Koncesionet, fitime të larta. Plot 38.5 mln euro në një vit

Postuar më: 23 August 2017 15:34

“Top Channel” analizoi pasqyrat financiare të 11 prej koncesioneve më të mëdha në vend. Lista përbëhet nga kompani që gëzojnë kontrata monopol, në energji, transport, shëndetësi dhe kontroll fiskal.

Sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, vitin e kaluar ato realizuan 19.4 miliardë lekë, ose rreth 147 milionë euro të ardhura bruto. Nga kjo shifër, 5.1 miliardë lekë ose 26.3 për qind kanë shkuar drejtpërdrejt si fitime neto për kompanitë.

Por, cili ka qenë përfitimi për buxhetin e shtetit nga biznesi i koncesioneve?

Sipas deklarimit në bilance, në vitin 2016 kompanitë koncesionare paguan në total vetëm 851 milionë lekë, ose më pak se 6.4 milionë euro tatim fitimi në buxhetin e qeverisë. Kjo është sa 4 për qind e taksave, që Qeveria u merr punonjësve mbi pagën.

Kompanitë koncesionare paguajnë taksa njësoj si bizneset e tjera: 15 për qind mbi fitimin, por normat e tyre të fitimit janë disa herë më të larta.

Sipas QKB-së, pjesa më e madhe kanë norma fitimi që variojnë nga 30 deri në 45 për qind të xhiros bruto. Në vendin e parë renditet koncesioni i Aeroportit, i cili në vitin 2016 realizoi një normë fitimi 43.8 për qind mbi xhiron. I dyti vjen koncesioni i Hemodializës me 40.9 për qind dhe në vendin e tretë rezulton ai i Pasaportave, i cili fiton 38.5 për qind mbi të ardhurat.

Në fakt, pesha e koncesioneve në ekonominë shqiptare është shumë herë më e madhe sesa kaq. Por në listën me 11 kompanitë e marra në shqyrtim nuk përfshihen koncesionet e naftës, si “Bankers” apo “Transatlantik”, ato të hidrocentraleve, si dhe disa kompani të tjera shërbimesh, të cilat nuk i kanë dorëzuar bilancet në QKB, siç e kërkon ligji./TCh/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *