ALUMNI International; UET mbledh studentët e vet nëpër botë

Postuar më: 31 August 2017 20:51

Më shumë se 750 studentë të UET ndër vite kanë ndjekur semestra ose cikle studimi në universitet më të mira perëndimore. Alumni-UET zgjodhi dje dhe presidenten e re Adela Danaj që vjen pas studimeve pranë CEO në Hungari

Studentë shqiptarë që kanë studiuar në universitetet prestigjoze jashtë vendit u takuan sot në shtëpinë e tyre të parë të studimeve, UET, për të ndarë eksperiencat dhe për të mbajtur lidhjen me universitetin.

Alumni International është një organizëm brendas shoqatës UET-ALUMNI që shënon brenda vetes mijëra studentë që kanë studiuar në UET më shumë se një dekadë të jetës së tij si universitet.

Ata janë ish-studentë të UET të cilët me anë të programeve të shkëmbimit studentor, bursave Ersamus apo nëpërmjet aplikimeve direkte në universitetet europiane dhe  jo vetëm, kanë arritur të prekin një eksperiencë të re akademike.

Tradita e rikthimit në “shtëpinë e parë” akademike i mblodhi dhe këtë vit në UET, ku takimi shënoi dhe një moment të veçantë, zgjedhjen e Presidendit të ri të shoqatës Alumni, e cila këtë herë vjen nga radhët e Alumni International.

Adela Danaj, ish-studente ekselente e UET në Shkencat Politike, sapo është kthyer nga studimet master në një prej universiteteve më të njohur në Europë, Central European University (CEU) në Budapest, Hungari.

E angazhuar në CEO me projekte kërkimore për Ballkanin Perëndimor dhe e vlerësuar me bursë ekselence dhe si imazh i këtij universitetit Adela nuk është një shembujt me të cilët krenohet UET, edhe për faktin që vendosi të kthehej për t’u angazhuar pranë këtij universiteti.

Presidenti i UET, Prof.dr.Adrian Civici, duke vlerësuar komunitetin e studentëve ndërkombëtarë i cilësoi ata si “pasqyra e suksesit të universitetit”.

“Sot krahas UET-it janë dhe logot e disa nga universiteteve më prestigjoze të botës, dhe kjo na bën dyfish krenar që studentët tanë, tashmë bashkëpunëtorët tanë, kanë qenë pjesë e këtyre universiteteve. Ne e kemi bërë traditë, është viti i 9 që organizojmë takimin me  Aluminin, viti tjetër është viti i 10 dhe duke qenë  ky një vit jubilar do të shoqërohet me një botim luksos dhe prestigjoz me rastet më të suksesshme të Alumnit të UET.  Studentët që vijnë nga këto universitete prestigjoze, dhe punësime po kaq prestigjoze, qoftë në Shqipëri qoftë jashtë,  në një farë mënyre janë edhe pasqyra e vërtetë me të cilën ne duhet të përballemi dhe duhet të vlerësojmë veten çdo ditë, se çfarë produkti kemi, sa cilësor është. Po më shumë se kaq ne po bindemi për sensin e dyfishtë të këtij bashkëpunimi. Më shume sesa ne të shohim veten se çfarë kemi prodhuar duhet të bashkëpunojmë me ju për të marrë gjithë elementët pozitivë, gjithë formimin metodidik, akademik, shkencor apo edhe menaxherial  dhe ekzekutiv që ka marrë secili prej jush në kualifikimet apo shkollimet që ka bërë”- theksoi Civici në fjalën e përshëndetjes.

Studentët sollën historitë e tyre të përballjes me studimet në universitetet perëndimore, eksperienca akademike dhe jetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *