Moldavja që nxiti Kutelin: Me ‘Këngë e britma nga qyteti i djegur’

Postuar më: 12 August 2017 09:33

Nadia, gruaja baloshe  moldave e frymëzoi për të mbledhur këngët popullore, edhe pse qyteti ishte rrethuar me tela me gjemba, dhe askush nuk mund të lëvizte përtej gardhit të vet, Kuteli nisi “të argëtohej” me mbledhjen e këngëve duke pasur sot në duar një libërth të rrallë, pothuaj të humbur,  me “këngë e britma nga qyteti i djegur”, e botuar fillimisht në vitin 1944,

Nga Violeta Murati

Nadia, një zonjë e re, baloshe me sy të kaltër që dinte të përdorte fort mirë pushkën dhe mitralozin, që këndonte atje në Ukrainë disa këngë “të çuditshme” popullore nga Basarabija – kështu i pat thënë Kutelit, kjo grua që u ngrit nga lëngata e tifos duke e këshilluar shkrimtarin shqiptar, ushtar në atë kohë: se këngët i sillte era, dhe i shpinte përtej…se një gjuhë janë të gjitha, se era shpie e sjell këngë edhe përtej kufireve politikë, si përtej ujërave… Me këtë nxitje Kuteli mblodhi rreth 200 këngë popullore moldavishte, që i la për botim në Bukuresht, në shtator 1942, me titulin “Canteze Din Moldava Mica” ku përfshinte mjaft elemente të folkloristikës rumune. Ndërsa në kushte rrethimi total, kur nuk lejohej të kalonte as gardhin e shtëpisë, nisi të mblidhte këngët e tij, në fillim për t’u argëtuar, një lloj shmangie e mendjes nga kohët e vështira…por më pas ato e nxitën për botim.

Kujtim babait tim Pandi Pasko Kuteli që gëzohej e më ndihmonte kur mblithnja këngë– mjafton ky shënim në ballë të një botimi të ’44-ës, si përshëndetje e fundit në të gjallë, të nxisë përfytyrimin që ngrihet mbi autorë që nuk mundën të shihnin librat e tyre nëpër libraritë e diktaturës, krijon një rast pothuaj déjà vu, kur këto vazhdojnë të mbeten në hije. I tillë është rasti i ribotimit të librit “Këngë e Britma nga qyteti i djegur”, të mbledhur nga Mitrush Kuteli, për të cilën trashëgimtarët veçojnë se vjen sipas botimit të parë, atij të vitit 1944. Nga jashtë,kopertina është ndryshuar, por në faqet e para sillet ajo e botimit të ’44-ës, me shënimin “botim i mbledhësit”.

Këngët i sjell era

-Ti që ku e di këtë këngë?- e pyeta Nadia-n, atje në Ukrainë ku pata filluar të mbleth, në ato qëndrimet e shkurtëra të marshimeve, fije këngësh popullore moldave, të cilat më patnë tërhequr me njomësinë e tyre dhe më fort të dhembjeve që përmbajnë…

Në hyrje të këtij shënimi që na ka lënë vetë Kuteli, prej tij tërhiqet vëmendja se një vëllim me afro 200 këngë popullore moldavishte e ka lënë për botim në Bukuresht, në shtator 1942. Ndërsa pyetjen e mësipërme shkrimtari thotë se ia kishte bërë gruas së re moldave sepse “m’u pat dukur si e ndryshme fjalori dhe përmbajtja e këngës që më pat thënë, gjë që e largonte nga këngët e tjera të atij vendi”.

Për Nadia Verzar, Kuteli shënon se: “ky ish  emri i asaj zonjës së re, baloshe me sy të kaltër që dinte të përdorte fort mirë pushkën edhe mitralozin, si mori frymë ngadalë, se nuk kish shumë ditë që ish ngritur nga lëngata e tifos, më foli këshilloj:

-Të të them të vërtetën, kjo këngë nuk është nga vendi ynë, po nga Basarabija. Unë në Basarabi nuk kam qenë se na ndante Nistri dhe kufija. Më patnë nisur, si ushtar, në fillimin e luftës po më lanë përsëri, se kisha djalën të vogël fort. Këngën e kam dëgjuar një verë se e këndonin ndajnatave vashat “përtej”, kur këtheheshin nga shata e misrit. Edhe neve “këtej”, gjith nga shata e misrit këtheheshim. Dëgjohej sikur ish aty pranë se e sillte era e ndajnatës edhe unë e mësova fort shpejt, sepse këngët i mban mënt mirë. Edhe këngët tona gjithë era i shpinte përtej, kështu që ata të Besarabisë këndonin shpesh herë këngët tona edhe ne këngët e tyre, se në një gjuhë janë të gjitha. Këtë punë kaq të thjeshtë, po të vërtetë: se era shpje e sjell këngët edhe përtej kufireve politike e mbase edhe përtej ujrave, e pata mësuar prej Nadias Verzar.

Kënga s’ka kufire që ta ndalojnë. Ajo lindet diku edhe, në qoftë se përmban brenda saj ndonjë thërrime arti të vërtetë, shkon gojë pas goje, në krahët e erës.

Ngjet dendur që krahët e erës të shpjenë edhe këngë që s’janë të popullit, po të cilat bëhen pastaj të popullit. Një këngë të tillë pata gjetur në rrethin e Kamenka-s, gjithë në Ukrainë. Teksti ish ay i një vjershe të poetit Mihail Eminescu (Ti pse nuk vjen?) i ndryshuar pak sipas idiomit të vendit. Kjo këngë këndohej si gjithë këngët e tjera popullore.

Këtë grusht këngësh, Kuteli nga lajmëron në shënimin e tij se përmban libri, duke shtuar edhe disa të tjera që i mbante mend nga fëmijëria, të mbledhura në Pogradec, nga 26 gusht dhe 7 shtator 1943.

Fillimisht nuk ishin menduar për t’i botuar. Duke i mbledhur Kuteli kërkonte të kalonte kohën, pasi qyteti në atë kohë, sipas shënimeve të shkrimtarit “për arësye të stragjis italiane, ish rrethuar me tel me gjemba sa s’kisha mundësi të shoh as varrin e Nënës, sepse varrezat binin përtej telave me gjemba, domethënë dyqind metra më tej se shtëpia e fundit

Por kjo punë tërhoqi vëmendjen e autoriteteve italiane, për të cilët Kuteli thotë se nisën “të ndiqnin veprimin dhe shqyrtuan me anën e karabinerisë”.

Mbledhësi i këngëve na thotë se këngët e kësaj përmbledhjeje nuk janë të gjitha të lindura në Pogradec, por aty i pat gjetur këngë që “i sillte era” edhe nga vise të tjera.

Ja si e kujton këtë proces, pothuaj, shkencor: “Ata që m’i dhanë janë kryesisht far e fis e miq. Pra rrethi i tyre është mjaft i ngushtë. Dhe me gjithë këto numri i këngëve, si duket vetiu, nuk është i vogël. Sidoqoftë dua të nënvijoj këtu se ky rreth i ngushtë është bota shqiptare e vogël ose një çip i saj që pasqyron botën e madhe. Përmbledhja imë nuk duhet qojtur si një vepër folklorike e përplotë, po vetëm si një kontribut në arkivën e madhe të folklorit shqiptar. Për t’i dhënë  një ngjyrë pak a shumë shkencore kësaj përmbledhjeje, këngët i shoqërova me emrin e atyre që m’i patnë thënë si edhe, në disa raste, me një shënim shpjegonjës. Si karateristikë kryesore e këngëve të Pogradecit janë grupet e këngëve pleqërishte, e këngë të Pashkëve dhe ato të Llazoreve”.

Nga këngët pleqërishte, të lashta, Kuteli veçon “Fryn veriu në Mal të Thatë” edhe “Ç’u nis plaka dhe djali”- “me bukuri dhe trajtë e përmbajtje si s’ka shumë të tjera”. Interesante paraqitet përmbajtja e këngës “Ura e Qystendilit” që tregon legjendën e sakrificës njerëzore, si themel në ndërtimin e një vepre arti, ku Kuteli e veçon si temë të njohur në Veri, “si gojëdhëna e ndërtimit të Rozafatit, e rrjeshtuar kështu midis këngëve të Pashkës…

Për disa këngë Kuteli thotë se për mungesë kohe nuk ka mundur të shënojë burimin dhe se: Nuk di në do më lejojë fati t’i plotësoj ndonjëherë, sepse, pas ngjarjeve të shtatorit dyzet e tre ky vendi im lindor m’u bë si vend i huaj…” Libri nis me këngët e vajit, për të cilin mbledhësi thotë se ishte shkaku nga doli edhe titulli i përmbledhjes “Këngë e brithma nga qyteti i djegur”, zgjedhur në kujtim të çasteve tragjike “nëpër të cilat ka shkuar e po shkon vendi im lindor që nga dhjetori i vitit 1940 e këtej”..

Kush m’i dha këngët

“Të parat këngë e brithma që mbaj mënt, nga vogëlija, janë ato që i këndonte e mjera Mëmë (Polja e Pandi Paskos e bija e Ndini Dhamit edhe e Çevo Gushos nga Rrëmënji).  Në vogëli kisha qenë i sëmurë dhe shumë kohë s’dola jashtë asaj odës së madhe, shtruar me dhe të kuq, me rrogoza e prokova ku Mëma bënte edhe vegël dhe punët e tjera të shtëpisë. Atje i mësova për herën e parë brithmat tu-tu-tu- legëza – Bajta për purtegëza; Ariushkë, ariushkë edhe këngët Kapedan o Kajo; Malit-o përpjetë; Mun’de Papa Pavleja, të cilat Mëma i kish dëgjuar nga i ati”… Këto disa momente të memories, por edhe kujtime që Kuteli na e vë përballë tekstit të tij, me këngë popullore duke na lënë shënim se si arriti t’i mblidhte ato.

Ka një domethënie ky fakt, për shkak se fëmijëria është shtampa më filozofike e gjurmëlënies, duke shtuar edhe sinqeritetin që bartt kjo moshë për të përcjellë. Kështu Kuteli na bëhet një bartës real, burimor ku jep me saktësi, për ato që ka siguri, këngën, gjuhën, frazeologjinë, kulturën dhe historinë duke i pajisur me shënime.

Në parathënie ai ka shënuar disa takime më intersante të punës së tij si mbledhës me ata ku dëgjoi, dhe mori këngët. Kuteli flet se kënga që këndohej në dasma dhe gëzime ishte “S’ka me kë ta lozë zonja (hankua) vallenë”, e kujtuar gjer në atë ditë si “Kënga e Poles”, si edhe “Shkuan djemtë shkuan- Shkuan në kurbet”; Pashkëve këndohej e luhej valle me shami në dorë, e gjithë graria, “Këngën e Ristozit”, “Sbret Velikua që nga mali” si edhe “Qënkshin, lele, qënkshin”. Kuteli kujton: “Gjith nga vogëlija mbaj mënt edhe disa brithma të tjera si dhe disa këngë kolendrash, rusicash, këngë dasme, trimërije, dashurije.

Po sjellim vetëm një prej personazheve, për të cilët shkruan me emra, konkrete Kuteli që i dhanë këngët. Të parin rendit të parin, xha Mihua-n, “si i thotë fshati Mihos së Postoles, ose të Postolit, si thotë ay vetë, nga Potkozhani i Mokrës”. Një plak më shumë se 80 vjeç që i ka rrëfyer Kutelit vetëm këngë të lashta, të shoqëruara me shpjegime.

Një burrë që ka jetuar shumë kohë në katundet e Mokrës, dhe njeh vendet me pëllëmbë. “I ka pëlqyer jeta edhe vera e rakija, po jo më pak edhe kënga. Ka bërë kurbet: Vllahi edhe Bullgari. ‘Beheshim kumpanjira e shkonim për punë. Neve gurë  kemi punuar që në vakt të Ali Pashës e më parë”. Di shumë sende të vjetra nga të Ali Pashës, e sidomos nga ngjarjet edhe gjakrat e viseve tona, të cili di t’i evokojë me sulm epik. Përveç këngëve kam shënuar pas gojës së tij një numur të math shprehjesh edhe ngjarjesh të lashta. Xha Mihua rrëfen se ka qenë përpara luftës së parë një prift i mësuar, nga Potkozhani, bile nga gjaku i tij, që rrinte në Stamboll. Si i vdiq e shoqja arriu dhespot, me emrin Gjenodhios. Ish shumë i mësuar e do ta paskeshin zgjedhur patrik, po nuk e deshin grekët se ish shqiptar. Një i nipi i këtij dhespoti ka arrirë pastaj ministër në Bullgari. Këtij i thoshin Gjeneff. ‘Jam gëzuar kur u bë i math e kam dashur të vete t’i kërkoj donjë punë, helbete, si kushëri, po ç’punë t’i kërkonja kur unë s’di gram?” Gramë shumë nuk di me të vërtetë Xha Mihua, përveç se sa vetë emrin, po ka një thes me mënt e urtësi, më plot se shumë nga ata që dinë shkrim e  këndim. Si gjuhë përveç një shqipe të lashtë e të pastër, flet edhe turqisht, bullgarisht dhe pak rumanisht, po me greqishten s’e ka farë mirë se “’gjuh’ e hollë kjo”…Ushtarëve grekë që i  hynë në kohën e luftës e i vodhë shtëpinë u bërtiste turqisht nga dritarja “jazëk, bre jazëk”- ben kristian”. Dhe s’e kish fort keq në u fliste kështu, sepse grekët ishin nga Asija e Vogël edhe flisnin “birinxhi” turqishten. Italianët nuk do t’i shikojë në sy “se ata rrinë më të gjashtën ne më të shtatën”, po friken ja u ka patur. Dhe jo për trimërinë e tyre sa për “maskarallëknë” e tyre, se “trimi s’të vret, po maskaraj s’do t’ja dijë”.

“Xhymertllëku ësht i turkut, burrllëku i rusit dhe lapangjozi i talianit” – këtë thesh dendur xha Mihua – dhe e kish dëgjuar nga pleqtë. Tri ditë përpara se të shëmbet, pa pritur, Italija, më pat thënë: “Ne sa dualmë, o bir, nga goj’ e ulkut, ja ramë në të asllanit. Edhe një zjarr nga llatini do ta kemi, se bëri shtëpi më vehte e u bë i lik”. Pas tri ditë si m’i tha këto fjalë italianët që kishin mitraljuar gratë e fëmijët e Korçës i vinin zjarrë Pogradecit…

 

Kënga popullore

Kuteli, si është përdorur prej Lasgushit e tërë kënga “Vinë vashat valle- valle

Në ciklin “Këngë për lule edhe këngë llazore”, Kuteli ka përfshirë edhe një këngë popullore  “Vinë vashat valle- valle”,  me burimin se është marrë nga Dhorka  Ll. Gusho.

Por, kjo këngë pajiset me një shënim prej mbledhësit se e tërë kjo këngë është përdorur nga Lasgush Poradecit, atë që njohim me emrin e tij si një nga vjerashat më të famshme “Vallja e luleve”. Për analogji në shënimin hyrës të librit, Kuteli përmend edhe rastin e Emineskut ku një nga vjershat e tij, ndryshuar sipas idiomës së vendit, këndohej më parë si këngë popullore. Në rastin e Lasgushit, Kuteli nuk ndërhyn t’i japë ndonjë cilësim nëse kjo quhet përshtatje, plagjaturë apo imitim, thjesht na e servir në dy variante, atë të këngës popullore dhe ajo që njihet si krijim i Lasgushit. Si këngë popullore, Kuteli na tregon historinë e saj, që këndohej Ditën e Luleve, kur vashat venë në mal për të mbledhur lule për llazore: manushaqe, poleska dhe kaçe.

Po japim të dy versionet që ka botuar Kuteli në libër:

 

Vinë vashat valle- valle

Vinë vashat valle-valle

Gushë gji stolisurë

Një pëllump një sy-sorkadhe

Na vjen m’e mbollisurë

Shoqe-o në bregë-za

Më mirrni edhe muë-za,

Nër pyj’ e korinjëza;

Në mos diça të bëj tufë,

Më lini moj atje-në;

Në u pyet’njeri për mua:

Ç’u bë flokë –balosheja,

I thoni në një përrua

E zu gjarpërusheja,

I thoni e hëngri krimbi

Atë bel-këputurën.

Nd’e zu gjarpri u shëroftë,

Nd’ e zu trimi u trashëgoftë.

 

Dhorka Ll. Gusho

 

Teksti i Lasgushit

 

Vallja e luleve

 

Vijnë vashat valle-valle

Gushë – e – gji- stolisura

Një pëllumb, një sy-zorkadhe

Seç vjen m’e mbollisura.

 

Ç’mi ka hije shtat i hedhur

Hije kraharuari,

Pa fillon me zë të dredhur

Motra së kënduari,

 

Ju që niseni për lule

Shoqe moj të mijëza,

Mërr’ – me- ni as edhe mua

Në pyje – e korijëza;

 

Pritni moj të vi dhe unë

Maleve, lëndinave,

Ndaj çkëlqen ndaj të përdhunë

Filli-i trëndelinave,

 

Në mos diça të bëj tufë,

Shoqe ju dëgjomëni:

Bëni moj një tog me lule

Dhe me të mbulomëni;

 

Në u pyeçin për mua

Ç’u bë flok –banusheja?

Thoni se më një përrua

E zu gjarpërusheja

 

Thoni, se ndaj një mburimi

Më t’e patë fluturën:

Thoni, seç e zuri trimi

Atë bel- këputurën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *