Video: Trazirat në Venezuelë, një grua vritet gjatë votimit

Postuar më: 17 July 2017 11:38

Një infermiere 61-vjeçare u qëllua për vdekje ndërsa priste të votonte në një referendum jozyrtar të organizuar nga opozita në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas.

Disa persona në motoçikleta kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të radhës së njerëzve duke vrarë gruan e duke plagosur 3 të tjerë.

Venezuela është në krizë dhe mbi 100 persona kanë humbur jetën gjatë trazirave politike që prej muajit prill. Sipas një grupi akademikësh që monitoroi referendumin më shumë se 7 milionë njerëz votuan të dielën.

Pjesëmarrja ka qenë më e ulët krahasuar me 7.7 milionë njerëzit që votuan për kandidatet opozitar në zgjedhjet parlamentare të 2015-s, në një vend ku zgjedhësit e regjistruar janë 19.5 milionë. 98 përqind e votueseve i thanë jo asamblesë së re të propozuar nga presidenti Nicolas Maduro dhe mbështeten thirrjen për zhvillimin e zgjedhjeve të reja para përfundimit të mandatit të tij në 2019-n.

Ata votuan gjithashtu që ushtria të mbrojë kushtetutën aktuale. Opozita fajësoi një bandë paraushtarake për sulmin me armë.

Pamje nga vendi i ngjarjes treguan njerëzit teksa vraponin për t’u shpëtuar plumbave, ndërsa shumë u strehuan në një kishë.

Prokuroria tha se do të hetonte incidentin. Viktima e identifikuar si Xiomara Soledad Scott vdiq disa minuta pas mbërritjes në spital.

Ndërkaq gazetari Luis Olavarrieta u rrëmbye, u grabit dhe u rrah nga një grup personash. Një votim zyrtar do të mbahet në 30 korrik për asamblenë e re, e cila do të ketë fuqinë për rishkrimin e kushtetutës dhe shpërbërjen e institucioneve shtetërore. Për kritiket kjo do të përkthehej me diktaturë./TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *