Edi Rama kryeministër i Shqipërisë?! Gafa logjike e “Doktorit”

Postuar më: 12 August 2017 09:58

Nga Klementin Mile

“PD zyrtare e mbyti Ramën me opozitë për atletet!”. Kështu shkruante para një jave në Facebook Gent Kaprata, ish-anëtar i Partisë Demokratike. Kaprata e kishte fjalën për deklaratat e “Doktorit”, liderit historik të PD-së, Sali Berishës, i cili këto ditë të nxehta gushti po përpiqet të rrisë temperaturën e ligjërimit politik. Berisha i referohej Samitit të Podgoricës, ku sipas tij Rama ishte përjashtuar nga fotoja familjare e samitit për shkak se kishte veshur atlete e jo këpucë. Përveç kësaj, para pak ditësh Berisha vijoi ta sulmojë Ramën duke e quajtur një “Noriegë” që nuk ka kohë të lërë pushimet në Dhërmi e të shuajë zjarret në vend. Kujtojmë që edhe gjatë fushatës elektorale Partia Demokratike u mor më shumë me tutat e Ramës se sa me elemente të tjera të qeverisjes së tij.

Gjithë këto akuza ndaj Ramës, po t’i zhveshim nga stili ironik i të shprehurit, reduktohen në pohime të thjeshta si tipit “Rama preferon të veshë atlete”, “Ramës i shijojnë pushimet në Dhërmi”, “Rama preferon të veshë tuta sportive”. Nëse këto pohime janë të vërteta, ato thjesht tregojnë se Rama ka preferenca që e bashkojnë me shumicën e shqiptarëve. Po edhe sikur Rama të kishte preferenca të tjera për veshjen dhe pushimet, bie fjala të preferonte veshje klasike dhe pushime në Barcelonë, a do ishte kjo e rëndësishme për qenien e tij kryeministër i vendit? A mos vallë situata e zjarreve në vend do të zgjidhej nëse Rama do ta linte Dhërmiun e do t’i hipte një helikopteri për t’i shuar personalisht ato zjarre?

“Doktori” bën një gafë logjike. Ai vendos një identitet fals ndërmjet Edi Ramës dhe kryeministrit të Shqipërisë. Është e vërtetë që kryeministri i Shqipërisë është Edi Rama. Por nga ana tjetër, Edi Rama nuk është kryeministri i Shqipërisë. Ky identitet është po aq fals sa sikur të thuash “Mollët janë fruta dhe frutat janë mollë”. Ashtu si bashkësia e frutave është më e gjerë se ajo e mollëve, edhe bashkësia e njeriut Edi Rama është më e gjerë se ajo e kryeministrit të Shqipërisë. Njeriu Edi Rama është edhe familjar, pushues, admirues i stilit sportiv të veshjes, artist etj. Në fakt, njeriu Edi Rama është një gjë krejt tjetër nga kryeministri i Shqipërisë. Të akuzosh Edi Ramën do të thotë të mos merresh fare me kryeministrin, do të thotë të bësh artikulime pa asnjë cilësi politike.

Ne mund të mos e kemi të gjithë informacionin për të ditur kush është Edi Rama. Dhe fundja kjo nuk ka ndonjë rëndësi publike. Por Kushtetuta e vendit, në nenin 102, na e thotë qartë kush është kryeministri i Shqipërisë. Ai përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij; koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për to; siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave; bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve të tjera të administratës qendrore të shtetit.

Kryeministri është çka Kushtetuta e lejon dhe detyron të bëjë. Kryeministri përfaqëson, kryeson, koncepton, paraqet, përgjigjet, siguron, bashkërendon, kontrollon etj. Por kryeministri nuk pushon, as vesh, as preferon. Të flasësh për pushimet e dikujt në Dhërmi apo preferencën për veshjet, do të thotë të merresh jo me kryeministrin, por me një njeri në jetën e vet private. Por edhe sikur të arrinim deri aty sa t’ia mohojmë jetën private personit që bëhet kryeministër, në ç’mënyrë e pengon vila në Dhërmi dhe valët e detit ushtrimin e detyrave të kryeministrit?

 

Rubrika Peripatos

2 komente për këtë artikull
  1. SHKODRAN Bushati at 1:16 pm

    Cfare gazetresh te peshtire , servila , te neveritshem , po ketu eshte thane qe kryeministri me vese rama , eshte paraqitur si zhul , perpara perfaqsuesve te shtetetve te Ballkanit , ai mund te veshe tuta , ose mund te rrije dhe lakuriq ( ashtu sec e kemi pare ne foto ne gazeten tema te bazez kur ishte me detyre me sha ramen), ne shpi ose me shoket e tij kur merr dhe stimulues po jo ne takimet zyrtare se ehste turp e faqja e zeze . y ky gazetaruc bane se nuk dine gja .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *