“Kur diskutohej nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Komuniste”

Postuar më: 17 July 2017 13:00

Çfarë thanë Fatos Nano i PS-së, Arben Imami i PD-së, Eduard Selami i PD-së dhe Ilir Meta i PS

“Për disa ndryshime në ligjin 7502, datë 25.07.1991, “Për partitë politike”, ishte propozimi i 30 deputetëve të PD-së ku kërkohej nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Komuniste.

Citohej: “Ndalohet organizimi dhe veprimtaria e partive e shoqatave politike kur qëllimet dhe veprimtaria e saj kane karakter racist, totalitarist d.m.th. fashist, komunist, marksist-leniniste, shovinist, antikombëtar e nxisin urrejtjen kombëtare”.

Ishte një kërkesë e artikuluar shpesh jo vetëm në parlament e institucione të tjera politike, por edhe nga intelektualë të asaj kohe.

Një prej tyre ishte edhe Edi Rama. Ai dukej më ekstremist në qëndrimine tij kur kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit edhe për Partinë Socialiste, e cila kishte trashëguar gjithçka nga partia-shtet e komunistëve të Enver Hoxhës.

Po “fati” e deshi që Edi Rama të bëhej kryetar i kësaj partie 15 vite më vonë dhe vazhdon edhe sot ta drejtojë.

Në atë seancë parlamentare të 17 korrikut 1992, të gjithë ishin në një mëndje për largimin e komunistëve nga skena politike. Çëeshtja është se ata votuan atë ditë vetëm për paligjshmërinë e logos së komunistëve dhe emrit të tyre, por komunistët ishin shpërndarë në të gjtiha partitë duke nisur qysh tek Partia Demokratike, po e po te PS e deri tek partitë e tjera  që do të krijoheshin me kalimine viteve.

Por çfarë thanë si sot 25 vjet më parë, katër personalitete të skenës politike të kohës që vazhdojnë dhe sot të jenë me peshë në politikë: Fatos Nano, kryetar i PS-së, Arben Imami asokohe kryetar i grupit parlamentar të PD-së, Eduard Selami asokohe kryetar i PD-së dhe Ilir Meta, deputet i Partisë Socialiste.

***

Arben Imami – Unë jam i mendimit që kjo të bëhet sa me shpejt për arsye se të gjithë kemi të drejtën morale ndaj marksizëm-leninizmit, ndaj kësaj doktrine e teorie e cila u realizua në mënyrë kriminale në Shqipëri. Në Shqipëri me në fund duhet vënë drejtësi, duhet të ndahemi një herë e mirë me të kaluarën e për të vendosur drejtësinë në Shqipëri. Nuk jam për atë që quhet pajtim, sepse nuk ka mundësi pajtimi midis xhelatëve e viktimave. Unë jam i mendimit se në mund të arrijmë paqen sociale, por nuk mund të ketë paqe sociale pa u vendosur drejtësia në Shqipëri, nuk ka paqe sociale pa gjetur komunizmi vendin e tij në Shqipëri, nuk mund të bëhet paqja pa u mbaruar lufta. Në emër të drejtësisë e paqes shpesh shkelet drejtësia dhe po të vazhdojmë kështu nuk do të bëjmë gjë tjetër veçse do të krijojmë çekuilibër psikologjik në rang kombëtar.

Prandaj, të bëjmë ç’kemi për të bërë e ta mbyllim që mund të ecim përpara. Për mua drejtësia është baras me paqen e për këtë do të kërkoja jo vetëm daljen e Partisë Komuniste nga skena, por gjyq politik për bllokmenët me në krye Ramiz Alinë. Mendimi im është që nuk ka bashkëfajtorë në Shqipëri, por ka njerëz që janë viktima të diktaturës, ashtu siç ka dhe ideatorë e ekzekutorë të saj.

Fatos Nano – Shpreh keqardhjen se edhe në këtë seancë vazhdon të shfaqet mungesa e kulturës demokratike në sensin e ngatërrimit të ndarjes së tre pushteteve, që fusin dhe Parlamentin në gjyqe të karakterit politik. Ne i mbesim besnik gjykimit të saktësisë të këtij ligji, por njëkohësisht do të falënderoja iniciatorët dhe shpjeguesit e projektit të paraqitur, sepse për arsye që ata vete e dinë të njërës apo të tjetrës natyre dhe meqenëse nuk munden të marrin pjesë në Kongresin e 10 të P.P.SH, po e çoj në fundin e vet logjikës atë që në e bëmë publikisht duke e shpallur të dështuar e të dale nga skena historike.

Dezekuilibri apo interesa egoiste të individëve të caktuar në jetën e sotme politike mund të sjellin edhe revanshizëm të partive të tëra politike që do të vijnë ndesh me kuadrin ligjore pas të cilit ato janë krijuar. Prandaj e konsideroj të vështirë që ta zbërthejmë totalitarizmin me emra dhe mbiemra në jetën kaq komplekse shqiptare të sotme, prandaj do të theksoja të godasim me koncepte ligjore çdo organizate apo grupim politik që vjen ndesh me shtyllat e demokracisë e një shoqërie të qytetëruar të cilat janë pluralizmi,mbrojtja e të drejtave të njeriut,ekonomia e tregut dhe interesat tona kombëtare, qofshin këto sulme nga e majta apo nga e djathta ekstreme.

E deklaroj edhe një herë se socialistet as kanë pasur dhe as nuk kanë gjë të përbashkët as me komunizmin totalitar dhe as me fashizmin revanshizmin. Prandaj, do të luftojmë që demokracia e re shqiptare kaq e brishte të mos kërcënohet prej tyre, me forma tradicionale dhe as me të reja, as neokomuniste dhe as neofashiste. Këtë kërkon populli dhe demokracia nuk ndërtohet me dhunë, me gjak apo me luftë klasash dhe kur këto shiten me etiketa demokratike apo në emër të drejtësisë. Kjo është akoma me e rrezikshme po të ndodhe që të institucionalizohet si larje hesapesh midis shqiptaresh dhe aq me tepër në kushtet e krizës së sotme ballkanike e kontradiktave të reja globale kur shqiptarët më shumë se çdo gjë tjetër kanë nevojë për paqe dhe jo për luftë sociale.

Eduard Selami – Unë mendoj që nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Komuniste nuk është thjesht një respekt për viktimat, për gjithë ato që kanë vuajtur e kanë lënë jetën e tyre. Këtu bëhet fjalë për një parti enveriste-staliniste, e cila në themel të parimeve të saj ka patjetër përmbysjen me dhunë, për lufte klase, për ndarje sociale të shoqërisë. Unë mendoj që politikisht ky është një hap i domosdoshëm i cili ka të beje me qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj diktaturës enveriane, diktaturës me të ashpër në botë. Mendoj që politikisht ky është një hap shume i domosdoshëm i cili do të vazhdoj me tej, është një hap që ka të bëjë edhe me qëndrimin ndaj bllokmenëve, një qëndrim që nuk është thjesht ekonomik, sepse nuk bëhet fjale vetëm për abuzime ekonomike, por bëhet fjalë për një gjenocid të ashpër politik, bëhet fjalë për një tradhti kombëtare një proces që askush nuk mund t’i shmanget. Mendoj që demokracia nga pikëpamja politike sa më parë duhet të japë përgjigje jo për të destabilizuar por për të sqaruar shume gjera që uniteti kombëtar dhe demokracia të vihet mbi themelet e ndershmërisë, mbi themelet e drejtësisë.

Ilir Meta – Shoqëria shqiptare po përjeton një transformim demokratik i cili nuk mund të pretendohet se është i plotë, sepse ka vetëm dy vjet që ka nisur. Në këtë aspekt dhe partitë politike si pjesë intervale të kësaj shoqërie nuk kanë marrë fizionominë e plotë, prandaj dhe gjykimi nuk është i plotë e kategorik për secilën forcë politike nuk mund të jetë i lehte. Për sa i përket problemit të Partisë Komuniste unë mbështes Presidentin Berisha, i cili tha që jashtë ligjit duhet të dali ajo që është e paligjshme, n.q.s programi e aktiviteti i ndonjë partie qoftë dhe e kësaj Komuniste është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të mbahet qëndrim nga Ministria e Drejtësisë, nga Gjykata Kushtetuese e pastaj dhe nga Kuvendi Popullor.

Unë mendoj se antikomunizmi është një kulturë e demokratike, është argumentimi i avantazheve të sistemit demokratik ndaj sistemit komunist dhe për më tepër vërtetimi i këtyre avantazheve në praktike. Mendoj se komunizmi në Shqipëri do të zbehet e do të zhduket sa më shpejt të eci demokracia, sa më shpejt të ecin reformat. 

***

Në atë seancë, Partia Komuniste u la jashtë ligjit, por historia e mëvonshme tregoi se Partia Komuniste u rikthye, edhe pse pa një peshë specifike në jetën politike. Megjithatë, PK dhe liderët e saj janë parë këto vitet e fundit si në tavolinat e  koalicioneve të Ramës edhe në ato të Berishës. Mbahen mend 1000 votat e komunistëve të Tiranës, që i dhanë fitoren PD-së në zgjedhjet vendore të vitit 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *