Sot seanca konstituive në Kosovë, pritet bojkotimi i PAN

Postuar më: 24 August 2017 10:08

Sot do të mbahet seanca konstituive e Parlamentit të Kosovës ku pika kryesore e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit.

Seanca pritet të mbahet në orën 10:00. Në seancë pritet të mos marrë pjesë koalicioni fitues i zgjedhjeve, PAN, edhe pse data 24 gusht ishte propozuar nga përfaqësues të këtij koalicioni.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një status në facebook ka shkruar se është e domosdoshme krijimi i një qeverie stabël, dhe jo sa për të thënë.

“Nuk jemi aspak të interesuar që ta bëjmë një qeveri sa për ta bërë. Vonesat kanë të bëjnë me gjetjen e një formule për institucione stabël qeverisëse dhe prandaj opinioni publik duhet të na mirëkuptojë. Është koha që partitë politike dhe udhëheqësit e tyre të reflektojnë dhe t’i pranojnë rregullat e lojës që na i ka përcaktuar Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese dhe ta zhbllokojmë vendin. Ky vend nuk mund të jetë peng i inateve dhe kalkulimeve”,– ka shkruar Haradinaj.

Ky i fundit, pak ditë më parë ka deklaruar po ashtu se kërkon më shumë se 61 vota, që aktualisht vetë koalicioni i ka, për të krijuar një qeveri besimi.

Nëse PAN nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme, kjo do të ishte hera e gjashtë e refuzimit për të shkuar në Parlament.

Edhe pse jo zyrtarisht, emri i Kadri Veselit është artikuluar si propozimi i koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *