“Rruga e suksesit është puna”

Postuar më: 15 July 2017 11:05

Në kuadër të vokacionit “UET-Universiteti i Biznesit” sipërmarrësja Donika Mici ishte ftuar të mbante një fjalim frymëzues për studentët e sapodiplomuar

Nga Donika Mici

“Jam këtu me ju për të gëzuar suksesin tuaj akademik, sepse jam e bindur që çelësi i suksesit tonë si shtet dhe ndryshimi i domosdoshëm për ta ndërtuar Shqipërinë është në duart tuaja. Të kësaj gjenerate të ulur këtu dhe moshatarëve tuaj në qytetet e tjera dhe fshatrat të Shqipërisë që janë në kërkim të një vendi që përmbush vizionin për të cilin prindërit tuaj kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme.

Të gjithë në jetë ëndërrojnë majat, ëndërrojnë suksesin, ëndërrojnë të arrijnë maksimumin në të gjitha fushat e jetës, por, nëse dikush, 30 vjet më parë do të më thoshte se sot do të isha personi i sotëm, sigurisht nuk do t’i kisha besuar.

Hapat e parë në botën e punësimit i hodha në një ndërmarrje shtetërore, sikurse diktonte regjimi i atëhershëm. Ndryshimet politike të viteve ‘90 krijuan një kontekst të ri dhe si shumë shqiptarë, u gjenda pa punë.

Kjo nuk më frikësoi, ardhja e sistemit kapitalist solli tregun e lirë, me lirinë që dikton ekonomia, dhe forca e karakterit që dallon në përgjithësi rininë, zgjodha të filloja një sipërmarrje. Guxova dhe krijova biznesin tim kur tregu ishte vetëm një koncept. Ishte biznesi i parë prodhues i regjistruar në Shqipëri. Këto ishin hapat e mia të parë, ato që më prunë të hapja fabrikën më të madhe të prodhimit të këpucëve në vend.

Në vitin 2013, pas 20 vitesh bashkëpunimi me investitorë të huaj, pata vendosmërinë të krijoja brandin tim. Nuk ishte një rrugëtim i lehtë, por ishte i vetmi që përputhej me natyrën time krijuese dhe të lirë.

Biznesi, sikurse edhe jeta, ka ngritjet dhe uljet e tij. Shpeshherë kam menduar të heq dorë, por ka qenë pasioni i madh për punën time dhe përgjegjësia për 2000 të punësuarit e mi që ka bërë që unë të mos dorëzohem.

Të dashur studentë, sot për ju hapen dyert e jetës reale. Shumë shpejt do të përballeni me tregun e punës, dhe në këtë moment fillon beteja e vërtetë për të ardhmen tuaj, për të kthyer në realitet ëndrrat tuaja. Për t’i arritur ato duhet të evoluoni, të përshtateni, të dilni në treg, të krijoni personalitetin tuaj në punë. Nëse unë nuk do të kisha kërkuar më shumë, nëse nuk do të kisha krijuar brandin tim, duke ecur me kohen dhe teknologjinë, do të kisha mbetur në vend. Ju ftoj të kini këtë qasje, mos ndalni, mos u vetëkënaqni.

Ndonëse kohët që jetojmë mund të duken të vështira, unë dua t’ju them se nuk duhet të keni frikë. Si sipërmarrëse ndjej dhe shoh që sot është koha e Shqipërisë, pra kjo do të thotë se është koha juaj. Ju jeni një rini e shkëlqyer, ju ftoje te kini guximin e moshës tuaj.

Përveç dashurisë, gjëja më e shenjtë që mund të jepni dhe merrni është puna. Dhe sa herë puna dhe dashuria ndërthuren, lind një formulë që askush nuk mund të ndalë. Duajeni punën dhe duajeni vetën tuaj. Krijoni brandin tuaj, jepini markën tuaj jetës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *