Dhimbja paskësh qenë kaq e madhe! Në 50-vjetorin e lindjes së Gilman Bakallit

Postuar më: 11 August 2017 16:14

Nga Tonin Gjuraj

Personi njerëzor është i patjetërsueshëm. Në këtë kuptim, fjalia-klishe për dikë, pas vdekjes, se “nuk do të harrohet kurrë” më është dukur gjithmonë pa kuptim, për të mos thënë idiotike dhe acaruese. Mesa duket, megjithatë, qëllimi kryesor i kësaj fjalie nuk është e vërteta, por ngushëllimi.

Me këtë status të shkurtër për mikun tim të ndjerë, Gilman Bakalli, nuk dua të shmang të vërtetën. Ndjenja që vdekja e tij nuk është e nuk do të jetë, është thjesht ngushëllim.

Gilmani nuk jeton më. Nuk di nëse është harruar si trup… Vdekja e tij bart misterin e vet. Ai nuk është askund në UET, që prej 8 tetorit të 2016-ës. Pikërisht, sot, më 11 gusht, do të kapte të 50-at.

Por, ai nuk është më me ne. Nuk është pranë familjes. Mund të ngushëllohemi sa të duam, por disa gjëra i dimë me siguri:  auditorit dhe studentëve u mungon lektori brilant, shkencave të komunikimit një prej studiuesve shqiptarë më të spikatur, medias së shkruar mjeshtri i fjalës, kolegëve mendimi i tij, miqve më të afërt humori e batuta; kafja e mëngjesit në UET pothuajse është disintegruar, forumet UET të së martës, megjithë shkëlqimin e tyre, ndoshta janë të paplota e pa kundërshtitë e mjaftueshme, rrethi i filozofisë dhe studimet letrare pa zërin e veçantë të tij dhe disi të cunguar, mua miku i pazëvendesueshëm, që kam ndjerë thellë mungesën e tij.

Ti Gilman, si askush tjetër kuptove lirinë dhe shijove atë, pa dëmtuar tjetrin. Edhe pse trupi jot ka vdekur, karakteri, arsyeja dhe kujtimi yt vazhdojnë.

Jeta jote njerëzore, edhe pse e shkurter, ka siguruar mbijetesën e personit tënd. Po, në këtë kuptim, nuk mund të “harrohesh”. Por “gjërat që jetojnë duhet të vdesin”, thonë filozofët.

Kuptimplote është se ti po “mbijeton”, pa u harruar, sepse pas vdekjes së trupit tënd, jeta dhe personi yt mbeten të njëjtë në sytë tanë.

Më beso mik, errësira që ke lënë është shumë e madhe. Kam ardhur disa herë pranë teje, aty ku prehesh i qetë, sikundër jo rrallë jam mbyllur edhe në zyrën time, duke derdhur ndonjë pikë loti përballë portretit tënd, duke lutur Zotin që pika e derdhur e lotit të të bëhet dritë aty ku prehesh.

Në këto momente më vijnë në mendje vargjet e poetes Mimoza Ahmeti: “Por errësira paskësh qenë kaq e madhe, kaq pa fund, e dhimbja sa ndriçimi. Dhimbja sa ndriçimi.”

Oh mik, atë vetmi që kemi ndjerë të gjithë këtë vit, m’u desh ta studjoja gjatë ndoshta dhe ta ndaja me kolegët dhe familjen time. Nuk e di përse kishte një garë të sinqertë, deri në turravrap, për të patur, disa prej nesh në UET, diçka tënden, strikt personale, për ta “përvetësuar”, një fotografi tënden, portret, shkrim apo ese, batutë, pse jo dhe biçikletën, pse jo dhe kollare (unë i kam të dyja, edhe kollaren D&G, edhe portretin tend).

Megjithatë, Gilman, edhe pse dukem i paaftë për të pranuar humbjen tënde, edhe pse në këtë ditë zie për ty, në vend të festimit të ditëlindjes së 50-të, jemi të detyruar të besojmë se jeta ekziston dhe duhet të vazhdojë… U prehsh në paqe mik!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *