Osmani: Nuk përfaqësojmë vetëm ‘Skënderbeun’, por gjithë shqiptarët

Postuar më: 24 August 2017 10:14

Sot ora 20:00, Skënderbeu–Dinamo Zagreb/ Mbrojtësi beson te kualifikimi

 

Tefik Osmani pret që e gjithë Shqipëria të kthehet nesër në tifozë të Skënderbeut për të mbështetur korçarët në rrugëtimin e tyre drejt grupeve të Ligës së Europës.

Në konferencën e djeshme për shtyp, ai ka bërë të qartë se tashmë skuadra nuk përfaqësonte vetëm një qytet, por të gjithë vendin tonë.

Sa besoni te kualifikimi në grupet e Ligës së Europës?

Ne si ekip e kemi provuar njëherë, kjo është diçka tjetër. Jemi futur me synim të qartë për të arritur këtu ku jemi. Kemi zhvilluar një ndeshje të parë shumë të mirë në Kroaci, jemi ndëshkuar në fund. Ka mbetur vetëm një 90-minutësh që po të bëjmë maksimum mund të arrijmë objektivin tonë.

Ka ndryshim mes kualifikimit nga Champions dhe ai nga Liga e Europës?

Është më e shkurtër si e arritëm atëherë. U mërzitëm kur nuk dolëm kampionë pasi e dinim që po të dilnim, rruga deri këtu ishte më e shkurtër, pasi Skënderbeu ka tjetër koeficient nga ekipet shqiptare. Do të përballeshim me një ekip më të lehtë dhe të gjithë besonim se do të arrinim grupet. Jemi këtu, edhe pse ka qenë e vështirë, na kanë mbetur vetëm 90 minuta ku besoj se përveç Korçës, nesër luajmë për të gjithë shqiptarët.

Duket se jeni përshtatur mirë në mesfushë. Është e vërtetë?

Mendoj që meritë kryesore ka trajneri, pa i bërë qejfin, e kam thënë edhe më përpara. E kam bërë atë rol edhe në ekipe të tjera, por këtu e kam bërë në vazhdimësi, në ekipe të tjera kam luajtur 1 apo 2 ndeshje.

Në Kroaci u ndëshkuat në fund ku edhe u tërhoqët në mbrojtje. Përse kjo taktikë?

Jo se morëm urdhër, por është një farë presioni që ushtron ekipi tjetër, nuk erdhi urdhër nga trajneri. Por është natyra që të bën të mbrohesh. Ishte si ndeshja jonë e fundit këtu. Në ndeshjen me Mlladën u desh të na shënonin që të zgjoheshim.

Njiheni si njeri i batutave. Keni ndonjë tani?

Kam bërë shumë batuta, po më mirë të bëjmë pas ndeshjes të tilla.

Por premion do e ndaje me tifozët…

Unë e kam thënë dhe kam fatin e madh që jam në një ekip si Skënderbeu, çdo gjë që thuhet mbetet dhe ne i kemi marrë gjithmonë premiot. E kam thënë dhe do e mbaj fjalën, do e ndaj me çdo tifoz në stadium.

Mendoni se ata do ju mbështesin në stadium?

Me ata kam kaluar vite shumë të bukura. E kam thënë edhe më parë. Përveçse veshim fanellën dhe luajmë për Korçën, luajmë për të gjithë shqiptarët./Mapo.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *