimet e tij për të hedhur në qarkullim librin “Vonesa Shqiptare”, botim i Institutit Pashko të promovuar në mjediset e UET, me prezencë të mjaft intelektualëve, akademikë, gazetarë, publicistë, shkrimtarë, pedagogë….

Një ese e shkurtër plus 10 artikuj, polemika dhe ndërhyrje publike të cilat vërtiten përreth reformizmit, populizmit, liberalizmit që Çili ka mbajtur në mjedise të ndryshme mediatike.

Në këtë libër Henri Cili sjell një kërkim të ri social politik, kundrejt konteksteve, forcave, historisë së tyre dhe tendencave të riorganizimit, në përmbledhjen e shkrimeve me titull “Vonesa shqiptare”, në të cilin përpiqet ta kthejë të kuptuarit e tij në një perspektivë orientuese më të mirë për të gjithë.

“Titullin “Vonesa shqiptare” ma ka dhënë me intuitën e saj poetja, dhe akademike Mimoza Ahmeti, e cila tek recensa e librit të parë, kishte një kontekst që në fakt shkaku i vonesave shqiptare janë mosvendosja e tregut në çdo element të tij, mosvendosja e meritokracisë në çdo element të tij në garën politike, ekonomike, intelektuale, arsimore, në garën shëndetësore dhe të të gjitha llojeve të tregjeve…”, tha ndër të tjera Çili në fjalën e tij.

Për poeten Mimoza Ahmeti, e cila ka bërë dhe parathënien e këtij libri, ky është një libër provokues.

Ndërsa i është përmbajtur linjës së këtyre refleksioneve duke thënë në fjalën e saj, në promovimin e librit se: “ky libër, për mua personalisht tregon marrëdhënien e sistemit me kulturën, marrëdhënien e sistemit me njerëzit. Ky libër është një observim. Ne kemi shumë pak observime të tilla në kulturën shqipe, të marrëdhënies së sistemit me mjedisin e vet. Sepse ne jemi mësuar, gjithmonë që, të na shohin të tjerët, të na etiketojnë të tjerët dhe ata, të tjerët të vendosin për ne. Kështu që, ky libër në gjithë procedurën e vet, megjithëse tenton në analizën e tij, tregu nuk është gjë tjetër veçse një konsensus midis palëve për të zbatuar rregullat e lojës. Ky është tregu. Për këtë po luftojmë prej vitesh…”.

Në parathënie, Ahmeti veçon se perspektivat reciproke dhe strukturore, që orientohen nga marrëdhëniet me sjelljet, të grupimeve dhe individëve të tyre socialë, hulumtohen e përgjithësohen nga Henri, si reformator dhe autor, ngandonjëherë pa konsumuar plotësisht lëndën, por kjo prej shpejtësisë së vëzhgimeve dhe intensitetit të përvijimeve.

Gjithsesi duke na dhënë linja perspektive për veten dhe të tjerë, duke hedhur piketa të identifikimit, Henri Çili po jep një ndihmesë të madhe për strukturimin gjithashtu të identitetit tonë bashkëkohor.

Duke iu referuar në thelb mendimit të shprehur më parë, si e bëri Edi Rama elektoral reformizmin në 25 Qershor, Çili ndërhyn për të reflektuar çfarë ndodhi në jetën politike dhe kulturën shqiptare që e quan sui-generis.

“Një populist par-exellence dhe provokator si Edi Rama fitoi me një program shumë regresiv në vitin 2013, një program i cili premtonte anulime kontratash dhe shumë gjera të tjera, bashkë me elementë taktikë që lidheshin me koalicionin PD-LSI, u krijua një shumicë shumë regresive dhe e rrezikshme, për shoqërinë shqiptare dhe qeverisjen e vendit. Fatmirësisht realiteti, ose përballja me realitetin e vërtetë gjatë qeverisjes së vendit bëri që Edi Rama të përmbyste kursin, ose të ndërronte plotësisht kursin çka në mënyrë modeste ia kisha sugjeruar në librin e mëparshëm; sa shumë ta braktiste programin regresiv të 23 qershorit, aq më mirë do ishte”.

Tani kemi një situatë të re, thotë Çili, kemi kthimin e ideve liberale për shtetin e vogël për shkurtime të administratës, procedurave, ulje të taksve dhe shumë gjëra të kësaj natyre që janë shumë të dobishme për shoqërinë shqiptare.

“Përkundër kësaj, reaksioni ndaj një kulture të re politike është: ose i panatyrshëm ose i pakuptimtë. I panatyrshëm është praktikë e opozitës së djathtë e cila kanë marrë terma të majta, dhe i pakuptimtë është për segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare të cilët e ruajnë inercinë ose duan ta ruajnë inercinë prej kundër-rrymës. Mendoj se këto dy arsye bënë, më së shumti, që Edi Rama të fitonte në fund të mandatit më shumë se ç’fitoi në fillim të tij. Ky është një rast shumë interesant nga pikëpamja e komunikimit në të cilin pse jo ka ndikuar dhe droga dhe kriminelët dhe shumë elementë të tjerë megjithëse ato i mbikëqyrnin ministrat teknikë…”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *