UET-i nis bashkëpunimin me kompaninë EuroLab për punësimin e studentëve

Postuar më: 13 July 2017 17:39

Drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës zhvilluan sot një takim me drejtuesit e EuroLab Internacional Group, për një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

Bashkëpunimi konsiston në disa pika të rëndësishme me në fokus punësimin, ofrimin e intershipeve dhe praktikave për studentët e Universitetit Europian të Tiranës.

Drejtoresha e UET Enterprise, Ornela Çuçi, foli në mënyrë më të detajuar mbi këto pika.

“Para 1 muaji në takimin e zhvilluar me drejtuesit e kompanisë EuroLab dhe me iniciativën e drejtoreshës ekzekutive të bashkimit tregtar, u vendos që dy institucionet tona, Universiteti Europian i Tiranës dhe kompania EuroLab, të fillojnë një bashkëpunim që kishte të bënte me disa pika,” u shpreh ajo.

Sipas saj, “pika e parë përfshin punësimin e studentëve të UET në kompani, dhe u krye sot me intervistimin e disa studentëve për pozicionet e punës ku ata kishin aplikuar. Vlen për tu theksuar se çdo vit do të punësohen 50 persona për të mbuluar nevojat e kompanisë. Pika e dytë e bashkëpunimit përfshin intershipet në kompani ku disa prej tyre do të jenë dhe me pagesë. Pika e tretë ka të bëjë me praktikat dhe zhvillimin e leksioneve të hapura me drejtues të kompanisë në UET. Po ashtu dhe nevojat e kompanisë do të pasqyrohen në kurrikulat e universitetit, për t’i përgatitur studentët sa më mirë për tregun e punës. Pika e fundit përfshin ofrimin e praktikave mësimore për disa nga studentët më të mirë të universitetit, një prej kompanive bashkëpuntore të EuroLab”, sqaroi Çuçi.

Presidenti i UET, Prof.dr. Ardian Civici bëri një prezantim se si UET bashkëpunon me kompanitë dhe më konkretisht me kompaninë EuroLab.

Ai përmendi programin 250+ si dhe synimin e UET për tu kthyer në universitetin e biznesit.

Gjithashtu ai theksoi rëndësinë që ka për UET-in përgatitja e studentëve cilësorë për tregun e punës.

“Tregu i punës në Shqipëri ka nevojat dhe kërkesat e veta, dhe nëse studentët nuk përputhen me nevojat e tregut atëherë ata do të kenë shumë vështirësi për të gjetur një vend pune por edhe për të bërë karrierë”, u shpreh Civici.

Administratorja e Kompanisë EuroLab Erila Velaj tha se ishte tepër e kënaqur nga ky bashkëpunim dhe se kompania e tyre e kishte gjithnjë derën hapur për studentët e rinj.

“Ne kemi vendosur t’ia  hapim derën të rinjve pasi kemi nevojë për energjinë e tyre si dhe për idetë e tyre”, u shpreh ajo.

Ky bashkëpunim do të vijojë me kompani të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *