‘Jetën ose 100 mijë euro’: Arrestohen gjobëvënësit vlonjatë

Postuar më: 13 August 2017 11:05

Dy të rinj nga Vlora janë arrestuar pasi akuzohen se kanë kërcënuar me jetë një 46-vjeçar, po me banim në Vlorë nëse ky i fundit nuk do i jepte 100 mijë Euro.

Të arrestuarit janë Endri Beqiraj, 28 vjeç dhe Julo Rrokaj, 25 vjeç.

“Të dy këta shtetas prej disa muajsh kanë kërcënuar me anë të telefonit, shtetasin Sh.S., 46 vjeç, banues në Vlorë, që t’u jepte një sasi vlerash monetare prej 100.000 Euro. Ditët e fundit këta shtetas e kanë kërcënuar edhe me jetë në rast se nuk do të jepte shumën e kërkuar”, informon policia e Vlorës.

Ata u arrestuan të shtunën e 12 gushtit 2017 në fshatin Qishbardhë.

Sipas policisë ka pasur konflikt për motive të dobëta mes Endri Beqirajt dhe shtetasit Sh.S.

Dy të rinjtë u arrestuan gjatë pritjes për të marrë shumën e parave të kërkuara.

Materialet u referuan në Prokurori në ngarkim të tyre për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b/25 i Kodit Penal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *