Tre librat për fëmijë: Aventura, ngjyra dhe tinguj

Postuar më: 23 August 2017 10:41

Shtëpia botuese “Dituria” ka hedhur në treg tre libra për fëmijë, pakoja që përmban libra për çdo grupmoshë dhe është plot ngjyra, tinguj dhe mësime të vlefshme.

“Kebaria, vajza që lexonte bukur” nga Janja Vidmar: Vajza me emrin jo fort të zakonshëm është një tetëvjeçare rome së cilës i pëlqen shumë të lexojë. Ja, ky është edhe kuptimi i emrit të saj: lexuese. E do fort të atin, ose dadën, si i thotë ajo, i pëlqejnë përrallat, muzika e kërcimi rom çoçek si dhe shëtitjet me shokët e klasës.

Kur të rritet, Kedi, kështu i thonë të gjithë me përkëdheli, do të bëhet mësuese, që të ndihmojë edhe të tjerët. Çapkëne dhe e ndjeshme, ajo nuk i duron dot padrejtësitë, prandaj nuk mund ta pranojë kurrsesi që babanë e saj ta mbajnë në burg pa shkak. Ndaj thur një plan për ta shpëtuar dhe u futet shumë aventurave…

“Çadra e purport” nga Alki Zei. Na ishte njëherë një vajzë me emrin Letro, që kishte dy vëllezër binjakë… Kjo mund të jetë edhe një përrallë, nëse doni, nga ato që rrëfen gjyshja, për një çadër të purpurt dhe katër fëmijë në Greqinë e viteve ‘40. Çadra e purpurt është historia e mrekullueshme që gjyshja u tregon nipërve për fëmijërinë e saj dhe të Sakit e të thuthuqit Nonit, në një verë të nxehtë. Asokohe nuk kishin pajisje elektronike, lodra-përbindësha, makina plastike e ninxha, ama kishin njëri-tjetrin dhe ia kalonin për mrekulli. Ky libër është për fëmijë nga 9-13 vjeç.

Libri tjetër është “A di të fërshëllesh, Johana?”, shkruar nga Ulf Stark. Kandidat për çmimin më të madh të letërsisë për fëmijë, “Hans Christian Andersen”, Ulf Starku ka kapur majat me këtë përrallë magjepsëse të një djali të vogël, Berrës, që nuk ka gjysh, por shkon në shtëpinë e të moshuarve të “adoptojë” një.

Aty takojnë Nedin, që “duket se është tamam në moshë për të qenë gjyshi i tij”. Nedi bëhet me shumë dëshirë gjyshi i Berrës. Ai i fton vogëlushët për kafe, shëtisin bashkë dhe e mëson Berrën si të fërshëllejë, ndërsa Berra dhe shoku i tij i japim gjysh Nedit diçka shumë të çmuar: shpresë dhe dashuri. Shkrimtari suedez Ulf Stark, që ndërroi jetë në qershor të vitit 2017, përshkruan me lehtësinë dhe naivitetin e një fëmije të gjitha aventurat e dy çunakëve. Ky libër është për fëmijë nga 7-10 vjeç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *