Kundërshtarët e Bashës me platformë për anulimin e garës

Postuar më: 21 July 2017 10:10

Në takimin e sotëm, ku pritet të mbahen disa fjalime, do të kërkohet jo vetëm anulimi i garës por edhe një thirrje publike për demokratët që të shtunën ta bojkotojnë votimin. Në takim, Patozi, Mustafaj, Bregu, Imami, Bode e Ruli. Topalli: “Më 25 qershor 2017, shqiptarët refuzuan Lulzim Bashën si hipokrit, dhe listën e tij si listë e shitur dhe aspak përfaqësuese…”

Ata që nuk janë dakord me mënyrën se si në PD po garohet për postin e kryetarit të partisë e për pasojë edhe me votimin e së shtunës do të mblidhen sot në Tiranë në orën 19.30 në sallën e Koncerteve të Akademisë së Arteve.

Kritikët e Lulzim Bashës i cili të shtunën do të votohet përballë Eduard Selamit do t’i kërkojnë të dy kandidatëve që të anulojnë garën duke e konsideruar atë krejt false dhe të padobishme për të ardhmen e PD-së. Në takimin e sotëm, ku pritet të mbahen disa fjalime, do të kërkohet jo vetëm anulimi i garës, por edhe një thirrje publike për demokratët që të shtunën ta bojkotojnë votimin.

“Më 21 korrik, ora 19:30, me demokratët e kryeqytetit. Ju mirëpresim në sallën e Koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë. Bashkimi dhe ringritja e Partisë Demokratike është misioni ynë. Askënd për të humbur, gjithkënd për të fituar”, shkruan Astrit Patozi në faqen e tij në Facebook. Veç Patozit, në takimin e sotëm do të jetë i pranishëm edhe Besnik Mustafaj, Majlinda Bregu, Arben Imami, Ridvan Bode e Genc Ruli.

Jozefina Topalli nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen megjithatë ajo ka qënë e ashpër mbrëmë në qëndrimin e saj ndaj Bashës përmes një postimi në faqen e saj në Facebook.

“Mund t’i gënjesh të gjithë për pak kohë ose disa gjithë kohës, por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë përgjithmonë’ o Lulzim.

Hipokritin, njeriu i thjeshtë e njeh menjëherë. Ai ka një maskë mbi shpirt. Në këtë rast pasqyrat janë të nevojshme vetëm për të verifikuar nëse maska qëndron ende në rregull përmbi fytyrë.

Më 25 qershor 2017, shqiptarët refuzuan Lulzim Bashën si hipokrit, dhe listën e tij si listë e shitur dhe aspak përfaqësuese.

Në fakt ato e trajtuan Lulzimin bashkë me Republikën e tij të re, me indinjatën dhe përçmimin që meriton çdo akt tradhëtie.

Po të bëheshin sot zgjedhjet politike, Lulzimi dhe lista klienteliste Basha nuk do të merrte më as gjysmën e votave të 25 qershorit…”, shkruan ndër të tjera Topalli.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Besnik Mustafaj e paraqet garën si farsë sa kohë që ai parashikon edhe përqindjen që do të fitojë Basha të shtunën përballë Selamit.

“Ka pasur një lëvizje të njerëzve të Bashës të regjistrohen si anëtarë të PD-së. Kryetarë degësh në rrethe më thonë që gjërat janë të caktuara. Rreth 70% do të marrë Basha. Prandaj jam insistues që të ketë një garë të vërtetë. Të jetë e drejtë, e barabartë dhe transparente. Vetë konkurrenti i Bashës, Selami ka thënë vazhdimisht se gara nuk është e barabartë, që është tregues i rëndësishëm për garën. Ai ka vendosur t’i shkojë deri në fund, dhe po përpiqemi të bëjmë ç’të jetë e mundur deri në fund të shprehim zërin tonë. Kjo garë nuk do sjellë as reflektimin dhe as rinovimin e Partisë Demokratike”, -tha Mustafaj.

Ndër të tjera, ai shtoi se, PD-ja po degradohet dhe se sot në Akademinë e Arteve do të flitet pikërisht për këtë situatë.

“Kisha kohë që nuk kisha dalë nëpër rrethe se unë e kam bërë politikën në Tiranë. S’kam qenë një nga drejtuesit e PD-së që shkonte në terren. Në këtë rast, preokupimi është i madh. PD-ja po degradohet, po rrënohet dhe rrënimi i saj përjetohet nga secili anëtar si dramë personale. Ata ishin gati të bënin gjithçka që është në dorën e tyre. PD-ja gjënë e parë që duhet të bëjë është korrigjimi i depolitizimit që bëri Basha në PD. Kjo është një lloj ripolitizimi i PD. Kur them për mbledhje, nesër do flasin përfaqësues nga shumë rrethe, zonja dhe zotërinj pa emër kombëtar. Do jemi edhe ne që kemi një lloj emri kombëtar dhe do shprehim shqetësimin tonë për garën false dhe degradimin e PD-së dhe të marrë peng. Ne nuk e kemi humbur shpresën se ka vesh për të dëgjuar. Nëse nuk dëgjon Basha do dëgjojnë të tjerët. Kjo lëvizje duhet kuptuar se është e vetmja mënyrë  për t’i dhënë energji PD-së. Kjo shmang rrudhjen. Basha nuk ngjall dot shpresë dhe dimensionet e një lideri në këndvështrimin tim”, vërejti Mustafaj.

Por ndërsa një grup në PD sot do të kërkojë tërheqjen nga gara të dy kandidatëve, si Basha ashtu edhe Selami kanë vijuar takimet duke mbajtur të njëjtin qëndrim si ditën e parë. Basha duke e parë problemin tek kundërshtari, ndërsa Selami brenda partisë.

Selami madje është shprehur se kjo garë ka qenë e pabarabartë. Po përse?

“…Kjo fillon që nga koha që ishte shumë e shkurtër. Nga fakti që në kushte të tilla kur zoti Basha një herë ngriu si kryetar, tashmë herët e fundit dhe kryetarët e degëve e prezantojnë si kryetar dhe unë them me shaka ‘Kur është kryetar, atëherë ç’vlerë ka gara?’. Ana tjetër është mospublikimi i listave dhe ajo çka mua më ka zhgënjyer dhe më shumë është ndrydhja e garës. Më premtoi zoti Basha që debatet do të jenë të hapura, që një pjesë do të ishin të përbashkëta. Unë do të doja që të gjitha të ishin të përbashkëta, me praninë e kamerave, të medias së lirë, pra që të hapemi dhe demokratët e qytetarët të shikonin që vërtetë po ndodh diçka e rëndësishme po ndryshon. E premtoi dhe iu shmang…”, -tha Selami në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Përpos qëndrimit të tij se kjo garë është e pabarabartë dhe se s’mund të prodhojë rezultat të drejtë, Selami u shpreh dje se në dore procesin në fund të fundit do ta kenë vetë demokratët. Sepse pavarësisht vështirësive, Selami shprehet se kjo garë është e fitueshme.

“PD me mua Kryetar nuk do të jetë më  pronë private pa konkurrencë vlerash, dhe me konkurrencë servilizmi”.

Vetëm përmes bashkimit, sipas Selamit, PD-ja mund të vijë në pushtet.

“Bashkë vijmë në pushtet, bashkë fitojmë shumë shpejt, duke ngritur problemet duke qëndruar pranë qytetarëve. Kjo është formula! Ditët më të mira tonat i kemi përpara. Së bashku do të bëjmë jo vetëm që PD-ja të vijë në pushtet, me vlerat tona, me kartën morale, me mbështetjen mbarë popullore, por edhe Shqipërinë do ta kthejmë në histori suksesi”, -tha Selami.

Ndërsa Lulzim Basha tha se demokratët kanë moralin dhe vlerat për të kthyer shpresën tek shqiptarët.

“Të vetmit që u futën në betejë me moral, me shpresë, me vizion për të nesërmen dhe dolën me moral të pacenuar jemi ne demokratët. Jemi ne që refuzuam të vendosim interesin e karriges dhe pushtetit tonë  mbi interesin e qytetarëve. Dhe prandaj refuzuam dorën e shtrirë të krimit për bashkëpunim, këtu në Tiranë dhe në Durrës, Peqin dhe në Vlorë, Shkodër. Kthimi i kësaj force morale me të cilën hymë në betejë dhe dolëm nga beteja në një fuqi numerike dhe politike është tani sfida jonë

Askush nuk e ka moralin përveç demokratëve. Ne jemi të vetmit që kemi lindur për vlera, luftojmë për vlera, qëndrojmë për vlera dhe iu ofrojmë vlera shqiptarëve; vlerën e lirisë, vlerën e demokracisë, vlerën e ekonomisë së lirë, besimit në Zot, shprehjes së lirë, lirisë së shprehjes, lirisë së fjalës”, -tha Basha.

1 koment për këtë artikull

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *