Ballina Argetim Robotët e Facebook: E vërteta pas ‘historisë rrëqethëse’

Robotët e Facebook: E vërteta pas ‘historisë rrëqethëse’

Shumë media ndërkombëtare kanë raportuar për një lajm që duket i ngjashëm për një skenar filmash. Sipas tabloidëve, robotët e Facebook e kanë çuar në një fazë tjetër Inteligjencën Artificiale pasi kanë krijuar gjuhën e tyre dhe po komunikojnë me njëri-tjetrin. Sa e vërtetë është kjo?

Nga Chris Baraniuk, BBC

“Inteligjenca e robotëve është e rrezikshme: Ky është paralajmërimi i ekspertëve pasi Inteligjenca Artificiale e Facebook ka zhvilluar gjuhën e saj,” shkruan gazeta Mirror.

Lajme të ngjashme janë raportuar edhe nga “The Sun”, “The Independent”, “The Telegraph” dhe të tjera publikime online.

Duket si një skenar filmash fantastiko-shkencorë.

“The Sun” madje poston disa foto të frikshëm androidësh për ilustrim.

Por a është koha për panik?

A duhet të përgatitemi për apokalipsin nga duart e robotëve?

Ndoshta jo.

Edhe pse disa nga mendjet më të mëdha- përfshi këtu Stephen Hawking- janë të shqetësuar se Inteligjenca Artificale mund të kërcënojë një ditë njerëzimin, historia e Facebook nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Nga doli kjo histori?

Në qershor, Facebook publikoi një blog me disa kërkime interesante për programet e bot-eve të bisedimit- që kryejnë biseda të shkurtra me njerëzit dhe me bot-et e tjera.

Facebook ka kohë që eksperimenton me bot-et, që negociojnë me njëri-tjetrin në lidhje me pronësinë e gjërave virtuale.

Më e rëndësishme, bot-et ishin programuar në mënyrë të tillë që të eksperimentonin me gjuhën për të parë se si kjo ndikon tek dominimi i tyre në një diskutim.

Pak ditë më vonë u raportua se në disa raste, shkëmbimet dukeshin në pamje të parë të palogjikshme.

Edhe pse raportimet e para spekuluan se bot-et kishin shpikur një gjuhë të re për të mashtruar pronarët e tyre njerëzorë, një shpjegim më i mirë është se ky rrjet thjesht po tentonte të modifikonte gjuhën me qëllimin e ndërveprimeve më të suksesshme- por nëse kjo funksionoi apo jo, mbetet një çështje tjetër.

Siç raporton faqja e lajmeve teknologjike, Gizmodo: “Në përpjekje për të mësuar nga njëri-tjetri, bot-et nisën të bisedojnë pa kuptim, por edhe pse duket e frikshme, kaq është e gjitha”.

Inteligjenca Artificiale që ripërpunon gjuhën angleze nuk është diçka e re.

Google raportoi se softueri i tyre i përkthimit e ka bërë këtë gjatë zhvillimit.

Më herët këtë vit u raportua se OpenAI po punon me një sistem që shpik gjuhën e tij, përmirëson aftësinë për të përpunuar informacionin me shpejt dhe për këtë arsye i trajton problemet e vështira në mënyrë më efektive.

Historia duket se është përhapur edhe për shkak të një përplasje verbale për rreziqet e Inteligjencës Artificiale mes shefit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg dhe sipërmarrësit të teknologjisë, Elon Musk.

Robo-frika

Por historia flet shumë për frikën kulturore dhe mënyrën se si na paraqiten robotët në media.

Le ta pranojmë, robotët janë sërish kriminelët më të mëdhenj në ekranin e madh.

Në botën reale megjithatë, Inteligjenca Artificiale mbetet një fushë e madhe kërkimesh për momentin.

Sistemet e projektuara dhe testuara për momentin janë shumë të komplikuara.

Një rezultat është se shpesh mbetet e paqartë se si funksionojnë këto rrjete, veçanërisht kur duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin si në rastin e eksperimentit të FB.

Kjo është arsyeja se përse disa thonë se të vendosësh IA në sisteme si armët autonome, mbetet diçka e rrezikshme.

Po ashtu kjo është një tjetër arsye se përse etika për IA është një fushë që po zhvillohet me shpejtësi.

Por sistemi i Facebook po përdorej për kërkim, jo në aplikacionet për publikim.

Ai u mbyll për shkak se po bënte diçka për të cilën skuadra e studiuesve nuk ishte e interesuar- jo për shkak se përbënte një kërcënim ekzistencial për njerëzimin.

Është e rëndësishme të kujtojmë se edhe bot-et e bisedimeve janë të vështira për t’u zhvilluar.

Në fakt vetë FB e ka kufizuar përdorimin e tyre pasi zbuloi se nuk ishin në gjendje që t’i përgjigjeshin mbi 70 përqind të kërkesave të përdoruesve.

Bot-et mund të programohen të duken si njerëzit dhe mund të na mashtrojnë në disa raste- por duket e pamundur të mendosh se janë të aftë të rebelohen.

Të paktën ata në FB janë të sigurt për diçka të tillë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here