2666-ta: Fuqia e pafund e së panjohurës dhe fjalës

Postuar më: 09 September 2017 11:33

Shënime për romanin “2666” të Roberto Bolanos/ Nën përkthimin e Bashkim Shehut, Bolano vjen me gjithë fuqinë e gjuhës, duke na ftuar në një udhëtim të paharrueshëm brenda njohjes së njeriut, sidomos me fuqinë e së papriturës dhe të së pamenduarës. Një rrëfim që mbart kohën brenda.

Nga Agim Baçi

A mund ta imagjinojmë ndonjëherë fuqinë e pamatë të së panjohurës? A mund ta zbulojmë veten përmes njohjes së tjetrit? A jemi ne, të njëjtët pasi kemi përfunduar një udhëtim? Roberto Bolano nis anijen e madhe të rrëfimit të tij në një det që e njeh veç ai, e me stacione që veç ai e di se ku do të mbërrijë. Një rrëfim në pesë pjesë, sa të ndara aq edhe të lidhura, formojnë më në fund një hije të fuqisë së rrjedhës së jetës nën fuqinë e së panjohurës, që qëndron thuajse ngjitur me qepallën, por që herë arrijmë ta shquajmë në kohë, e herë vetëm se kur na ka rrëmbyer e na kërkon vetëm që ta ndjekim.

Gjithçka nis me katër kritikë që kërkojnë të njohin jo vetëm veprën e një shkrimtari që përflitet si fituesi i mundshëm i “Nobelit”, por edhe vetë jetën e tij. Por Beno fon Arçimboldi është veçse një emër që fsheh një tjetër jetë, tamam si një lëkurë që fsheh një trup. Kur nisin ta studiojnë kritikët, francezi Pelëtie, spanjolli Espinoza, italiani Morini dhe anglezja Liz Nortoni, shkrimtari gjerman nuk ishte edhe aq i njohur dhe, thuajse i padiskutuar në qarqe letrare. Studimet e tyre nisën ta fusin emrin e tij në qarkullim deri në përflitjen e tij si nobelisti i ardhshëm, ndërkohë që njohjet e katër personazheve me njëri-tjetrin plotësojnë telajon e fuqisë së të panjohurës, teksa përmes jetës së Arçimboldit ata njohin në fakt vetveten. Nisin të komunikojnë, të dashurohen, të udhëtojnë, duke plotësuar kështu një udhëtim të brendshëm. Këtu kiliani Bolano, ndryshe nga letërsia e realizmit magjik të latino-amerikanëve, sjell pamjen magjike të letërsisë, teksa fton njerëzit në rrjedhën e njohjes, e udhëtimit, e hapave të përditshëm. Eshtë një rrëfim ku vetëm ai vendos, ai drejton. Ashtu si një ndërtues i mirë, Bolano fjalë pas fjale të rrëmben, duke këmbëngulur të udhëtosh e udhëtosh pafundësisht, ashtu siç edhe personazhet e tij japin çdo ditë nga vetja për t’i njohur. Duke i rrëfyer për atë që pëlqejnë të zbulojnë te jeta e shkrimtarit, te proza e tij, të katër kritikët zbulojnë vetveten. Dhe në fund, ata janë udhëtarë të ndryshëm nga ata që kanë nisur udhëtimin, pasi zbulimi i vetvetes i ka shtruar për zgjidhje çështje të tjera, kërkesa të tjera nga ato që kishin përpara se të bashkudhëtonin si shkencëtarë dhe njerëz. Ashtu siç është edhe pamja e shumëkujt prej nesh pasi ka mbërritur në një pjesë të udhëtimit të jetës së tij, ku e sheh se nga nisja në pikën ku ka mbërritur ka shumë gjëra që duhet t’i ndryshojë, t’i rimendojë.

E padyshim, çelësi që ndez më së shumti këtë ndryshim është padyshim njohja e vetvetes në dashuri, në ndjesitë që lëvrijnë në lëkurë e të kërkojnë t’u qëndrosh atyre lëvizjeve që të japin jetë, që të bëjnë të ndjesh lëkurën tënde të jetë në vallëzimin e duhur të çasteve.

Udhëtimi i të katërve drejt qytetit meksikan të Santa Terezës, në kufi me Amerikën, ku dyshohet se jeton shkrimtari gjerman të cilin ata e studiojnë është edhe futja në botën e “jetës tjetër”, ku mjeshtërisht Bolano nis rrëfimin mbi pasigurinë. Në këtë botë, ku kryefjalë është rrëmbimi dhe vrasja, çelësi më i madh është gjetja e një rruge për të jetuar në siguri. Dashuria, për të ciliën shqetësoheshin katër kritikët europianë, në këtë qytezë është një luks i pamenduar, edhe pse rëndom ndodhin njohjet dhe jeta e pasur seksuale. Eshtë një qytezë ku vallëzon vdekja e jeta me të njëjtin ritëm, ku mund nisësh të dalësh që të takosh njeriun e zemrës dhe të të shënohet emri në listën e të humburve. Dhe profesori vejan Amalfitano, që e adhuron letërsinë, që njeh Arçimboldin, ka një tjetër shqetësim më të madh- rrëmbimin e së bijës, siç ka ndodhur me qindra vajza të qytezës. Një shqetësim që ka kufi vetëm çmendurinë. Regjistri i gjuhës ndryshon tërësisht nga ai i shqetësimit që kanë katër kritikët europianë dhe përmes një stili rrëfimi lexuesi mund të futet në botën e ankthit. Bolano gërsheton në këtë qytezë edhe gazetarin amerikan, Fejti, i cili i ardhur rastësisht për një reportazh për një ndeshje boksi, bëhet pjesë e një bote krejt të panjohur që ka kryefjalë pasigurinë dhe jetën që është gjithnjë me një hap me greminën. Fejti është më pas edhe ura e kalimit në një rrëfim ku lexuesi kthehet në rolin e një dëshmitari, apo si një juri publike, ku para syve i rreshtohen emra pafund vajzash të rrëmbyera,  të vrara e përdhunuara. Eshtë tmerri i një jete që tashmë ka vulën e vet të pashmangshme.

Pas kësaj stuhie përshkrimesh të magjishme, Bolano na rikthen atje, në nisje, në njohjen e shkrimtarit Beno fon Arçimboldi. E nis nga fëmijëria, ku djaloshi me gjatësinë e çuditshme, Hans Rajter, sjell jetën plot çudi e guxim. i tillë rritet, dhe i tillë merr pjesë edhe në ushtrinë naziste nën udhëheqjen e Hitlerit. Eshtë pjesë e betejave me rusët, ku nëpërmjet gjetjes së një ditari të një shkrimtari rus, ndërfut edhe përshkrimin e një letërsie të sistemit komunist – të një letërsie pa botë, me heronj të përcaktuar, me njerëz që nuk mendojnë sepse për ta “mendon partia”.

Këtu zë fill edhe vënia e një pseudonimi mbi rëfimet që nis të shkruajë vrullshëm pas luftës, pasi hansi ka frikën se do të jetë gjithnjë i gjurmuar. Ndaj kërkon që të shpëtojë duke vënë emër tjetër, e më pas duke udhëtuar. Dashuria e tij për Ingeborgun, marrëdhënia me të motrën, Loten, me botuesen Bubis që e njeh që nga fëmijëria, si dhe shkrimet e tij janë njëlloj të vrullshme. Jeta e tij është një botë më vete. Ai është vetë historia e botës së pafund të librit, që pas çdo shkronje mund të fshehë botë të ndryshme, që më pas ndryshojnë botë të tjera, që sjellin rrugëtime të pafundme njohjesh.

Hans Rjateri është një udhëtim – ashtu siç është historia e librit. Eshtë një rrëfim ku Bolano ka ndërfutur fuqinë e letërsisë, si një ftesë e hapur e një udhëtimi të pafundmë, që rrugën më të gjatë nuk e ka nëpër botë, por brenda lëkurës sonë, për nevojën e njohjes së asaj që na bën ne të ndjehemi mirë, që na bën ne të kërkojmë të njohim hapat tonë. Kjo është magjia e letërsisë së Bolanos. Ky është himni i tij për fjalën. Një roman që edhe pas 1097 faqesh vijon të të duket sikur ka ikur shpejt. Nën përkthimin e Bashkim Shehut, Bolano vjen me gjithë fuqinë e gjuhës, duke na ftuar në një udhëtim të paharrueshëm brenda njohjes së njeriut, sidomos me fuqinë e së papriturës dhe të së pamenduarës. Një rrëfim që mbart kohën brenda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *