Diploma 2016-2017 në UET me ‘vulën’ e akreditimit anglez të QAA

Postuar më: 14 July 2017 22:33

Universiteti Europian i Tiranës organizoi dje ceremoninë e diplomimit të brezit të 8-të të studentëve që shënon dhe diplomën e parë pas akreditimin ekselent nga kompania britanike QAA. Mirush Kabashi dhe Donika Mici mbajtën “commencement speech” duke frymëzuar studentët për t’iu përkushtuar punës 

Vajza dhe djem të rinj të veshur me rrobën akademike, prindër e të afërm me lule në duar, lot gëzimi, emocion dhe në fund një karton ku shkruhet: I diplomuar!

Kjo është tabloja e së premtes mbrëma në oborrin e Universitetit Europian të Tiranës ku 648 studentë të ciklit Bachelor dhe Master festuan diplomimin e tyre.

Ky është brezi i 8-të i studentëve që diplomohen dhe është e para diplomë që mban vulën e akreditimit nga kompania prestigjioze britanike QAA.

648 studentët e sapodiplomuar u frymëzuan për të ecur në rrugën e jetës nga aktori Mirush Kabashi dhe biznesmenia Donika Mici, dy zgjedhje nga UET për fjalimet e fillimit të jetës ose “commencement speech” që praktikohen në universitetet më të mira në botë.

Dhe të ftuarit nuk zhgënjyen.

“Paçi një jetë dhe një karrierë sa më të gjatë e sa më të vështirë që do të thotë; mos kërkoni rrugët e shkurtra dhe të lehta. Mos shfrytëzoni mundësitë ekonomike apo klienteliste për të siguruar vende të pamerituara pune, mos bini në kurthin e partive politike për t’u ngatërruar brenda tyre dhe për hir të ndonjë kontributi të pamoralshëm dhe shpeshherë të paligjshëm të merrni poste të pamerituara dhe madje ndonjëherë të bëni karrierë, sepse shumë shpejt do ta gjeni veten që keni “fituar” ato, por do të keni humbur vetveten”, -tha ndër të tjera në mesazhin e tij aktori i njohur i Teatrit Kombëtar. Kabashi emocionoi studentë dhe prindër me një recitim të poezisë së famshme të Kipling “Në mundsh” që i ngre himn ndershmërisë, dinjitetit njerëzor dhe punës.

Një mesazh për punën dhe dashurinë kishte Donika Mici, e cila u tha studentëve të sapodiplomuar se “përveç dashurisë, gjëja më e shenjtë që mund të jepni dhe merrni është puna”.

“Dhe sa herë puna dhe dashuria ndërthuren, lind një formulë që askush nuk mund të ndalë. Duajeni punën dhe duajeni veten tuaj. Krijoni brandin tuaj, jepini markën tuaj jetës”, ishte porosia që ajo përcolli në mesazhin e saj.

Sfida e jetës pas studimeve

Drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës e fokusuan fjalën e tyre në nxitjen e studentëve për sukses në sfidën që i pret pas studimeve, karrierën e tyre.

Duke vlerësuar sakrificën e prindërve për fëmijët e tyre presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, tregoi historinë e një prindi që kishte qarë nga gëzimi kur ishte diplomuar djali i tij.

“Të gjithë familjet shqiptare kanë ndoshta një veçori të veçantë, sado probleme të kenë, sado të vështirë ta kenë jetën, shpenzimi dhe preokupimi i parë është arsimimi i fëmijëve tyre. Shoqëria shqiptare e ka treguar që gjithçka dhe para së gjithash ka patur arsimimin dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Ky është falënderimi më i madh që mund të bëjmë ne si pedagogë dhe universitet, faleminderit ju prindër që e keni kaq preokupim këtë shkollim kaq cilësor. Ne jemi vend i vogël, relativisht i varfër, me aspirata të larta për t’u zhvilluar dhe arma më e fuqishme që kemi sot është pikërisht mendja, pikërisht dija dhe universiteti është vendi ku kjo gjë realizohet, konkretizohet dhe ne përpiqemi përditë që kjo gjë të ndodhë”, u shpreh Civici.

Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj iu tha studentëve se sot fillon sfida e vërtetë.

“Sfida e hyrjes në një botë që është shumë e vështirë, me shumë mundësi, por gjithashtu me shumë pasiguri, një botë që është transformuar nga revolucioni teknik i viteve të fundit. Puna esenciale e universitetit është që t’ju përgatisë ju, jo vetëm si profesionistë të zotë, por dhe qytetarë të mirë”, -tha Gjuraj duke theksuar se “UET u konceptua si premtim për të komunikuar me shoqërinë”.

Administratori dhe një nga themeluesit e këtij universiteti, Henri Çili, e cilësoi komunitetin e studentëve të UET-it një komunitet të madh në Shqipërinë e vogël.

“Doja të thërrisja në ndihmë traditën e krijuar nga UET në këtë 11-vjetor të tij dhe me këtë brez të 8-të të të diplomuarve të Universitetit Europian të Tiranës. Të gjithë të diplomuarit deri më sot janë 7604, të të gjitha cikleve, Bachelor, Master, Master Profesional, Master Shkencor dhe Doktoraturë. Është një komunitet jashtëzakonisht i madh në një Shqipëri të vogël. Është një komunitet inkurajues për vazhdimin e tij në një Shqipëri, ku iniciativat nisin sot dhe përfundojnë nesër. Në këtë kuptim nuk ka asnjë kënaqësi më të madhe sot personalisht për mua si një nga themeluesit e UET, të shoh që kjo traditë vazhdon, përforcohet dhe shumohet”, -tha ai.

Sipas drejtuesve të këtij universiteti akreditimi britanik i ka hapur UET-it rrugën për t’u përballur në të ardhmen e afërt me rankimet ndërkombëtare duke i vënë vetes si synim që të përfshihet në renditjen botërore më prestigjioze të botës.

 

Diplomimi në shifra:

7600 studentë janë diplomuar në total në UET nga brezi i parë në vitin 2009 deri më 2017

648 studentë u diplomuan këtë vit gjithsej në Bachelor dhe Master në UET

341 studentë u diplomuan në fakultetin Ekonomik

230 studentë u diplomuan në fakultetin e Shkencave Sociale

77 studentë u diplomuan në Fakultetin Juridik

 

 

Kadaife dhe Esmeralda, mamatë me diplomë

Studimet janë sfidë për gjithkënd, por për studentët që punojnë dhe janë prindër është pak më e vështirë. Dy shoqe, të dyja studente në Master në UET dhe mama të dy vajzave të vogla po i gëzoheshin dje diplomimit të tyre. Kadaife Jahaj dhe Esmeralda Bako u diplomuan për mësuesi dhe me vete në këtë ditë të shënuar kishin dhe vajzat e tyre të vogla. “Është emocion i dyfishtë që këtë ditë ta përjetojmë edhe si studente dhe si mama”, shprehen të dyja.

Dhe nuk ka shembull më të mirë për vajzat e tyre se sa mamatë që studiojnë dhe kërkojnë arritje akademike në jetë, se sa mamatë e tyre të veshura me rrobën akademike.

Enea dhe Olta, kurorëzim i dashurisë dhe studimeve

Enea Dardha ka lënë Amerikën për t’u kthyer në Tiranë, ku nisi studimet për Juridik, ndërsa Olta Maçolli la universitetin në shtet për të studiuar degën e ëndrrës së saj, Marrëdhënie me Publikun-Komunikim në UET. Ata të dy u njohën në universitet si qindra të rinj të tjerë, por diplomimi sot i gjen të martuar. Dy të rinjtë e kanë kurorëzuar dashurinë e tyre në martesë, ashtu siç kurorëzuan studimet me diplomimin “shkëlqyer”.

“Ishte fati që na njohu në UET dhe për ne ky universitet do të jetë i veçantë dyfish, jo vetëm si universiteti që na dha diplomën, por si mundësia e bukur që na bashkoi me njëri-tjetrin përgjithmonë”, thonë ata.

Vanjela: Masteri i dytë, që më solli punën

Mundësia e dytë mund të jetë mundësia e artë. Ky është rasti i studentes Vanjela Bellovoda, e cila u diplomua në Master për Marrëdhënie me Publikun-Komunikim në UET. Sipas saj ky është një moment me fat në karrierën e saj, pasi është masteri që i hapi dyert e punësimit.

“Ky është masteri i dytë që bëj, pasi bëra një master në Psikologji, por nuk po gjeja dot punë. Tani prej disa javësh po punoj në një kompani në profilin tim për PR dhe jam shumë e lumtur që zgjodha këtë shkollë”, thotë ajo.

Suada, diploma që gëzoi dy familje

Suada Peqini Pocesta sapo festoi diplomimin e saj në master, në degën e studimit Drejtësi Private dhe Biznes. Për ta shoqëruar në ceremoni me të ishinjo vetëm prindërit e saj, por dhe prindërit e bashkëshortit. Të katërt prindërit e saj po festonin për vajzën, e cila diplomohej dhe tashmë ishte gati për të nisur një karrierë të suksesshme.

“Ka qenë interesante dhe e vështirë në të njëjtën kohë, pasi të jesh edhe studente, edhe grua në familje është paksa e vështirë për ta përballuar por në fund doli mjaft e suksesshme”, rrëfen ajo.

Të dyja familjet po e përjetonin me shumë gëzim këtë moment dhe mbanin në duar tufat me lule për t’ia dhuruar Suadës.

“Prindërit e mi dhe vjehrri me vjehrrën janë më të lumturit në botë në këto momente”, shprehet ajo.

 

1 koment për këtë artikull
  1. Anila Veto at 7:59 am

    Ne Britani QAA eshte njera prej kompanive sebashku me OCR qe vleresojne provimet ne A-Levels, qe ne Shqiperi korrespondon me provimet e lirimit, ndersa univesitet mundohet te krijojne nje identitet sa me te mire kryesisht saje kerkimeve shkencore, dhe kontibutit te tyre ne shoqeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *