A ka motor ekonomik programi reformator i Edi Ramës?

Postuar më: 13 September 2017 08:43

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama shpalli programin e qeverisë së tij në katër vitet e ardhshme për të marrë besimin e Parlamentit. Një paraqitje e shtyllave kryesore ku do të bazohej qeverisja në mandatit e saj të ri. Ajo që u vu re nga ky program, përtej debatit nëse ishte i detajuar apo i plotë, ishte fakti i theksimit të rrugës reformatore të Ramës.

Në mandatin e tij të parë Rama ndërmori një seri reformash të domosdoshme, për të formalizuar ekonominë shqiptare, të cilat kanë filluar të japin efektet e tyre pozitiv. Mirëpo, dihet që kur ka rregullime ekonomia fillon e tkurret. Gjithashtu, një pjesë të rëndësishme të mandatit të tij të parë, e zuri politika estetike, gjithashtu e domosdoshme, në një vend ku hyrjet e qyteteve ngjanin si të një shteti në gjendje lufte.

Të gjitha këto reforma ishin të domosdoshme, por qeveria e re ka për detyrë të tejkalojë këtë fazë për të menduar se si do të rrisë vendin ekonomikisht. Në programin e Ramës që lexoi në Parlament, nuk ishte e qartë se kush do të ishte sektori që do të tërheqë ekonominë shqiptare . Ishte një fjalim i përgjithshëm për insistimin e reformizmit, i cili nuk është një qëllim në vetvete, por një instrument i cili duhet të ketë si qëllim pasurimin e vendit. Sfida e vërtet jona është se si të  rritemi çdo vit e më shumë ekonomikisht.

Padyshim që Rama theksoi disa prioritete ekonomike si rritja e rrogës apo rritja ekonomike, por ajo që mungoi dhe nuk është ende e qartë,  është fakti se cili do jetë motori ekonomik që do të arrijë këtë qëllim.

Kështu që, sa më parë që qeveria e re të përcaktojë qartazi sektorët ekonomik ku do të fokusohet aq më lehtë do të arrijë objektivat e saj.

Mbas mandatit të tij të parë reformator, Rama duhet të fokusohet te ekonomia. Nëse ky mandat nuk do të realizojë rritjen ekonomike e nevojshme për të ndryshuar cilësisht jetën e shqiptareve, atëherë çdo retorikë që “po bëjmë shtet” nuk do të bind më qytetarët.

Jo vetëm kaq, por duhet të bëjë të qartë sa më parë rrugën që do të ndjekë, për të arritur përmirësimin e jetës së tyre.

Për shembull, si do të rriten investimet e huaja? Përse mungojnë markat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar?

Këto janë pyetje që duan një përgjigje sa më shpejt.

Kjo ishte dhe  një nga akuzat që Rama iu drejtoi ambasadorëve tanë, për shkak se nuk kishin bërë aq sa duhet në këtë drejtim, ndoshta, me të drejtë. Megjithatë tërheqja e investimeve të huaja kërkon një strategji më të madhe se sa kaq. Për të qenë konkurrent me vendet fqinje kërkohen kushte ekonomike, duke filluar që nga krahu i punës, jo thjesht i lirë, por i specializuar e deri te taksat e favorshme.

Gjithashtu, kërkohen kushte institucionale të përshtatshme, që nga administrata efikase e deri te një drejtësi jo e korruptuar. Për të gjitha këto arsye, mungojnë ende në Shqipëri korporatat e mëdha ndërkombëtare që kanë një ndikim thelbësor në zhvillimin ekonomik.

Investimet e huaja janë një nga problematikat që përballet ekonomia shqiptare.

Ka çështje të rëndësishme në këtë drejtim që askush nuk kërkon t’i kthejë në qendër të opinionit publik. Të gjitha këto janë temat ku duhet të fokusohet debati publik për qeverinë e re.

1 koment për këtë artikull
  1. Tim at 2:59 pm

    Kompanite e medha ne bote nuk vijne nese ka ‘fuqi te lire punetore’ sepse ato akuzohen se po skllaverojne njerezit. Pra, mjaft me ‘fuqine e lire punetore’. Kompani si Nike, Adidas, etj. jane detyruar te mbyllen kur eshte gjetur se njerezit punonin per shume pak. Pra, duhet te jete e kunderta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *