Komentuesit i turren Ramës, dëshmitarët: Deputeti e masakroi

Postuar më: 13 August 2017 10:10

Aksidenti me vdekje, që shkaktoi deputeti i PDIU, Aqif Rakipi ka dominuar diskutimet online.

Dëshmitarë të aksidentit tragjik të orëve të para të mëngjesit, që u shkaktua nga deputeti Aqif Rakipi, kanë qenë edhe dy kushrinjtë e viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë.

Ata kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes, edhe pse nuk pranojnë të japin shumë detaje, pasi siç shprehen ata, po presin që të japë një version zyrtar Policia e Prokuroria, shkruan “Panorama”.

Megjithatë ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes.

“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.

Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.

“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë. Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai.

Ndërkohë kryeministri Rama ka publikuar sot në rubrikën “Mirmëngjes” një foto nga Kepi i Rodonit përmes së cilës uron qytetarët.

Por, siç duket askush se ka patur mendjen tek foto që ka publikuar kryeministri, pasi komentuesit pas lirimit të deputetit Aqif Rakipi i cili u përfshi në një aksident me pasojë vdekje e akuzojnë se ka kapur drejtësinë.

“E ke kapur drejtësinë. Ai deputeti nuk bëri asnjë ditë burg. Mirë ia bën këtij populli, jepi!”, shkruan komentuesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *