Intervista/ Eni Vasili zbulon formatin e madh të ‘Studio e hapur’: Suprizat e këtij sezoni televiziv

Postuar më: 13 September 2017 20:02

Emisioni i parë për këtë sezon ishte të hënën e 11 shtatorit. Do të jetë pak thyerje nga rregulli për “Studio e Hapur” që për vite me radhë është transmetuar të martave mbrëma. Por drejtuesja e emisionit, sqaron menjëherë se nga e marta nuk do të heqë dorë, për hir të asaj besnikërie ndaj publikut që është mësuar ta ndjekë në këtë ditë të javës.

“Do të vazhdojmë të jemi “on air” të martave,por do të debutojmë këtë sezon edhe të hënën dhe gjithashtu të premten”–zbulon Eni, ndërsa shton se është një sfidë që i ka bërë të gjithë pjesëtarët e stafit të jetojnë mes ambicies, dëshirës, por edhe ankthit. “Mundohem të menaxhoj padurimin apo dyshimet e pjesëtarëve të stafit, por nuk e fsheh që edhe unë mezi pres të fillojë sezoni i ri me vetëdijen e përgjegjësisë që kemi marrë”.

“Studio e Hapur” tashmë numëron 12 vite jetë televizive e po aq i gjatë ka qenë edhe rrugëtimi me të i drejtueses Eni Vasili, e cila e quan këtë program sfidën e saj më të madhe profesionale. Një logo që rezistoi në kohë edhe përballë konkurrencës apo konsumit. “Ka qenë një udhëtim fantastik në vite të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe unë me programin tim kemi qenë aty në përpjekjen e vazhdueshme për të zbërthyer ngjarjet, personazhet dhe të vërtetat e kësaj dekade”.

Por kësaj herë është menduar që “Studio e Hapur” t’i lërë hapësirë edhe anës njerëzore të personazheve që jemi mësuar të kemi në studio. Do të gërshetojmë kështu intervistat profesionale me rrëfime private, kjo sidomos të premteve ku do të fokusohemi kryesisht në lëmin e intervistave dhe dëshmive…
Çfarë do të sjellë ky sezon i ri i “Studio e hapur? Cilat janë risitë dhe si është rikonceptuar?

“Studio e Hapur” vjen këtë sezon mediatik me transmetime tre herë në javë në televizionin “News24”. Ky është lajmi kryesor sa i takon sezonit të ri mediatik 2017-2018. Gjatë këtyre viteve transmetim, që nga 2005, programi “Studio e Hapur” ka variuar ditët e transmetimit nga një herë në javë deri në 5 herë, në varësi të konteksteve politike apo kërkesave të televizioneve me të cilat kjo patentë mediatike ka bashkëpunuar. Në fakt e marta ka qenë një ditë nga e cila nuk kemi hequr dorë kurrë, ka qenë një lloj besnikërie ndaj publikut që në vite është mësuar të na gjejë të martave në transmetim.

Do të vazhdojmë të jemi “on air” të martave, por do të debutojmë këtë sezon edhe të hënën dhe gjithashtu të premten. Kjo është një sfidë e rëndësishme për mua personalisht, por edhe të gjithë stafin e programit që aktualisht është në zgjerim. Synimi ynë është jo vetëm të realizojmë programe me interes dhe shikueshmëri, por edhe të jemi një vlerë e shtuar në listën e programeve politike, që janë jo pak në numër për një treg të vogël mediatik siç është tregu shqiptar. Jemi të avantazhuar nga fakti që News 24 është televizioni informativ më i ndjekur ne vend dhe me një audiencë të konsoliduar dhe në rritje.

Nga një herë në javë, tashmë do të jetë për teleshikuesit në tri herë në javë. A do të zgjerohet sfera e çështjeve që do të trajtohen?

Aktualiteti` do të jetë fjala çelës sa i takon temave që emisioni mëton të trajtojë. Qëllimi është të jemi aty për të thelluar ngjarjen më të rëndësishme të ditës, qoftë ajo politike apo e një sfere tjetër. E rëndësishme është që ne ti sjellim publikut në mbrëmje debate dhe këndvështrime mbi temën që më shumë e ka shqetësuar gjatë ditës. Në mënyrë specifike këtë qëllim do ta materializojmë nëpërmjet tre skemave; duelit, forumit dhe intervistave.

A ishte një matës periudha e fushatës zgjedhore, ku “Studio e hapur” u transmetua më shumë se një herë në javë? Cili ishte feedback-u që keni marrë nga audienca?

Në tërësi sezoni i kaluar i programit konsiderohet nga unë dhe drejtuesit e televizionit jashtëzakonisht i suksesshëm. Kemi konkurruar të martave me numrat më të mirë të shikueshmërisë duke u renditur në një mesatare të llogaritur në 96% të rasteve ,të dytët në preferencat e publikut duke ndjekur TV Klan dhe duke lënë pas të tjerët. Në numrat e audiencës, faktorin e impaktit dhe shumë elementë të tjerë bazojmë bindjen se programi duhet të jetë në transmetim tri herë në javë.

Sa vjet iu bënë tashmë “Studios së hapur”? Si ka qenë ky rrugëtim i përbashkët, i yti si gazetare dhe moderatore me këtë emision? Çfarë keni dhënë dhe marrë nga njëri-tjetri? Sa je formatuar ti brenda natyrës së emisionit dhe çfarë ka marrë nga Eni emisioni vetë?

Pas 12 vitesh transmetim mund të them se ky program ka qenë sfida ime më e madhe profesionale. Konsideroj sfidë jo vetëm faktin që kjo logo ka rezistuar në kohë, i ka bërë ballë konsumit që vitet dhe ngjarjet sjellin natyrshëm por që e ka bërë këtë me integritet edhe pse me shumë kosto personale dhe shumë investim profesional dhe shpirtëror për sa më takon. Ajo që më gëzon është fakti që publiku e ka kuptuar, mirëpritur dhe vlerësuar këtë investim timin dhe në fund e ka duartrokitur. Jam e lumtur çdo herë që shikoj numrat e audiencës që e justifikojnë këtë angazhim po aq sa lumturohem nga komunikimi i drejtpërdrejtë që shpesh kam me publikun në rrjetet sociale.

Pas realizimit të një programi të suksesshëm që presupozon gjetjen e personazheve të duhur për debat, temës dhe gjithë elementëve televizivë që i duhen një emisioni të jetë tërheqës ka shumë punë dhe energji njerëzore të dedikuar. Ky program nuk është thjesht një arritje personale por e të gjithë njerëzve që i janë përkushtuar dhe gjej rastin t’i falënderoj.

Në më shumë se një dekadë unë dhe “Studio e Hapur” jemi rritur në një lloj simbioze. Unë e kam ushqyer këtë program me ambicien, pasionin, përkushtimin dhe këmbënguljen time ndërsa programi më ka dhënë motivimin për t’i gjeneruar ato. Ka qenë një udhëtim fantastik në vite të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe unë me programin tim kemi qenë aty në përpjekjen e vazhdueshme për të zbërthyer ngjarjet, personazhet dhe të vërtetat e kësaj dekade.

Gjatë jetës së saj, cilat kanë qenë temat apo debatet që “Studio e hapur” ka ndezur? Momentet më të nxehta, më kritike? Sa është bërë faktor ky emision?

Janë shumë, në 12 vite nuk është e thjesht ti rendisësh por le ti referohemi vitit të fundit. Plot një vit më parë, shtatorin e kaluar vendosa të dal në transmetim me një degë kanabis në dorë, në shenjë denoncimi të një fenomeni që po e dëmtonte rëndë shoqërinë shqiptare. Nuk ishte një vendim i thjeshtë pasi në vetvete ky lloj aksioni është shumë i fortë dhe i paprecedent. Shumë kolegë të huaj me kanë telefonuar dhe përgëzuar për kurajën. Emisioni pati shikueshmëri maksimale, por zgjoi polemika dhe agresivitet nga ana e politikes. Kjo e fundit nuk është e mësuar të sfidohet fort nga emisionet e debateve qe në të shumtën e rasteve limitohen në “hardtalking”. Sot që flasim, pas plot një viti, vazhdon të qëndrojë një çështje e hapur në Prokurori për degën e kanabisit të një gazetareje në një studio televizive. Ironike kur mendon kuintalët që kapen çdo dite.

Sigurisht që politika mbetet tema më e nxehtë në Shqipëri dhe që tërheq publik më shumë, por a do e kapërcejë “Studio e Hapur” aktualitetin politik, drejt një natyre më gjeneraliste? Sa e hapur do të jetë dhe për kë dh çfarë do e hapë hapësirën kohore dhe vizive ky emision?

Në vëmendjen time si gazetare nuk kanë munguar kurrë çështjet sociale përfshirë këtu angazhimin tim të drejtpërdrejtë në çështjet e dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje në përgjithësi. Kësaj here megjithatë do i lëmë hapësirë edhe anës njerëzore të personazheve që jemi mësuar të kemi në studio. Do të gërshetojmë kështu intervistat profesionale me rrëfime private, kjo sidomos të premteve ku do të fokusohemi kryesisht në lëmin e intervistave dhe dëshmive ..

A po kthehet News 24 në një televizion më gjeneralist, jo thjesht informativ? A është një kërkesë e kohës, audiencës?

Televizioni News24 është lider në tregun e medias audiovizive dhe që ka shënuar një rritje të dukshme gjatë vitit të fundit. Kjo falë politikave vizionare të pronarit të këtij grupi mediatik, Irfan Hysenbelliu, grup që përfshin logo shumë të suksesshme të tregut mediatik siç janë edhe gazeta më e madhe në vend; Panorama,Panorama Sport, suplementi Panorama Plus, Gazeta Shqiptare, Revista Psikologjia apo edhe portalet shumë të rëndësishëm Balkanweb, Panoramaonline, gsh.al, etj.

Gjej rastin ta falënderoj publikisht për një bashkëpunim shumë të mirë që kemi pasur këto vite së bashku dhe mbi të gjitha për lirinë editoriale që më ka lejuar në çdo vendimmarrje për programin “Studio e hapur”, çka e konsideroj një vlere të rrallë për një realitet si i yni. Drejtori i Përgjithshëm i News2, Andi Tela, me një karriere te gjatë në gazetari ka ditur të ruaje vlerat më të mira të News24 ndër vite dhe t’i pasurojë ato me elemente të rinj profesionalë, duke i dhënë kështu një hapje dhe cilësi të re ekranit të këtij televizioni.

Personalisht si e sheh botën e televizionit dhe çfarë bën konkretisht për të bashkuar informacionin me tema që prekin shoqërinë përtej aktualitetit politik?

Televizioni është një botë shumë komplekse, por për mendimin tim është një nga industritë më të suksesshme dhe me investime serioze në vend. Investitorët e këtij tregu kanë qenë njerëz vizionarë duke e kuptuar rëndësinë e komunikimit në shoqëritë moderne dhe duke qenë kështu një hap përpara shumë sektorëve të tjerë. Mendoj se shpeshherë politika monopolizon disi diskutimin publik, por kjo është diçka që e dikton edhe interesimi i publikut. Shqiptarët vazhdojnë ende të jenë shumë të interesuar për politikën dhe personazhet e saj.

Kryeministri Rama, ish- kryeministri Berisha, Meta, Basha e të tjerë politikanë të këtij rangu marrin shikueshmëri dhe rankim të lartë në audiencë. Ndërlidhja e temave politike me impaktin që këto të fundit kanë drejtpërdrejt në jetën e qytetareve mendoj se është një element i paeksploruar mirë mediatikisht për shumë arsye. Për Studion e Hapur do të jetë një nga sprovat e sezonit të ardhshëm.

A do të ndryshojë formati ku në panel ka zëra të pozicionuar në këndvështrime, në mos të kundërta të ndryshme apo do të ruhet ky format?

Do të ketë disa risi në këtë kontekst. Përshembull, kemi menduar ndër të tjera që edhe mendimi i disa profesionisteve të angazhuar do të ishte me vlerë dhe interes të publikut. Pra njerëz që gëzojnë besimin dhe respektin e publikut si profesionistë do mundohemi ti veshim kostumin e analistit. Kjo në funksion të krijimit të një lidhjeje më të drejtpërdrejtë të politikës dhe interesave të publikut e për te thyer gjuhën shpesh herë te drunjtë të politikës me argumentet e pakontestueshme të atyre që me problematikat që krijojnë vendimmarrjet politike ndeshen çdo ditë.

Ndonjë projekt tëndin individual, përtej “Studio e Hapur”? Ashtu siç ishte botimi i librit “Unë kam vrarë”? A janë ende në fokusin tënd gazetaresk tema të tilla si dhuna në familja, dhuna ndaj grave apo grupeve më vulnerabël të shoqërisë?

Shumë shpejt programi do të dalë me një botim të rëndësishëm në treg. Do të jetë një pasqyrë e një pune në vite me një personazh të rëndësishëm të mendimit shqiptar.

Cili është personazhi?

Prisni edhe pak…

Kur nis sezoni i ri dhe si ndihesh pas pushimeve? Me energji dhe ide të reja?!

Emisioni i parë për këtë sezon do të jetë të hënën e 11 shtatorit. Sfida e madhe që na pret na ka bërë të gjithëve ne të stafit të jetojmë mes ambicies, dëshirës, por edhe ankthit. Janë të gjitha përjetime shumë të bukura dhe unë ju gëzohem çdo ditë. Mundohem të menaxhoj padurimin apo dyshimet e pjesëtarëve të stafit, por nuk e fsheh që edhe unë mezi pres të fillojë sezoni i ri me vetëdijen e përgjegjësisë që kemi marrë.

Nëse mund të na zbulosh një detaj pak më rozë, për lexuesit e revistë, ku i ke kaluar pushimet këtë verë? A munde dot të shkëputeshe krejtësisht nga puna për t’u relaksuar apo nuk i shpëton dot dhe e merr gjithnjë me vete?

Studio e Hapur ka qenë live deri në javën e fundit të korrikut dhe koha për të pushuar ishte vërtet e paktë. Gjithsesi përfitova të kaloja disa ditë ne bregdetin e Amalfit, Positanos, Sorrentos për të shijuar më pas kodrat e Toskanës me ngjyrat, aromat dhe shijet e papërsëritshme të atij vendi. Më pas edhe ca ditë në një nga resortet e Turqisë që të ofron pushim absolut dhe jetë të zvargur pushimesh mes detit, rërës dhe diellit. Por më duket sikur kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Tani e kuptoj që qenkam kthyer seriozisht e tëra në punë./Mapo Madame/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *