Debati për letrën e Kadaresë, Kaloçi: Nuk kam pretenduar se kam çdo dokument për Kadarenë, ja porosia e vetme e shkrimtarit

Postuar më: 08 August 2017 12:28

Pas publikimit të letrës së 2 prillit 1980 që shkrimtari Ismail Kadare i ka dërguar Enver Hoxhës, që lidhet me hetuesinë e motrës së tij, është hapur një debat i madh mediatik ku mes të tjerëve kanë reaguar Spartak Ngjela, Astrit Patozi e Mentor Kikia, të cilët janë vendosur në anën e shkrimtarit, duke u shprehur se po sulmohet gjithçka perëndimore, ndërsa kundërshtarët vazhdojnë ta shohin si një histori që implikon Kadarenë

-Reagon edhe Dashnor Kaloçi, autori i librit “Kadare i denoncuar në 101 dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, i cili shprehet se nuk ka pretenduar se është shfrytëzuar dosja e Kadaresë në mënyrë shteruese. Kaloçi ka pohuar se po të kishte hasur letrën e vetme të Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës do ta kishte botuar pa hezitim.

Ka disa shembuj në histori, sidomos të vendeve nën regjime diktatoriale, ku raportet mes shkrimtarëve dhe tiranit janë të rënda e të ndërlikuara. Janë shkrimtarët që i shmangin marrëdhëniet me diktatorin. Po ashtu edhe këmbimet e letrave ose bisedat telefonike janë të rralla. Një rast për t’u përmendur është biseda e famshme telefonike Stalin- Pastërnak. Është ky rast me të cilin gjejmë përkim edhe me shkrimtarin Ismail Kadare i cili ka përjetuar në diktaturë një prej shqetësimeve të tij më të mëdha: t’i drejtonte një letër Enver Hoxhës. Kjo është letra e vetme që Kadare i ka dërguar Enverit. Këtë së paku deri tani kanë pohuar edhe ata që janë marrë me dosjen e Kadaresë.

Për këtë debat ka reaguar edhe Dashnor Kaloçi, autori i librit “Kadare i denoncuar në 101 dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, botimet UET Press, i cili shprehet se nuk ka pretenduar se është shfrytëzuar dosja e Kadaresë në mënyrë shteruese. Kaloçi ka pohuar se po të kishte hasur letrën e vetme të Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës do ta kishte botuar pa hezitim.

“Si autor i Kadare në dokumentet e Pallatit të Endrrave, nuk kam pretenduar që çdo dokument për Kadarenë e kam shfrytëzuar në mënyrë shteruese. Po ta kisha hasur letrën e vetme të Kadaresë për Enver Hoxhën do ta kisha botuar, pasi Kadare ka patur vetëm një porosi për botimin e dokumenteve lidhur me të: publikoni gjithçka, mos hiqni dhe mos shtoni asnjë rresht. Besoj kjo përputhet dhe me marrëdhëniet tona reale, botues, autor dhe subjekt”.

Ngjarja lidhet me vitin 1980 kur e motra e tij, Kadrie Kadare është marrë në pyetje nga hetuesia në valën e arrestimeve që iu bë grave ruse. Referuar letrës del se motra e Kadaresë ka sharë dhe ka folur keq për diktatorin, duke e quajtur ndër të tjera edhe homoseksual. Siç pohon Kadare, pa ditur se çfarë ka ndodhur në hetuesi me të motrën dhe çfarë ajo ka thënë në të vërtetë, pas kësaj ngjarjeje ai ka shkruar letrën drejtuar Hoxhës, pasi jeta e tij dhe e së motrës vihej në rrezik. Kadare ka treguar se kjo letër është shkruar pasi e kanë thirrur në Komitetin Qendror, duke e njoftuar se motra e tij do të ishte në burg, po të mos qe motra e tij.

Kadare ka rrëfyer për ngjarjen se: “Më është thënë se shoqet e saj, një grup shoqesh, janë të gjitha në burg. U thashë se nuk di asgjë. I pyeta pse. Më thanë se flisnin kundër regjimit e, veçanërisht, kundër Enver Hoxhës. Sigurisht që unë në familje nuk bëja biseda të rrezikshme, sidomos me motrën, duke e ditur tipin e saj. Por, kurrsesi nuk e kisha për zakon të flisja për çështje delikate, sepse do kisha marrë veten më qafë shumë vite përpara. Nuk u hodha përpjetë të thosha “jo, janë shpifje”. Dhashë të kuptoj që e merrja me mend që kishte ndodhur kjo gjë, përderisa ishin të gjitha në burg, me përjashtim të motrës sime. Më duket se kam pyetur se sa kohë ka që hetohet dhe më është thënë se hetimi vazhdon prej shumë kohësh. Mora vesh se motra ime ka qenë në hetim për një kohë të gjatë dhe mua s’më ka treguar asgjë”.

Kështu ka shpjeguar në intervistën që Kadare i ka dhënë të përditshmes “Gazeta shqiptare”. Ajo letër pas 40 vitesh është publikuar para pak ditëve, dhe ka hapur një debat të madh duke u konsideruar denoncuese për motrën e tij, Kadrie Kadarenë. Pas letrës, dhe njëkohësisht intervistës, ka reaguar një pjesë e mirë e intelektualëve duke hapur sërish çështjet më të mprehtë në këto 27 vite, që lidhet me procesin e hapjes së dosjeve, dhe dënimeve të krimeve komuniste. Vetë Kadare e ka përmendur këtë sa herë, në daljet e tij publike, dhe në raste intervistash për mediat shqiptare dhe të huaja.

Në rastin e fundit, mbi letrën e tij të vetme pse iu drejtua pikërisht, atij, diktatorit, Kadare ka treguar: “Mendova se ishte më mirë t’ia vija në dukje sunduesit ç’kishte ndodhur, pa e marrë në mbrojtje motrën dhe absolutisht i ndërgjegjshëm, jo vetëm për ta shpëtuar atë, por me atë letër gjithë afera binte, i ulej rëndësia. E gjitha shfryhej, quhej një budallallëk, siç në të vërtetë edhe ishte, sepse të flasësh dhe t’i japësh rëndësi këtij thashethemi për jetën personale të shefit, do të thotë të krijosh një rrezik të kotë. Nuk ishte kjo fatkeqësia e Shqipërisë dhe s’kishte të bënte me hallet e saj”.

Për këtë letër, Kadare ka thënë se nuk ka marrë përgjigje duke u shprehur më tej se “Kjo është e vetmja letër që unë i kam shkruar E. Hoxhës. Ishte thënë për Hoxhën diçka tepër e rrezikshme, për të cilën të ikte koka. Nuk jam penduar që e kam shkruar”

Në këtë debat disa janë vendosur në anën e Kadaresë, duke e konsideruar si përbaltje për shkrimtarin, e të tjerë duke e parë si një histori ku e implikojnë shkrimtarin me diktatorin.

Një ditë më parë, Spartak Ngjela e ka quajtur xhelozi për suksesin perëndimor të Kadaresë, duke shkruar se sot në Shqipëri po sulmohet gjithçka perëndimore.

“Ismail Kadare i paska bërë një letër Enver Hoxhës…Tani po shohim të botuar në shtyp një letër që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës në rrafsh botëror, i paska shkruar tiranit më mizor të kohës, po në rrafsh botëror. Dhe? Sipas kohës duhej të shkonte minimumi në burg, sepse tirani, për një shkrimtar të atij niveli parapëlqente litarin. Atëherë? Kadarea duhej të kishte “shkuar në litar vetë”, që tani t’i këndohej një këngë, dhe aq, Po ç’janë këta heronj që na u fshehën skutave nga tirani, dhe mirë bënë, por që tani na kërkokan heroiken! Ore njerëz! a e dini ju se kush ka qenë Enver Hoxha? Vërtet e dini lider humanist që qante për një zog të vrarë? E dini që shkrimtari më i madh i kohës, i ka shkruar një letër tiranit më mizor të kohës, për të shpëtuar motrën e tij, dhe t’i hiqte atij edhe dyshimin e patologjisë së tij për vetë shkrimtarin?”. Ngjela vazhdon më tej se “Ismail Kadarenë nuk e ka shpëtuar as letra e tij, dhe as ato që ka shkruar i detyruar për tempin zyrëtar të një kohe tiranike: Ismail Kadarenë e shpëtoi fama e tij në Francë dhe në Perëndim. Se për spiunët që e ndiqnin këtu gjithë ditën, Kadare do të ishte ekzekutuar me kohë. A e dini që, për vdekjen e tiranit, në vitin 1985, shkrimtari më madh i letrave shqipe nuk shkroi asnjë rresht! Nuk mund të shkohet në Perëndim pa vlera kombëtare perëndimore, dhe ne, një që kemi gjallë: mos na duhet t’ia japim ose Enver Hoxhës, ose Stambollit, që do të ishte e njëjta gjë?”.

Edhe në dialogun e Kadaresë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Stéphane Courtois, autorin e librit të famshëm “Libri i zi i komunizmit”, që përbën pjesën përmbyllëse të librit “E vërteta që del nga qilarët” (nëntitulli në frëngjisht i librit “Dosja K., i Shaban Sinanit), përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese franceze “Odile Jacob”, në vitin 2006, kujtojmë se shkrimtari është shprehur: “Kadare: Në arkiva sekrete qindra faqe kundër meje, s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd”. Me titullin “Pa Kadarenë, Shqipëria do të ishte e mangët”, gazetari Mentor Kikia është një tjetër zë që ka reaguar në të përditshëm “Gazeta shqiptare”, në një opinion të tij vlerëson Kadarenë për sqarimin e ngjarjes, e sidomos të letrës së shkruar nga rrethanat e kohës. Ai thotë ndër të tjera se “Kadare shkruante për të motrën se “është me probleme mendore, ndaj flet keq politikisht” dhe se për këtë arsye edhe i kishte kërkuar të mos i shkonte më në shtëpi, u konsiderua nga ata që janë të etur për të baltosur gjithçka e këdo në këtë vend, si tregues se Kadare ka qenë një servil i Enver Hoxhës. Dhe për këtë “bëri hasha edhe motrën e tij”. Por Kadare sqaron se ajo që i shkroi sundimtarit për të motrën ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar të motrën nga burgu dhe padyshim edhe veten e të tjerë persona të familjes, që dihej si përfundonin atë kohë për të tilla gjëra… Për letrën e Kadaresë, ka reaguar edhe politikani Astrit Patozi, i cili është shprehur ndër të tjera, se: “…ka disa ditë, që për herë të parë ndoshta, po “shijojmë” inversin e kësaj ligjësie universale. As më shumë e as më pak, por Ismail Kadareja po trajtohet sot si vëllai i Kakusë. Dhe e gjitha ngjan si “hakmarrje” pa dashje e motrës për të vëllanë, pas kaq vitesh “persekutimi”.  Arsyeja është një letër e shkrimtarit të madh në adresë të diktatorit Hoxha, këtu e 37 vjet të shkuara, me subjekt pikërisht motrën e tij. E cila asokohe rrezikonte seriozisht burgun, për shkak se fliste pa pushim kundër regjimit në përgjithësi, por ç’ishte më e keqja, kundër Enverit në veçanti. Unë nuk dua të merrem me debatin e ndezur, që ka shpërthyer në Shqipëri, nëse bëri mirë apo bëri keq Ismail Kadareja që e dërgoi letrën, aq më tepër kur ai vetë e ka sqaruar në mënyrë të qartë, si qëllimin ashtu edhe rrethanat e shkrimit të saj. Por më bën përshtypje një gjë në këtë histori. Si ka mundësi të ketë ende njerëz në Shqipëri që të gjejnë më shumë faj te një letër e pafajshme e shkrimtarit, se sa tek ata që bënë krimet më monstruoze në të gjithë ish-Lindjen komuniste?”. Ndërsa Kadare në intervistën e tij e ka pohuar shkrimin e letrës, ekzistencën e saj në një faksimile të vetme, dhe të vetmen që i ka dërguar në jetën e tij Enver Hoxhës, duke thënë se: “Unë, në fakt, prisja nga hapja e dosjeve një trajtim më serioz të një çështjeje të tillë. Ç’domethënë trajtim serioz? Do të thotë që shtypi, që e nxjerr një letër të tillë, duhet të japë një sqarim minimal për të. Është i rëndësishëm si dokument, sepse është letra e një shkrimtari të njohur, e vetmja drejtuar sunduesit të vendit dhe botohet, si rastësisht, pa asnjë informacion sqarues”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *