Vlahutin- studentëve: Shqipëria, shtëpia juaj e vërtetë. Ju, ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në BE

Postuar më: 17 July 2017 13:50

“Ju do të jeni ambasadorët më të mirë që ka Shqipëria në Bashkimin Europian dhe po ashtu do të jeni ambasadorët më të mirë të BE-së në Shqipëri”, iu drejtua Vlahutin studentëve të përzgjedhur nga programi Erasmus+.

Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së studentëve përfitues të bursave Erasmus+, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin.

Vlahutin, duke ndarë me studentët kënaqësinë për mundësinë e krijuar 12 të rinjve shqiptarë, i konsideroi ata si ambasadorët më të mirë të vendit tonë në Bashkimin Europian, ashtu si dhe ambasadorët më të mirë të BE-së në Shqipëri.

Ambasadorja Vlahutin theksoi se vetëm vitin e shkuar programi Erasmus+ u ka dhënë mundësinë 20 mijë të rinjve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja që të punojnë së bashku për projekte të ndryshme që kishin të bënin me punë vullnetare, shkëmbime rinore, ndërtim të kapaciteteve, etj.

Përveç Erasmus+, Vlahutin informoi se Komisioni Europian jep asistencë për nëpunës civil të rinj të Ballkanit Perëndimor. Me anë të kësaj skeme, tha ajo, ne po u ofrojmë mundësi profesionistëve të rinj nga administrata të ndryshme publike që të punojnë e studiojnë së bashku në këto vende të BP-së.

“Brukseli, Roma, Padova etj, vijoi ambasadorja Vlahutin, do të shërbejnë si shtëpia juaj për pak kohë, por shtoi ajo, shtëpia juaj e vërtetë (Shqipëria) do të jetë duke u pritur. “Do të jem edhe më e lumtur kur të shoh që ju do të jeni kthyer në Shqipëri në këtë vend që ka nevojë për ju. Shqipëria ka nevojë për talenti dhe dashurinë tuaj”, deklaroi Vlahutin.

Studentët e përzgjedhur për të qënë pjesë e disa prej universiteteve më të njohura europiane ndanë opinionet e tyre rreth eksperiencës së re që i pret, ndërsa theksuan se pritshmëritë janë mjaft të larta. Sipas të dhënave vetëm 5.4 % e të gjithë pjesëmarrësve në programet Erasmus Plus nuk kanë mundur të sigurojnë një vend pune brenda 6 muajve pas përfundimit të programit./Politiko.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *