Flora Brovina: ‘Stinë jargavanësh’ – tjetër dëshirë për të rilindur

Postuar më: 19 August 2017 11:58

Para pak kohësh lexova romanin e Flora Brovinës Stinë jargavanësh, botuar nga Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës. Për të lexuar romanin e Flora Brovinës, poete, gazetare, aktiviste e shquar e të drejtave të njeriut, personalitet – simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kërkon, padyshim, një qasje të veçantë.

Nga Diana Çuli

Para pak kohësh lexova romanin e Flora Brovinës Stinë jargavanësh, botuar nga Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës. Për të lexuar romanin e Flora Brovinës, poete, gazetare, aktiviste e shquar e të drejtave të njeriut, personalitet – simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kërkon, padyshim, një qasje të veçantë. E njohur më shumë në letërsinë shqipe si poete, Brovina e ka këtë vepër romanin e saj të parë, ndonëse dikur, që më 1995 ka botuar si tregim tek Bujku. Më vonë, siç ndodh në proceset krijuese të autorëve, ajo me siguri e ka lënë për një periudhë. Ndërkohë Kosova ishte në prag të luftës e më pas në luftë e ajo vetë në persekutime e burgosje. Kuptohet se romani do të priste një stinë tjetër për të rilindur, për të marrë formë dhe për të shprehur tashmë nga largësia kohore atë që dëshiron autorja.

Romani Stinë jargavanësh është ndërtuar me kapituj të shkurtër, si copëza jete që të duket sikur ndjekin kohën reale dhe pastaj papritmas, lexuesi e kupton se përkundrazi, ata kapituj janë njëkohësisht e shkuara dhe e ardhmja – tredimensionalë. Jeta e një familjeje kosovare, e babait, nënës, fëmijëve të tyre, e personazhit kryesor që është një grua, është jeta e Kosovës së viteve të prag-luftës dhe e fillimit të luftës. Është jeta e vetë kosovarëve, patriotizmit të tyre në breza, lidhja e tyre ekzistenciale me lirinë. Vlera e lirisë qëndron mbi gjithçka – ajo mbizotëron të gjithë jetën dhe zvogëlon dëshirat e zakonshme, synimet e vogla ose të mëdha të jetës personale, sepse nuk ka jetë personale pa lirinë.

Mund të quhet edhe roman biografik, sepse padyshim ka elemente biografike, siç mund të jenë elementët familjarë, përdorimi i helmit Sarin tek fëmijët kosovarë me të cilët vetë Flora Brovina u mor gjatë dhe shpëtoi një numër të madh të tyret. Për këtë arsye atë e pushuan nga puna, më pas e burgosën,  edhe për të gjitha veprimtaritë e saj politike. Secili shkrimtar e di mirë se shpesh – ose gjithnjë – elementët biografikë mund të jenë një kurth, një pengesë, një lehtësi e rreme në realizimin e veprës letrare. Hollësi të ndryshme, të dashura e kuptimplote në jetën reale nuk janë të tilla, nuk marrin peshë në “jetën e krijuar letrarisht”. Ato mund ta dëmtojnë librin, i cili mund të dalë prozaik, jo –interesant, sepse i mungon fantazia – që është një element kryesor në krijimtarinë aritistike.

Por Flora Brovina ia ka dalë me sukses ta kapërcejë këtë rrezik dhe të na japë në dorë një roman të vërtetë, tërheqës, dramatik e lirik njëherazi. Padyshim, qënia e saj si poete ndikon në frazën e saj plot kolorit e figuracion, në lirizmin që përmendëm, në metaforat dhe simbolet. Vetë titulli i romanit: Stinë jargavanësh është simbolik. Gjatë gjithë zhvillimit të subjektit, i cili të duket sikur zhvillohet nën dëborë dhe të ftohtë, pritet kjo stinë jargavanësh. Madje, skena e arrestimit të personazhit kryesor nga policia ka ngarkesë të madhe emotive, me djalin që e ndjek nga pas të ëmën dhe i thotë: – Nënë , vishu trashë.

Në këtë jetë kaq të vështirë dhe kaq nën presion njeriu gjen pika te tij të referimit, na thotë autorja. Dashuria njerëzore, identiteti, legjendat, miqësia, romanca, poezia, historia  – gjithçka i jep kurajë dhe bazë të fortë për të vazhduar dhe për të mos humbur thelbin njerëzor brenda vetes.

Në roman kemi jetën e Florës dhe të familjes së saj, jetën e familjeve kosovare që përjetuan ankthin, ëndërrën dhe zhgjëndërrën, fëmijërinë e humbur, baballarët e burgosur, nënat që nuk kanë kohë për fëmijët e tyre, sepse, mbi të gjithë mbizotëron ajo që thamë dhe më sipër: liria, lufta për të.  Romani ka një  tis të veçantë të ndjesive femërore në rrethana të tilla ekstreme: janë të paharrueshme faqet ku përshkruhet dashuria e nënës, frika e gruas se mos aborton fëmijën në bark gjatë çasteve të vështira të kësaj jete, ëndërrat e vajzave, të grave, të nënave. Asgjë nuk është e burrëruar me zorr, asgjë nuk tingëllon mashkullore në këto gra që luftojnë kundër shtypjes, forca e tyre është shpirti dhe mendja.

Romani është një dëshmi e fortë dhe e qartë e luftës së popullit të Kosovës për pavarësi. E gjitha e përçuar përmes një force artistike e mjetesh shprehëse letrare të arrira. Jo më kot autorja ka vendosur si hyrje të një prej kapitujve të romanit fjalët e Kadaresë: “ E halli i Kosovës është sot kolosal. Hermetizmi është ndërprerje, është pengesë serioze për dëshmi. E Kosova më fort se kurrë ka nevojë sot ta dëshmojë tragjendinë e vet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *