Mirela Oktrova: Trafikim VS liri mendimi

Postuar më: 20 August 2017 12:46

Nga Mirela Oktrova

Artikulli im “Struci dhe prostitucioni”, i botuar së fundmi në kuadrin e rubrikës sime të përjavshme “Etno-kaos” në gazetën “Mapo” – për të cilin kam marrë shumë urime dhe telefonata prej lexuesve të mi të rregullt – duket se preku një nerv, që ndonëse e dija se ishte i ndjeshëm, ia doli megjithatë të më befasonte me mënyrën e reagimit të tij:

Rreth një orë pas publikimit të artikullit tim, Mapo Online publikoi të shtunën edhe një material, të titulluar: “Struci dhe prostitucioni: Pse bënim më shumë seks në komunizëm?”. Në të integrohej artikulli i Neë York Times referuar një studimi për jetën seksuale të grave në Evropën Lindore me disa citate të artikullit tim lidhur me nevojën e diskutimit publik për mënyrën e trajtimit shoqëror dhe ligjor të prostitucionit. Gabim profesional i patolerueshëm! Se shpërdorimit të titullit, përmes pranëvendosjes së tij me një klishe skupesh të rëndomta i shtohej dhe përzierja shoqërisht e dëmshme dhe deri e rrezikshme e dy problematikave .

Ai që pasoi ishte reagimi standard i pseudogazetarisë dhe portaleve shqiptare, që mbijetojnë me klikimet e prodhuara nga skupe të sajuara për kategorinë më të pashkolluar dhe të kompleksuar të shoqërisë. Artikulli im, me emrin dhe fotografinë time u botua gjithandej me titullin “Përse bënim më shumë seks në komunizëm”. Kështu u arrit të “shitej” – me kosto për imazhin e autores – edhe një artikull serioz, kontributi intelektual dhe kurajoja sociale e të cilit, pa këtë lloj “ndihme” nuk “mjaftonin” për të arritur standardet e popullaritetit të dyshimtë.

Kjo nuk është gazetari – kjo është një tregti e paligjshme me mendimin e lirë dhe personalitetin e njeriut – një kontrabandë e një lloji tjetër, një TRAFIK vlerash.
P.S. Edhe në rast kurioziteti apo dëshire për të verifikuar këto që kam shkruar, ju sugjeroj, që të lexoni vetëm titujt, po kurrsesi të klikoni portalet shpërdoruese, për të mos lejuar që skandali të vijojë të prodhojë klikime të mëtejshme dhe për pasojë të ardhura për dorësit. Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *