Akri Çipa: Jemi që pa ardhur deti…

Postuar më: 19 August 2017 12:00

“Jemi që pa ardhur deti”, i Akri Çipës dhe botuar nga OMBRA GVG, është “një dialog unik i poetit me nipin e tij”, pra bëhet fjalë për një intervistë me poetin Lefter Çipa, mbi poezinë dhe çështjet ekzistenciale të njeriut, si reflektim i përbashkët i dy brezave

Libri juaj i ri “Jemi që pa ardhur deti” mund të konsiderohet i veçantë për shumë arsye. Cilën do etiketoje si më përfaqësuesen?

Sikurse e kam thënë në hyrje të librit, veçantia më tipologjike është tek marrëdhënia që kam unë me të intervistuarin, me gjyshin tim, e cila është një marrëdhënie jo vetëm gjaku, por edhe formimi kulturologjik. Kur fillova të pyesja dhe të mbaja shënim përgjigjet, isha i vetëdijshëm se ekzistonte rreziku që të isha pre e subjektivitetit që lindte nga marrëdhënia ime me të. Pavarësisht se jam përpjekur ta shmang sa më shumë të jetë e mundur, ndikimi i kësaj marrëdhënieje thjesht nuk mund të neglizhohej plotësisht. Gjithsesi, besoj dhe shpresoj se, aty ku ndihet, efekti nuk është negativ. Në fund të fundit, libri nuk synonte të ishte një intervistë e ftohtë dhe e shkëputur: në vetë natyrën e tij ai është bazuar në një bisedë të prekshme.

Në librin tuaj flitet për çështje dhe tema ekzistenciale të njeriut si vendlindja, kombësia, tradita, feja, vakuumi ideologjik, etj. Pse zgjodhët pikërisht këto për dialogun mes jush?

Me përjashtim të kësaj vere, gjatë së cilës isha në Neë York për arsye pune dhe nuk pata mundësi të shkoja, çdo verë kaloj të paktën disa ditë në Himarë, tek shtëpia e gjyshërve. Pyetjet dhe temat e ngritura në libër janë të zakonshme gjatë bisedave atje. Në këtë vëllim kam dashur të ruaj pikërisht natyralitetin e atyre bisedave, gjithmonë duke organizuar strukturën dhe formalizuar trajtimin e çështjeve, aty ku duhet, për ta bërë të kuptueshëm rrjedhën e mendimeve për lexuesit.

Dialogu mes teje si autor dhe gjyshit tuaj si autor i traditës vë përballë dy breza të largët. A ishte ky libër një mëtim për të krijuar një urë komunikimi për të tejkaluar këtë largësi? Tashmë, teksa libri është në qarkullim, ka ende të pathëna mes jush?

Gjithmonë do të ketë të pathëna ndërmjet dy individëve. Libri është një sintetizim reflektimesh; reflektime të cilat padyshim mund të zhvillohen gjatë kohës. Në qëndrimet dhe mendimet që mund të lexohen tek përgjigjet në libër nuk ka dykuptime. Përgjigjet janë të drejtpërdrejta dhe nuk shtrojnë çështje nënkuptimi. Por, ato ofrojnë padyshim mundësi zgjerimi të bisedës. Baza e tyre është aq e gjerë dhe aq e prekshme për realitetin shqiptar sot sa zgjerimi i këtij diskutimi nuk duhet të jetë mundësi, por detyrim. Dhe nuk e kam në sensin e marrëdhënies sime me Lefter Çipën, të nipit me gjyshin, ose edhe të dy brezave të ndryshëm. Ky libër ngre një sërë diskutimesh të cilat duhet të dominojnë diskursin publik në vendin tonë. Të pathënat ndërmjet dy individëve jo vetëm të brezave të ndryshëm, por edhe të të njëjtës gjeneratë, janë normale. Të pathënat në një shoqëri janë të dëmshme.

Në kapitullin “Arti i krijimit”, krijohet përshtypja sikur ka një divergjencë ndërmjet asaj çfarë prisnit ju si intervistues dhe përgjigjeve reale. Është e vërtetë, apo është thjesht një lexim i gabuar?

Keni të drejtë në leximin që i bëni. Nuk është divergjencë më shumë se sa ndryshim konceptimi. Ne kemi dy qasje diametralisht të kundërta. Lefter Çipa e shikon krijimtarinë letrare si shpirtërore. Gjenezën e veprës letrare e shikon tek materializimi i brumit shpirtëror. Krijimin letrar e përjeton, e ndien. Në këtë sens, ai shikon një konsekuencë në letërsi dhe e mishëron atë. Sipas tij,vepra gjithmonë mbart diçka prej autorit, ndërsa vetë autori përcaktohet nga vepra.

Unë e mendoj ndryshe. E racionalizoj veprën. Shikoj, dëgjoj, prek, perceptoj dhe e konkretizoj perceptimin. Por, pikërisht prej këtij fakti, besoj në asketizmin e veprave letrare. Çdo vepër është entitet unik, pavarësisht se dy vepra mund të kenë të njëjtin autor. Kontinuiteti i krijimit autorial qëndron tek përkushtimi i autorit, por jo te vepra. Pasi një libër ose një poezi botohet, është një gur tregues, por jo përcaktues.

Ndërkohë që ishit duke përgatitur librin, menduat ndonjëherë t’i rishikoni pyetjet ose të ripërkufizonit rrjedhën e bisedës për shkak të kësaj diference?

Isha i vetëdijshëm për këtë ndryshim ndërmjet nesh edhe përpara se të fillonin procesin formal të diskutimit. Përgjigjet nuk ishin surprizuese. Ajo çfarë ju quani divergjencë vjen më shumë prej faktit se pyetjet shtroheshin nëpërmjet filtrit tim konceptual, ndërkohë që përgjigjet vinin nga një dimension letrar krejt tjetër. Nuk është se më shpëtoi ky detaj, përkundrazi, e kuptova ndërkohë që po e redaktoja kapitullin. Të njëjtën gjë e vura re edhe tek kapitujt vijues të librit. Tek-tuk kishte një mospërputhje ndërmjet pritshmërisë sime dhe natyrës së përgjigjes.  Por, në të gjitha rastet, vendosa të mos bëja asnjë ndryshim esencial, pasi kjo mospërputhje është një vetvete një cilësi karakterizuese e bisedës dhe, shpresoj, vlerë e shtuar për vetë vëllimin.

Në dialogun autorial gjysh-nip përqendroheni mjaft rreth konceptit të identitetit dhe autoktonisë. Përse fokusoheni pikërisht në këto pika?

Mund të them se e bëra për dy arsye: për të kuptuar esencën e figurës publike të Lefter Çipës, sikurse edhe për të përcaktuar gurthemelin e veprës e tij. Bëj një konstatim në libër; një konstatim që përmbledh diçka të njohur, edhe për ata që nuk janë nga ajo zonë. Himara është një krahinë që ka problem me identifikimin kombëtar.  Në këtë aspekt, gjykoj që vlen të krahasohet problematika identitare e krahinës me qëndrimin e pakompromis të Lefter Çipës. U përqëndrova mjaft në këtë pikë pikërisht për të pasqyruar se si ka ardhur ky dyjëzim. Përse tek gjyshi im dhe, rrjedhimisht, tek gjithë familja ime identifikimi ka qënë gjithmonë i lehtë dhe përse tek një pjesë e mirë e banorëve të kësaj krahine ka qenë dhe, deri diku, është ende problematik? Është e vërtetë që kjo përgjigjja e kësaj pyetjeje ka një dimension politik, por për ta kuptuar plotësisht fatin e trazuar të Himarës duhet parë edhe aspekti sociologjik. Nga ana tjetër trashëgimia kulturore e Shqipërisë është përcaktuese në veprën letrare të tim gjyshi. E quajta të nevojshme marrjen dhe rimarrjen e elementeve determinante si identiteti dhe autoktonia për të arritur në vetë gjenezën e krijimtarisë së tij.

Para botimit të këtij libri ju keni sjellë vëllimin poetik “Në modernitet humbëm…”, pjesë të trilogjisë “etër dhe bij”. Trilogjia në tërësi duket se plotëson një dukuri brenda një trashëgimie gjenealogjike, teksa autorët ishit ju, dhe babai.  Si e shikoni tashmë në retrospektivë atë botim?

Triptiku poetik “etër dhe bij” ishte një botim i pazakonshëm. Në historiografinë letrare shqiptare dhe europiane vështirë të gjendet një rast i tillë. E kam fjalën për veçorinë përbashkuese të veprave, lidhjen gjenealogjike të autorëve. Nga ana tjetër, veprat ndryshojnë mjaft nga njëra-tjetra. Libri im, i tim eti dhe i gjyshit ndryshojnë jashtëzakonisht shumë, si në formë, edhe në koncept letrar. Në një nga reçensat që iu bë botimit, thuhej se botimi është deri diku një tablo e mënyrës si ka evoluar poezia shqipe në periudhën e pas-tranzicionit. Personalisht më duket i tepërt si pohim. Nuk besoj se ai botim e përshkruan poezinë shqipe deri në atë shkallë. Nisur dhe nga fakti që nuk besoj në universalizimin e poezisë, pasi i shikoj poetët si atome të lirë, të pavarur nga një struktura abstrakte si rryma ose lëvizje letrare. Por, mendoj se botimi është i vlefshëm për të kuptuar ndryshimin estetik dhe mënyrën e perceptimit metafizik të botës nga njëri-brez në tjetrin.

Ndërkohë që po vijoni studimet pasuniversitare si student i ekselencës, ju vazhdoni të jeni i përkushtuar në fushën e letrave. Po punoni për ndonjë projekt të ri?

Aktualisht jam duke përgatitur një libër të dytë me poezi. Do përbëhet nga poezi të shkruara në periudhën 2013-2017. Me aq sa mund të them, është një vëllim që do ndryshojë mjaft nga libri i parë për sa i përket formës, tematikës, por, deri diku, edhe konceptit letrar. Besoj se do jetë gati për botim brenda shtatorit. Njëkohësisht, jam marrë dhe me përkthimin e një vepre jo shumë të njohur të Albert Camus “As viktima, as ekzekutues”. Ky vëllim është një përmbledhje esesh të botuara në vjeshtën e vitit 1946 në “Combat”, gazetën e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Camus kontribuoi përgjatë luftës dhe për një periudhë të shkurtër pas përfundimit të saj. Kam botuar në shtypin e shkruar dhe në mediat online një pjesë të atyre eseve tashmë. Besoj se së shpejti do nxjerr edhe pjesën e mbetur. Më tërhoqi shumë ideja e sjelljes në shqip të këtij cikli. Edhe pse esetë janë shkruar shtatedhjetë vjet më parë, idetë e shtjelluara dhe problemet filozofike të ngritura në ato shkrime vazhdojnë të jenë tejet aktuale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *