Pro dhe kundër zonës ekonomike rajonale në Ballkan

Postuar më: 17 July 2017 09:40

Nga Teuta Nunaj*

Samiti i radhës mes liderëve të Bashkimit Europian (BE) dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor (BP), i mbajtur pak ditë më parë në Trieste, finalizoi projektin për fillimin e krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale (ZER). Është vetë institucioni i BE-së që vendos rregullat për integrim, ndërsa vendet aspirante të BP-së kanë detyrim plotësimin; ato mund të negociojnë kriteret, por nuk mund të vendosin kushte dhe as të zgjedhin. Dhe në këtë rast, krijimi i ZER në Ballkan është kërkesa e radhës e BE-së për integrimin europian të rajonit tonë.

Për vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, Këshilli i Europës vendosi në qershor 1993 tri parime bazë, të njohura gjerësisht në literaturë si Kriteret e Kopenhagenit. Kriteri ekonomik është: “ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale, si dhe me kapacitet të përballet me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit (Europian)”. Në ditët e sotme, Shqipëria nuk e plotëson këtë kriter. Ekonomia shqiptare nuk ka ende kapacitete konkurruese të qëndrueshme, që të përballet me ekonomitë e zonës së BE-së.

Në vitin 2007, hyri në fuqi marrëveshja e re e CEFTA-s, e cila synonte krijimin e një zone rajonale të tregtisë së lirë, për ta bërë më të lehtë tregtinë brenda rajonit dhe për të plotësuar integrimin tregtar të vendeve të BP-së me BE-në. Ende pas 10 vitesh kjo marrëveshje ka mbetur pjesërisht e shfrytëzuar nga vendi ynë, duke qenë se tregtia e Shqipërisë me këto vende është në nivele të ulëta dhe me potenciale të pashfrytëzuara. Dhjetë vite më vonë, BE vjen me një tjetër propozim, krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale për Ballkanin Perëndimor.

Realizimi i integrimit ekonomik mes shteteve kalon në katër faza përmes krijimit: (i) të zonës së lirë ekonomike; (ii) të bashkimit doganor; (iii) të tregut të përbashkët; dhe (iv) të bashkimit ekonomik. Zona e tregtisë së lirës është faza e parë e integrimit ekonomik mes shteteve dhe ka të bëjë me heqjen e barrierave tregtare ndërmjet shteteve anëtare. Por, pavarësia e shteteve në politikat e tyre kundrejt vendeve jo anëtare të CEFTA-s vijon të mbetet e pandryshuar. Krijimi i ZER në BP, është një zhvillim i mëtejshëm i zonës së lirë ekonomike të CEFTA-s, që synon një bashkim doganor dhe më tej ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal. Tipar dallues i tregut të përbashkët ekonomik është se nuk ka barriera në tregti mes shteteve anëtare dhe se kanë një politikë të jashtme të përbashkët tregtare me vendet joanëtare.

Sipas Komisionit Evropian, ZER synon të zhvillojë një zonë ku mallrat, shërbimet, investimet dhe punonjësit profesionistë mund të lëvizin lirshëm. Gjë e cila iu jep mundësi kompanive europiane dhe jo vetëm, të investojnë në një treg prej 20 milionë konsumatorësh, duke e bërë rajonin një treg më kompakt, më të konsoliduar, më të organizuar, si dhe me rregulla më të qartë dhe të njëjtë loje. Po sipas Komisionit, funksionimi i ZER do të mbështetet në katër shtylla: (i) tregtia; (ii) investimet; (iii) lëvizja e lirë; dhe (iv) tregu digjital.

Krijimi i ZER zgjon më shumë interesin që ekonomikisht vendet e BP-së të bashkëveprojnë më shumë mes tyre; të rriten në bllok sipas përmasave dhe përpjekjeve të secilit; të bashkëpunojnë për zhvillimin ekonomik në dobi të vendeve të tyre; të shtojnë interesat e përbashkët; dhe e gjitha kjo lehtëson më shumë procesin e bashkëpunimit ekonomik dhe integrimin e tyre në familjen europiane. Kjo do të thotë se vendet e BP-së do nxiten ta shohin njëri-tjetrin më shumë si vende partnere, se sa si vende kundërshtare. Rënia dakord me planin e BE-së në Trieste dhe arritja e konsensusit mes vendeve të BP, është hapi i parë i rëndësishëm për integrimin fillimisht të vendeve të BP mes tyre dhe në një fazë të dytë të mëvonshme me BE-në. Krijimi i ZER dhe nënshkrimi i Traktatit të Transportit janë dy arritjet më të mëdha të Samitit të Triestes, zbatimi i të cilave do të përafronte edhe më shumë vendet e BP-së me BE-në.

Avantazhet që këto mund të sjellin për Shqipërinë dhe më tej, për trojet shqiptare dhe gjithë Ballkanin Perëndimor janë: (i) lehtësohet tregtia për shërbimet, përfshirë këtu financat, sigurimet dhe transportin, kjo do të lidhë edhe më shumë rajonet shqiptare me njëri-tjetrin dhe rritet gjithëpërfshirja e tyre si bazë për bashkëpunim; (ii) rriten investimet përmes krijimit të një agjende rajonale të investimeve, gjë e cila do të mundësojë nxitjen e investimeve të reja të huaja, hapjen e vendeve të punës, duke i dhënë mundësinë ekonomive shqiptare të veprojë si një e tërë; (iii) do iu japë mundësi shqiptarëve profesionistë (si të gjithë shtetasve të BP-së) të lëvizin lirshëm dhe të punojnë pa pengesa në të gjithë rajonin, e vlefshme shumë për të sapodiplomuarit, që të rrisin mundësinë e ushtrimit të profesioneve të tyre dhe t’u njihen diplomat; (iv) forcimi dhe rritja e ekonomisë shqiptare do e bëjë atë edhe më shumë konkurruese si për tregun rajonal, e më tej për atë europian e global, duke e parë integrimin ekonomik rajonal si paradhomën e integrimit ekonomik evropian; (v) nxitet rritja e cilësisë së produkteve “Made in Albania” dhe të shërbimeve nga ana e kompanive shqiptare, duke i bërë më konkurruese dhe duke rritur mundësinë e prezencës së tyre në tregun rajonal dhe më tej evropian; (vi) rritja e veprimtarisë së ekonomisë shqiptare si pjesë e një ekonomie rajonale, mundëson që kreativiteti, inovacioni, idetë dhe kapitali të përhapen më shpejt dhe të ndikojnë edhe më shumë në zhvillimin e ekonominë shqiptare; (vii) kjo rritje dhe forcim i ekonomisë shqiptare si një e tërë, do e konsolidonte edhe më shumë atë, që do të çonte në ulje të emigracionit, të papunësisë dhe të varfërisë; ndaj ZER duhet vlerësuar si një mundësi shumë e mirë për plotësimin e kriterit ekonomik nga ana e Shqipërisë për integrimin e vendit në BE.

Ndërsa disavantazhet e ZER janë: (i) Shqipëria do të humbasë një pjesë nga autonomia dhe pavarësia në vendimmarrjet ekonomike, pasi do të veprohet përmes një agjende rajonale investimesh dhe njëkohësisht i delegohen kompetenca bashkëpunimit rajonal; (ii) kompanitë shqiptare do të kenë një përballje edhe më të madhe me shumëllojshmërinë e produkteve/shërbimeve me cilësi të lartë dhe çmime më të ulëta që vijnë nga rajoni, duke i vënë ato në vështirësi të ndjeshme ekonomike nëse nuk do të jenë konkurrente; dhe së fundi (iii) duke qenë se Shqipëria nuk është imune ndaj krizave, do të jetë më shumë e prekshme ndaj çdo krize ekonomike që mund të kalojë çdo vend rajonal.

Në dhjetor 2013, përgjatë prezantimit të studimit tim mbi bashkëpunimin rajonal, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, argumentova nevojën që kishin vendet e BP-së për një menaxhim të ri të ekonomive të tyre përmes bashkëpunimit dhe mbrojta idenë se këto vende duhet të mendojnë globalisht, të veprojnë në një ekonomi rajonale, që të mund të marrin dhe të përfitojnë të mira kombëtare. Sot, 4 vite më pas, i qëndroj të njëjtës ide, ndaj nuk kam si të mos e mbështes nevojën e madhe që ka Shqipëria për krijimin e një Zonë Ekonomike Ballkanike.

*dr. e shkencave ekonomike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *