Liberalizimi si fenomen në sistemin universitar në Shqipëri

Postuar më: 30 August 2017 10:48

Nga Eskja Vero & Edi Puka*

Sfidat e zhvillimit të sotëm global, i kanë vendosur individët në të jetuarit e një shoqërie shumë dinamike, ku forcat e evoluimit të saj na çojnë drejt një mjedisi social i cili sa vjen dhe bazohet mbi nevojën për dije. Ndaj universitetet janë, vendi në të cilin promovohet dija, nëpërmjet ideve inovative, hartimit të kurrikulave shkollore, kualifikimeve akademike, ku studentët mësojnë shkencën dhe përgatiten për të fituar një profesion të caktuar. Kështu, roli i arsimit në edukimin dhe shkollimin e brezave të rinj, mbetet një ndër prioritetet kryesore për çdo qeveri kombëtare, e cila duhet të ndërmarrë nisma, për hartime politikash që synojnë reformimin dhe funksionimin e çdo sistemi arsimor, qoftë rajonal por edhe global.

Fokusi i këtij punimi është përqendruar në pyetjen kërkimore se, cilat janë perceptimet që kanë studentët shqiptarë në (universitetin publik dhe privat) mbi avantazhet dhe disavantazhet që ka shkaktuar liberalizimi i sektorit arsimor në institucionet e arsimit të lartë? Risia e trajtesës, është në përfshirjen e të rinjve, për të identifikuar problematikat thelbësore që hasin gjatë implikimit të strategjive dhe politikave arsimore në institucionet ka ata studiojnë. Sipas tyre, si ka ndikuar ky liberalizim në cilësinë e arsimit? Masivizimi prodhon cilësi? A ka avantazhuar apo jo lidhjen e tij me tregun e punës? Mbi ç’kritere mund të matet vlera e diplomës? Siç edhe dihet ishin fillimet e viteve 2004 – 2005, ato që liberalizuan sistemin tonë arsimor.

  1. Analizë dhe interpretim të dhënash

Nga anketimi në një kampionim prej 100 individësh raporti gjinor femra/meshkuj është: 69% femra dhe 31% meshkuj. Grupmosha 20–25 vjeç përbën pjesën më të madhe në shkallën 77% të studentëve dhe vetëm 23% bëjnë pjesë në grupmoshën 25–35 vjeç. Për sa i përket nivelit studimor, 66% e të rinjve ndiqnin nivelin master, kurse 34% e tyre ndiqnin nivelin bachelor. Në rezultatet e pyetësorit pjesa më e madhe e studentëve 48% studiojnë në degën e Administrim Institucionesh (në nivelin master), 30% studiojnë në degën e Marrëdhënie Ndërkombëtare, 20 % në degën Sociologji dhe Punë sociale dhe 4% në degën e Psikologjisë. Degët më të ndjekura nga ky pyetësor janë Administrim Institucional dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në pyetjen hulumtuese se cilat ishin arsyet që studentët vendosën të shkonin në universitetet përgjigjet rezultuan se pjesa më e madhe 49% mendojnë se diploma duhet për tregun e punës, ndërsa 35% kanë shprehur nevojën për të poseduar një status më të lartë shoqëror, dhe 11% u përgjigjën se nuk kam/kisha ç’bëja më mirë dhe 5% e të rinjve thoshin se zgjedhja vinte si rezultat i vullnetit prindëror. Për sa i përket perceptimit që kanë studentët mbi vlerësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, pjesa më e madhe 54% janë shprehur se janë deri diku i/e kënaqur. Pra, shkalla e kënaqësisë te studentët mbi cilësinë e arsimit ruhet midis balancave të kënaqësisë dhe pakënaqësisë.

Duhet përmendur se kjo variabël mbi nivelin e cilësisë, përfshin si studentët e universitetit publik, edhe privat. Perceptimi i studentëve mbi masivizimin si një indikator i cili ndikon në uljen e cilësisë rezulton se 50% e tyre bien plotësisht dakord se masivizimi ndikon në uljen e cilësisë, ndërsa 24% shprehen se masivizimi nuk ndikon në uljen e cilësisë dhe 23% shprehen me deri diku se masivizimi mund të ndikojë në uljen e cilësisë. Rezultatet mbi pëlqyeshmërinë që kanë studentët ndaj stafit të tyre akademik, 48% e studentëve janë shprehur se janë të kënaqur me stafin akademik në universitetet në të cilët ata studiojnë, 23% shprehen me deri diku i/e kënaqur, dhe 18% shprehen me shumë i/e kënaqur. Rezultati sipas perceptimit të studentëve se cili universitet avantazhon më shumë lidhjen me tregun e punës, 71% shprehen se universiteti publik avantazhon më shumë lidhjen me tregun e punës dhe vetëm 29% mendojnë se universiteti privat avantazhon lidhjen me tregun e punës.

Të dhënat mbi 5 elementet kryesore që mund të shërbejnë sot për punësimin e të rinjve shqiptarë rezulton 37% në favor të punësimit mbi bazën e të afërmve ose miqve, pas saj renditet me 28% punësimi mbi bazën e aftësive profesionale, 17% e të rinjve mendojnë se mund të ndikojnë lidhjet politike në gjetjen e një pune dhe 13% i kushtojnë rëndësi nivelit arsimor. Megjithatë mund të themi se perceptimi i të rinjve duket se nuk lë pa favorizuar edhe formimin profesional të tyre si një mundësi më optimale për të qenë të suksesshëm dhe meritokratik për tregun e punës.

Diskutime

Çfarë e bën të vlefshme një diplomë në tregun e punës? Janë disa elemente që përcaktojnë vlefshmërinë e diplomave. Së pari, universitetet janë institucionet kryesore që determinojnë rëndësinë që ka dhe merr diploma në treg. Një diplomë quhet e ‘vlefshme’ kur në marrjen e saj kanë ndikuar ato indikatorë që sot e bëjnë produktiv një universitet: cilësia e mësimdhënies dhe kërkimi shkencor. “Cilësia e kërkimit shkencor dhe e mësimdhënies në universitete nuk varen nga fakti se kush investon për to – shteti apo sipërmarrja private por nga fakti se sa, çfarë dhe për ç’qëllime investohen në to…në të ardhmen, institucionet më të suksesshme të arsimit të lartë do të jenë ato, të cilat i zhvillojnë studentët e tyre më shumë dhe më shpejt… Universitetet do të vlerësohen jo për faktin se ata pranojnë studentët më të mirë, por për atë çka u mësojnë studentëve [që pranojnë]”. (Tarifa, 2013). Fokusi qëndron te raporti investim – standarde. Që të investosh në një universitet duhet të përcaktosh edhe disa standarde se si këto universitete e prodhojnë dijen. Mbi këto standarde të vendosura qoftë nga shteti për universitetet publike qoftë nga privati për universitetet private bëjnë të mundur diferencimin mbi vlefshmërinë e një diplome. Pra, fakti se një universitet përgatit studentë me kapacitete të larta akademike, do të ndikonte jo vetëm në një imazh më të mirë për vetë universitetin por do të rriste dhe vlerën e një diplome në tregun e punës.

Në librin “12 teza liberale përtej 2013” ndaj analizës se si funksionojnë sot dy operatorët publik dhe privat Duma (2013), thekson se “kemi ardhur në një pikë ku sistemi është përpara kësaj dileme: Cila është forma e presionit që do të shtrëngonte ngritjen e funksioneve rregullatore, që të bënin privatin dhe publikun të konkurronin për diplomën më të mirë dhe për studentin më të mirë….shteti është siguruesi i rregullave të lojës dhe i monitoron ato, tregu në kthim do të ta shpërblejë”. Në vijueshmëri të kësaj ideje sipas autores, ajo që e bën skemën më konkurrenciale është vendosja e rregullave të njëjtë si për operatorët publik ashtu dhe për operatorët privat, pasi vetëm kështu universitetet do të luftojnë për rritjen e standardeve dhe cilësisë që ofrojnë.

Rezultatet e anketimit pasqyrojnë se 49% e studentëve, u përgjigjën se arsyeja themelore që vendosën të ndjekin studimet universitare është se diploma duhet për të hyrë në tregun e punës. Ky fakt shërben për të kuptuar se të rinjtë synojnë që të arsimohen për të hyrë në tregun e punës, çështjes më pas se mbi ç’kritere diferencohet kjo diplomë mbetet në duart e hartuesve të politikave arsimore ndaj përzgjedhjes së mënyrave se si duhet të administrohet sistemi publik dhe ai privat në përcaktimin e kritereve më të rëndësishme që i shërbejnë selektueshmërisë së diplomave në treg.

Së fundmi një indikator tjetër i fuqishëm që do të ndikonte në përcaktimin e vlerës së diplomës është edhe rankimimi/renditja e institucioneve të arsimit të lartë, publik/privat. Kjo do të bënte ndërgjegjësimin e studentëve mbi formimin profesional që zgjedhin të kryejnë. Rankimimi/renditja e universiteteve, është një mekanizëm që është pranuar ndërkombëtarisht për të kryer një proces që siguron vlerësimin e cilësisë në institucionet arsimore. Një nga pasojat që solli fenomeni liberalizues është edhe dëmtimi i cilësisë në universitete. Mospasja e një agjencie kombëtare në Shqipëri që përdor mekanizmat monitorues të cilësisë, ka krijuar problematikën se universitetet publike dhe private nuk kategorizohen mbi standardet që këto universitete ofrojnë. Në kontekstin shqiptar, siç u tha dhe më sipër, mungon sistemi i selektimit mbi universitetet ndaj kritereve që zbatojnë në ofrimin e dijes. Kjo ka shkaktuar problemin se studentët nuk janë të informuar mbi universitetin që ata përzgjedhin të frekuentojnë. Po të hedhim një vështrim mbi renditjen e universiteteve për vitin 2014, dy universitetet elitare në Angli, renditen në 10-ën e më të mirëve, ku Cambridge renditet në vendin e katërt dhe Oxford në vendin e pestë.

Të dyja universitetet kanë qenë gjithmonë në konkurrencë të hapur dhe rivalë të përhershëm për sa i përket kryesimit në listë. Pasi po ta shikojmë me renditjen e vitit 2011–2012, grupi i universiteteve angleze kryesohet nga Universiteti i Oxfordit, i renditur i katërti mes 200 universiteteve më të mira, ndërsa rivali i tij i përhershëm, Universiteti i Kembrixhit është klasifikuar në vendin e gjashtë. Në dominimin anglosakson të kreut të renditjes sipas Fugës (2013), një rol të madh ka luajtur faktori “kërkimi shkencor, mësimdhënia, publikimet e personelit akademik, shkalla e ndërkombëtarizimit të universitetit”, indikatorë që përcaktojnë renditjet kryesore të universiteteve amerikane dhe angleze, duke ofruar kështu zbulime fondamentale në shkencë, inovacione të ndryshme si për zhvillimet sociale, ekonomike të cilat janë në shërbim të shoqërisë në nivele kombëtare, por dhe më gjerë.

Universiteti si shërbim publik është pikërisht traditë e universiteteve britanike. Në modelin britanik institucionet e arsimit të lartë nuk janë përkatësisht as shtetërore, as private, por janë publike. Publike, në sensin se çdo profesion që ne marrim në jetë shërben edhe për shoqërinë në tërësi. Si për shembull profesioni i mjekut, ku bisturia që ai përdor ka në dorë jetët e miliona njerëzve. Sipas raportit, mundësia që ka qeveria shqiptare për të financuar arsimin e lartë nuk e kalon 0.4 – 0.6 % të GDP së saj. Prandaj rëndësia që ka modeli britanik funksion në mënyrë të tillë që këto institucione shtetërore ose private, duke qenë se nuk financohen plotësisht nga shteti, mund të financohen pjesërisht prej tij duke i dhënë krahë dhe strategjive të tjera të burimeve financuese.

Sipas anketimit të kryer, 68% e studentëve nuk e dinë rankimin/renditjen e universitetit përkatësisht Universitetin e Tiranës (publik) dhe Universitetin Europian të Tiranës (privat). Po ashtu rezultatet që testojnë se në ç’vend mund të renditej universiteti i tyre mbi bazën e perceptimit që kanë në qoftë se do të ekzistonte një renditje e mundshme, evidentohet sërish se 54% nuk dinë i/e sati mund të renditet universiteti dhe 46% e rendisin bazuar mbi preferencat numerike që ata do të dëshironin për renditjen e universitetit. Në këtë vijueshmëri 64% e studentëve në publik dhe privat nuk do të dëshironin ta ndryshonin universitetin edhe pas një rankimi/renditje të mundshme. Kjo vërteton se përkatësisht universitetet ku ndjekin studimet si, UT dhe UET kanë përmbushur objektivat e tyre. Në të dhënat që synuan marrjen e mendimit mbi preferencën e rizgjedhjes universitare, 62% do të dëshironin të zgjidhnin një universitet publik jashtë vendit dhe vetëm 13% do të zgjidhnin universitet publik në Shqipëri.

Një nga pasojat që ka sjellë fenomeni liberalizues i sektorit arsimor, nëpërmjet prurjeve masive në institucionet e arsimit të lartë është edhe shkalla e lartë e papunësisë ndër të rinjtë shqiptarë. Sipas një studimi amerikan në fushën e psikologjisë, theksohet se të qenit “i papunë” ka një impakt të lartë në personalitetin tonë bazik. Teza kryesore e studiuesve na tregon se të qenit të papunë për një kohë të gjatë ndikon ndjeshëm në ndryshimin e personalitetit të njerëzve, duke i bërë më pak të ndërgjegjshëm, të këndshëm, mëndje hapur, dhe shkakton vështirësi në të gjeturit prej tyre të një pune të re. (Boyce, Wood &Daly, 2015) Sipas Stokes (2014), drejtor ekzekutiv i “post secondary innovation” në kolegjin e studimeve profesionale të Northeastern University, në analizën që i bën raportit të qëndrës “The Mc Kinsey Center for Government” me temë “Education to Employment: Designing a System that Works” thekson se në të renditen disa karakteristika kryesore të institucioneve të arsimit që shërbejnë për rekrutimin e studentëve nga punëdhënësit.

Karakteristikat janë vendndodhja gjeografike, diversiteti studentor dhe rankimi i universiteteve. Sipas rezultatit të këtij raporti 91% e punëdhënësve kanë renditur “gatishmërinë që paraqesin për punë të sapodiplomuarit” si karakteristikën themelore që iu shërben atyre për t’i punësuar dhe vetëm 44% e tyre i kushtojnë rëndësi rankimit të universiteteve për punësimin e të rinjve. Me të drejtë më pas Stokes, thotë se Shekspiri ka një shprehje “the readiness is first” (gatishmëria mbi të gjitha). Të paturit e një veçorie të tillë i ka favorizuar të rinjtë në gjetjen e një pune nga punëdhënësit. Papunësia sipas “Mathew Klain në artikullin për New York Times, mund të shndërrohet në një ‘bombë të rrezikshme me sahat’. Asnjë shoqëri, pra as Shqipëria, nuk është e imunizuar nga ky rrezik real. Kush mund të thotë se sa për qind e studentëve që mbaruan shkollat e larta në Shqipëri këtë vit do të punësohen në profesionet e tyre dhe sa do të mbeten të papunë”? (Tarifa, 2013).

Të dhënat e publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë mbi rezultatet e forcave të punës gjatë tremujorit të 1–rë të vitit 2014 rezultojnë se, shkalla e punësimit të të rinjve në moshën 15–29 vjeç është 25.4%. Grafiku më poshtë tregon aktivitetet kryesore ekonomike të punësimit.

Gjatë tremujorit të parë 2014, sipas të dhënave të ATFP, 22,2% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 17,6% të punësimit total. Punësimi në bujqësi përbën 43% të punësimit gjithsej ndërsa në industrinë përpunuese 8,4%. (INSTAT, 2014). Ndërsa të dhënat e papunësisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, papunësia tek të rinjtë e moshës 15–29 vjeç është në shkallën e 31.3%. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 3,2 pikë përqindje(Burimi INSTAT at. al, 2014). Bashkëngjitur këtyre të dhënave shohim edhe anketimin që u bë te studentët e universitetit publik – UT dhe privat-UET. Perceptimi studentor mbi faktin e të gjeturit e një pune të caktuar pas përfundimit të shkollës së lartë, dëshmon se 43% e tyre shprehen pesimistë mbi gjetjen e punës.

Gjithashtu në një kampionim prej 100 pyetësorësh pjesa më e madhe e studentëve, 67% nuk janë të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme dhe 84% nuk janë të punësuar në profesionin që po marrin ose që kanë marrë. Po ashtu 63% nuk kanë kryer asnjëherë praktikë/stazh/inter ship. Në sektorin e punësimit 43% e anketuesve shprehin dëshirën për t’u punësuar në sektorin publik dhe të dhënat e INSTAT-it tregojnë se shkalla e të punësuarve në sektorin e shërbimeve jo të tregut si (administrim publik dhe i mbrojtjes, sigurimi shoqëror i detyruar, arsimi, shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale) rezultojnë në masën 17.6% të punësimit total. Rezultatet tregojnë se studentët ose nuk janë të informuar mbi sektorët favorizues të punësimit ose perceptimi për të punuar në administratën publike mbetet statik i pandryshuar në raport me kushtet që mund të ofrojë edhe vetë tregu i punës. Për sa i përket mënyrave të kërkimit për punë, në këtë rast përbashkohen si rezultatet e INSTAT ashtu edhe rezultatet në pyetësorin e punimit. INSTAT deklaron se 83.7% e të papunëve iu drejtohen të afërmve apo miqve shokëve, ashtu siç edhe në pyetësorin studentor 37% diktojnë nevojën e të afërmve miqve në kërkimin e një pune, më pas me 28% renditet aftësia profesionale, me 17% lidhjet politike dhe me 13% niveli arsimor.

Çështjes së punësimit të të rinjve duhet t’u përgjigjen një sërë masash që çdo qeveri të angazhohet për përfshirjen e tyre drejt tregut të punës. Aktor i rëndësishëm në një përfshirje të tillë janë edhe vetë institucionet e arsimit të lartë, të cilat nëpërmjet strategjive që hartojnë duhet të bashkëpunojnë me sipërmarrje të ndryshme për t’iu ofruar studentëve një karrierë të suksesshme./Mapo.al/

*Pedagogë në Universitetin Europian të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Edukimit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *