Duel filozofësh: Kush i do shqiptarët më shumë se Amerika?

Postuar më: 12 August 2017 13:15

Prej disa ditësh, në hapësirën mediatike shqiptare po zhvillohet një debat interesant në lidhje me atë çka përfaqëson ideologjikisht Vetëvendosja, sa koherente dhe e dobishme është ajo për Kosovën dhe të ardhmen e të rinjve.

Debati është zhvilluar mes Blerim Latifit, profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës dhe këshilltar i kreut të PDK dhe Elvis Hoxhës, anëtar kryesie i Vetëvendosjes dhe njëherësh pedagog filozofie në UT dhe Akademinë e Filmit Marubi.

Gazeta Mapo, si një e përditshme liberale, ka ndërhyrë në këtë debat me një shkrim të pedagogut të filozofisë në UET dhe analistit Arjan Çuri.

Nisur nga kundërshtitë për demarkacionin, ku akuzohet se Kosova do humbasë pjesë të territorit të saj, ai ka një pyetje për Elvis Hoxhën: Kush i do shqiptarët më shumë se Amerika.

“Një pyetje më lind, sa herë që kam ndjekur debatet e fundit politike në Kosovë. Po mirë, këta kufij që duan të mbrojnë një pjesë e spektrit politik kosovar, kush i garantoi dhe siguroi? A mund të mbrojmë nga perëndimi, kufijtë të cilët ai na i siguroi? Po mirë, do më thoshte Elvisi, ti thua, që meqë na i dha ata kufij, atëherë edhe mund të na i heqë kur të dojë, dhe ne të mos reagojmë fare? Jo, do t’i thosha pa frikë, sigurisht që duhet të ketë një reagim, por ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e dimë, që Kosova është realitet që nisi të krijohet nga luftëtarët për liri, por që nëse nuk ndihmoheshin nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga bombardimet e NATO-s dhe administratës Klinton, as që do të mund të flisnim fare sot për kufij e demarkacion. Në vend që të kundërshtojmë çdo zgjidhje të tyren, edhe pse të dhimbshme për ne, më mirë është të përpiqemi të kuptojmë, arsyen që fshihet pas këtyre lëvizjeve.

Me të njëjtën mënyrë, perëndimi vendosi që në 1913, me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ta copëtonte Shqipërinë dhe të linte jashtë saj, shumicën e territoreve natyrore të kombit tonë. Po a ishte zgjidhja më e mirë, qasja që i bëri komunizmi këtij komuniteti ndërkombëtar dhe izolimi total prej tij i Shqipërisë, duke ngritur peshë zemrat e proletariatit me poezitë e Migjenit, gjithashtu? A do Elvis Hoxha dhe deri tani gati një e treta e popullit kosovar, që pushtetin ta marrë një lëvizje totalisht marksiste me nota të forta nacionaliste dhe izolacioniste? Sigurisht nuk mendoj se po ky komunitet perëndimor do ta lejonte instalimin e një partie të ekstremit të majtë në Kosovë, siç nuk e la edhe në Greqinë fqinje. Syriza atje, erdhi në pushtet me të njëjtin diskurs dhe me ndihmën e filozofëve të ngjashëm me Elvisin. Por mbas ardhjes në pushtet, e kuptuan se rregullat e lojës kanë ndryshuar, se borxhet duhen shlyer dhe se reformat duhen bërë, pikërisht siç vinin prej trojkës që përfaqësonte perëndimi. Një ministër, filozof i ekonomisë, dhe profesor me zë, Varufakis, shumë i ngjashëm me Hoxhën në frymëzim dhe ide, që bënte numra e lojëra në Bruksel, u dorëhoq brenda 24 orëve, me kërkesë ultimative të Brukselit, që nuk pranonte të negocionte më, nëpërmjet tij. Dhe historiciteti që përfaqëson populli i Greqisë, nuk i zmbrapsi aspak ekspertët dhe mendimtarët e perëndimit, që të kërkojnë deri në qindarkën e fundit, dhe deri në reformën më të dhimbshme, marrjen e përgjegjësive dhe shlyerjen e çdo borxhi prej palës greke.

Kështu që edhe nëse Vetëvendosja do të vijë në pushtet, ajo sigurisht që do të përshtatet me rregullat e lojës, që në anët tona, është perëndimore dhe ndërkombëtare. Përndryshe vetë loja do e nxjerrë jashtë, dhe vetë populli, që e votoi, do të rimarrë sërish fatet e veta në dorë, që janë vetëm europiane dhe perëndimore, sado problematik dhe i paqartë është bërë realiteti i kontinentit të vjetër, këto kohë,” shkruan Çuri.

Gazeta Mapo në një editorial të para disa ditëve shkruante se Vetëvendosje duhet të qëndrojë larg qeverisë.

“Momenti politik i Kosovës ka arritur në një pikë kyçe të tij. Në tavolinë janë bisedime të rëndësishme për fatin e saj rajonal dhe europian. Gjërat duken se po shkojnë për mirë, duke marrë parasysh dhe deklaratat e fundit të Vuçiç, i cili pranoi realitetin e ri në rajon që është Kosova si një shtet i pavarur.

Të gjitha këto emancipime kanë ardhur si pasojë e negociatave të moderuara. Në këtë kuptim vazhdimësia e këtij kursi politik ndërkombëtar ka ende nevojë për politikanë të moderuar dhe të kujdesshëm dhe jo politika radikale që propagandon Lëvizja Vetëvendosje. Që mos të shkatërrohet çdo gjë e mirë që është bërë deri më tani në këtë drejtim, Kosova ka ende të domosdoshme parti politike që kanë sensin e përgjegjësisë dhe progresivitetin politik,” shkruante drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj.

Lexoni më poshtë shkrimet e plota:

Elvis Hoxhën e pyes: Kush na do ne më shumë se Amerika?

Momenti e do që Vetëvendosja të qëndrojë larg qeverisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *