Ndriçim Ademaj: Një hap nga e djeshmja

Postuar më: 19 August 2017 11:56

Shënime për romanin “Pa heronj, pa bujë”, të Ndriçim Ademaj/ Që fëmijë Ngadhnjimi, djali i një poeti të dështuar, ka parë dashurinë nga larg, përmes lotëve që i vinin nga dhuna dhe shtirja e babait për jetën e tij. Hana dhe Jelena mbetën botë e pakapshme, ashtu siç bëhet dhe Sara, edhe pse kjo e fundit ishte pjesë e botës së mundshme të të rriturve. Por e djeshmja fle bashkë me të edhe pse ai nuk ia di fuqinë e vërtetë nëse zgjohet.

Nga Agim Baçi

Ngadhnjim, Nim, Xhim…..Pak rëndësi ka emri i plotë apo i vërtetë. Në jetë shumë pak emra mbeten. Por edhe kur nuk kanë emër, kur zë apo figurë, gjithnjë do të jenë të pushtuar nga dëshira për të mbërritur në një vend ku mund të besojnë se jeta ia vlen ta ndjekësh, qoftë edhe për një ditë, qoftë edhe për një çast të vetëm. Ndriçim Ademaj, pas librave me poezi ka trokitur në prozë me një rrëfim që bart të zakonshmen, gati-gati banalen, por që kërkon të jetë për diku duke rrëmuar arsye se përse njeriu duhet të guxojë, përse duhet të jetë në kërkim, përse duhet të besojë se do t’ia arrijë.

Që fëmijë Ngadhnjimi, djali i një poeti të dështuar, ka parë dashurinë nga larg, përmes lotëve që i vinin nga dhuna dhe shtirja e babait për jetën e tij. Hana dhe Jelena mbetën botë e pakapshme, ashtu siç bëhet dhe Sara, edhe pse kjo e fundit ishte pjesë e botës së mundshme të të rriturve. Por e djeshmja fle bashkë me të edhe pse ai nuk ia di fuqinë e vërtetë nëse zgjohet. E pikërisht atje ku nuk e ka menduar, në një kohë që kërkon ta harrojë, e djeshmja i vjen të vendosë për fatin e tij, si për të treguar se njeriu thuajse e ka gati të pamundur edhe të njohë vetveten por edhe të harrojë…

Rrëfimi nis me përshkrimin e jetës në një vend të cilin  ka ëndërruar të jetojë- Gjeneva- por që realisht nuk arrin t’ia kapë ritmin e domethëniet e jetëve përreth. Gjithçka gërshetohet me historitë e fëmijërisë së cilës kërkon t’i qëndrojë larg, sa më larg. Ai kërkon të lërë mënjanë mbretërinë e frikës dhe dhunës dhe të dëgjojë muzikën e gjërave që dëshiron. I ka gati veshët të dëgjojë melodinë e dashurisë, të guxojë që ta arrijë atë që e ka parë vetëm nga larg në fëmijërinë e tij pa mundur ta prekë, ta rrokë.

Ademaj tenton të rrokë njeriun e zakonshëm të halleve të tij, që nuk zbukuron aspak të shkuarën. Nuk ka nevojë për heronj. As dhunën nuk ka qëllim thjesht ta përshkruajë, por t’i marrë jehonën e t’ia bashkangjisë veshëve të atyre që nuk arrijnë të kuptojnë pasojën e saj të përhershme në jetë. Ai tenton të krijojë dritaren e tij edhe për të parë një pjesë të rëndësishme të kohës kur fqinji serb kalonte nga mundësia për t’u dashuruar në vrasësin e shpejtë. Një realitet i frikshëm e i dhimbshëm për qindra e qindra shqiptarë të Kosovës të cilët humbën jetët, shtëpitë e morën rrugët për shkak të urrejtjes. Por nuk janë sytë e heroit ata që flasin. Janë thjesht sytë e njeriut që përshkruan ashtu pa asnjë zbukurim e bujë atë që ka parë në ditët kur vdekja i qëndronte përballë dhe bënte lojën e famshme të ruletës, e t’i mund të shpëtoje vetëm për faktin se Zoti donte që të ishe ende gjallë.

Po, armiku më i madh i kujtesës është nostalgjia, prandaj po rri shtrirë këtu, duke u munduar të bëjë Pazar me Zotin për nja dy ditë shtesë. U mundova të kthej kryet nga ana e djathtë. Nuk lëvizi. Edhe prej këtu, jastëku mbante erë vdekje të bajatshme. Infermierja e zeshkët po bënte detyrën. Të gjithë njerëzit ishin munduar të bënin detyrën në një farë mënyre. Edhe Henri, bile edhe Sharli i trashë. A thua për çka do ishin duke u grindur nëna dhe babai në këtë kohë?

….. Mbylla sytë ngadalë. Ndjeva nevojë për faljen e Zotit, sado ta kem hidhëruar këto kohë. Shtrëngova dhëmbët. Dhe vdiqa pak… ” (Ndriçim Ademaj, “Pa heronj, pa bujë”, Pegi 2017, f. 144)

Përplasja me serbin në vendin ku besonte se nuk do të takohej me të shkuarën, se do të dashurohej me Sarën, është thjesht një pikturë e fatit të shkruar. Eshtë pikërisht e parathëna se mund të takojmë atë që nuk deshëm pikërisht në rrugën që morëm për ta shmangur atë. Rrëfimi i fëmijërisë dhe udhëtimit drejt lirisë pikërisht ku vdekja ka nisur t’i shkelë syrin është një bisedë e pabërë me veten, është një udhëtim i fundit brenda fatit. Si për të thënë se, ndoshta të gjitha hapat që kërkojmë janë thjesht një hap nga e djeshmja!

Mungesa e heronjve, përshkrimi pa asnjë dredhi gjuhësore të banalitetit dhe pushteti i mbrapshtë i dhunës e sjellin Ademin me një prozë origjinale dhe provokuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *